Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot pritet të mbahet seanca përgatitore në rastin Banjska, bazuar në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator kundër 45 personave, përfshirë Millan Radoiçiçin. Shumica prej tyre janë të paarritshëm për sistemin gjyqësor të Kosovës.
Ka indikacione se do të kërkohet shtyrja e seancës pasi avokatët sapo e kanë marrë aktakuzën në gjuhën serbe dhe, sipas tyre, nuk kanë pasur kohë të përgatiten.
Kjo seancë vjen një ditë pas përvjetorit të sulmit në Banjskë, në veri të Kosovës, kur një grup i armatosur serb sulmoi policinë dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi u vranë edhe tre sulmues serbë.
Aktakuza i ngarkon shumicën e tyre për kryerje të terrorizmit dhe të veprave të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Besohet se ai dhe anëtarët e tjerë të këtij grupi të armatosur ndodhen në Serbi.
Në paraburgim në Kosovë ndodhen vetëm tre persona që u arrestuan gjatë sulmit në Banjska: Vladimir Toliç, Blagoje Spasojeviç dhe Dushan Maksimoviç.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL), më 24 shtator, tha se ligjet e Kosovës lejojnë që të gjykohet në mungesë, dhe se Serbia “herët a vonë do të detyrohet të dorëzojë Radoiçiqin dhe të tjerët”.
Lubomir Pantoviq, avokati i të arrestuarit Spasojeviq, javën e kaluar i tha REL-it se gjyqi do të jetë “i vështirë, serioz dhe kompleks”, pasi veprat penale të përmendura në aktakuzë janë të tilla.
Klienti i tij, Blagoje Spasojeviq, i ka treguar policisë disa detaje pas arrestimit, por theksoi se nuk e dinte se më 24 shtator 2023 do të ndodhte një sulm i armatosur. Ndërkohë, me sugjerimin e avokatit të tij, ai më vonë vendosi të mbrohet duke heshtur.
Çfarë thuhet në aktakuzë?
Prokuroria Speciale e Kosovës ngarkon të akuzuarit, ndër të tjera, me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
Prokurori Naim Abazi tha se të akuzuarit kishin role të ndryshme brenda grupit kriminal – nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe pastrimi i parave.
Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.
Si lider i këtij grupi është identifikuar Millan Radoiçiq, për të cilin thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin dhe aktivitetet kriminale. Radoiçiq gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin. Në Kosovë, Radoiçiq gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb dhe frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor që lidhet me ndërtimet ilegale.
Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnje e Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.
Hetimin e sulmit në Banjska po e udhëheq edhe Prokuroria e Lartë Publike në Beograd, e cila ngarkon Radoiçiqin me tre vepra penale – ndër të cilat janë prodhimi i paautorizuar, posedimi, mbajtja dhe trafikimi i armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese, dhe vepra të rënda kundër sigurisë publike. Të dyshuarit e tjerë janë persona të panjohur (NN).
Autoritetet e Kosovës e konsiderojnë sulmin në Banjska një akt terrorist dhe akuzojnë Serbinë se qëndron pas tij. Ministri Sveçla tha se ekzistojnë informacione të inteligjencës se të njëjtat grupe vazhdojnë të stërviten në territorin e Serbisë dhe rreth kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.
Nga ana tjetër, Serbia në disa raste ka mohuar çdo përfshirje, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se për Beogradin ky sulm nuk është terrorist, por po hetohet.
Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar ashpër sulmin në Banjska dhe ka kërkuar hetim dhe që përgjegjësit të dalin para drejtësisë./REL
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co