Drejtuesi i Delegacionit të Bashkimit Europian, ambasadori Silvio Gonzato, deklaroi sot se reforma në sistemin e drejtësisë dhe konsolidimi i saj është një nga elementet kryesorë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe një përparësi e BE-së. Ai i bëri këto komente në ceremoninë e nisjes së projektit të parë të BE-së kushtuar Shkollës shqiptare të Magjistraturës.
Ambasadori Gonzato pohoi se konsolidimi i reformës në drejtësi dhe i rezultateve të saj në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është aktualisht përparësi e integrimit europian të Shqipërisë, ndaj Delegacioni i BE-së po u jep gjithë mbështetjen institucioneve të pavarura, përmes projekteve të ndryshme. Ai bëri thirrje magjistratëve për integritet, profesionalizëm dhe pavarësi në punën e tyre pas studimeve.
Zoti Gonzato theksoi se BE-ja është angazhuar edhe me komisionin e posaçëm në Kuvend për thellimin e reformave dhe mirëqeverjsen, në mënyrë që të gjithë arritjet e reformës në drejtësi të konsolidohen më tej, siç tha ai, madje të shihen jo vetëm ndëshkimi por edhe parandalimi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Shkolla e Magjistraturës nisi sot projektin e parë të mbështetur nga BE-ja, ku do të përfitojë nga tre shkolla magjistraturash të njohura në Europë si Italia, Franca dhe Holanda. “Kjo është një mundësi e shkëlqyer për Shkollën e Magjistraturës, se kështu do të bëhen shkëmbimet e duhura profesionale, dhe do të ofrojë praktikat dhe standartet më të mira europiane. Reforma në drejtësi ka qenë një proces sfidues dhe i domosdoshëm. Procesi i vettingut është i paprecedent dhe ka treguar nivelin dhe mënyrat e ndryshme të korrupsionit në sistemin e vjetër dhe ka ndihmuar që ta shfarosë atë. Tashmë institucionet e reja janë krijuar, dhe po shihen rezultate të rëndësishme në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Është e rëndësishme që të mos mbetet pas fryma e reformës në drejtësi, duke marrë parasysh edhe elementë që mund të përmirësojnë zbatimin e saj, të mbrohet integriteti i saj, ndërkohë që rriten rezultatet e saj, siç presin qytetarët”, tha zoti Gonzato
Folësit në konferencën e sotme, përfaqësues të sistemit të drejtësisë, pedagogë dhe ekspertë të juridiksionit theksuan se të gjithë institucionet e drejtësisë duhet të bashkëpunojnë më fort që të shtohen rezultatet e organeve të reja të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa diplomatët perëndimorë pohuan se në këto përpjekje këto institucione kanë dhe do të kenë mbështetje të plotë ndërkombëtare, ne do të na keni gjithnjë përkrah dhe gati për t’iu mbështetur.
Pjesë e këtyre përpjekjeve është edhe mbështetja e Shkollës së Magjistraturës, që ajo të ecë në mënyrë të pavarur krahas procesit të reformave, duke përgatitur gjyqtarë e prokurorë të mirë me etikë dhe aftësi të larta profesionale./Voa/
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co