Presidenti i SHBA Joe Biden mund të përshpejtojë statusin e ofertës së Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n përpara skadimit të mandatit të tij në janar, raportoi të martën Financial Times. Moska ka këmbëngulur që Kievi duhet të heqë dorë nga planet e tij për t’u bashkuar me bllokun ushtarak të udhëhequr nga SHBA përpara se të fillojnë negociatat për paqen.
Ka “shenja” se Biden “mund të pajtohet të avancojë statusin e ofertës së anëtarësimit të Ukrainës në NATO” përpara se të largohet nga detyra, shkruan FT, duke cituar një zyrtar perëndimor të informuar mbi bisedimet e liderit ukrainas Volodymyyr Zelensky në Uashington javën e kaluar.
Zelensky udhëtoi në SHBA për të paraqitur “planin e tij të fitores” për konfliktin me Rusinë, i cili thuhet se përfshin kërkesa për dërgesa të armëve të avancuara dhe ndihmë financiare. Zyrtarët amerikanë nuk ishin të impresionuar me planin, pohoi FT.
Garancitë perëndimore të sigurisë për Ukrainën thuhet se kanë qenë një tjetër klauzolë kyçe e planit që mbeti pa përgjigje, së bashku me çështjen e lejes së SHBA për të përdorur armët e furnizuara nga Perëndimi për sulme me rreze të gjatë ndaj Rusisë.
Kievi ka aspiruar prej kohësh të bashkohet me NATO-n dhe përsëriti kërkesën e tij për anëtarësim në shtator 2022. Që nga përshkallëzimi i konfliktit me Moskën dy vjet më parë, liderët e NATO-s kanë pohuar vazhdimisht se Kievi është në rrugën e duhur për t’u bërë anëtar, por nuk kanë shpallur një afat kohor specifik për anëtarësim.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co