Kalendari “asist” Elbasanit, verdheblutë “flirtojnë” me vendin e parë

kalendari asist elbasanit verdheblute flirtojne me vendin e pare
kalendari asist elbasanit verdheblute flirtojne me vendin e pare

Elbasani luan këtë të diel një sfidë delikate me kryesuesit e Vllaznisë. Verdheblutë do të kenë shansin që në rast fitoreje të ngjiten në krye. Për këtë arsye, në kampin elbasanas e kanë vlerësuar maksimalisht këtë javë, që vjen pas asaj fitoreje të rëndësishme në transfertën e vështirë të Ballshit.

Ishte fitorja e parë që Elbasani merrte jashtë fushe. Tani vjen sfida me Vllazninë, që tregon shumë edhe për vazhdimësinë, sepse verdheblutë këtë sezon nuk ia kanë dalë në asnjë moment që të siglojnë dy fitore radhazi. Për shumë faktorë, ndeshja me shkodranët është e një rëndësie të veçantë.

KALENDARI SI ASIST – Edhe pse në kalendar është një ndeshje transferte, ajo me Vllazninë do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena”. Dhe ky është si një asist, për vetë faktin se në fushën e tij Elbasani ka treguar se e ka më të lehtë për të marrë maksimumin. Jo vetëm kaq, por të besuarit e trajnerit Roberto Bordin edhe në vijim i kanë ndeshjet në fushën e tyre. Pas shkodranëve do të presin Partizanin, një tjetër rival direkt sa i përket luftës për titullin kampion.

Me mbylljen e fazës së parë, verdheblutë kanë një tjetër ndeshje në shtëpi, ku mysafir do të jetë Skënderbeu. Pra, janë tri ndeshje radhazi shumë të rëndësishme në Elbasan, që do të vlejnë jo pak për ecurinë e skuadrës këtë kampionat. Një “asist”, që i vjen nga kalendari në favor dhe në Elbasan kanë detyrën ta shfrytëzojnë në maksimum, sepse është një mundësi që nuk të vjen shpesh në kampionat. Në anën tjetër nuk duhet harruar precedenti “Dinamo”. Me këtë kundërshtar verdheblutë patën shansin të luanin në shtëpi një ndeshje transferte, por në fund dolën pa pikë.

RIKUPERIMET – Problemi më i madh për momentin tek Elbasani është ai i dëmtimeve. Trajneri Bordin nuk ka pasur asnjëherë mundësi ta ketë grupin të plotë. Vijojnë luftën me kohën sulmuesit Ze Gomesh dhe Greca, si dhe mesfushori Arsen Kasa, të cilët nuk ishin as kundër Bylisit. Lajmi i mirë është se rikthehet kapiteni Bruno Lulaj, i cili shleu dënimin me një javë pushim për shkak të kartonëve të verdhë.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co