Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte vizitoi të enjten Ukrainën në udhëtimin e tij të parë zyrtar që nga marrja e detyrës.
Gjatë vizitës atje, Rutte i cili e mori detyrën më 1 tetor nga norvegjezi, Jens Stoltenberg, është zotuar për mbështetje të vazhdueshme për Kievin në luftën e tij me Rusinë, raporton AP.
Rutte u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Kiev teksa sirenat e sulmit ajror u ndezën dy herë në kryeqytetin ukrainas.
Kreu i ri i NATO-s u zotua kur mori detyrën të martën për të shtuar mbështetjen e Perëndimit për Ukrainën, e cila ka luftuar pushtimin në shkallë të plotë të Rusisë që nga shkurti i vitit 2022.
Rutte shprehu besimin se mund të punojë me këdo që zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara, anëtari më i fuqishëm i aleancës, në nëntor.
Zelensky ndërkaq ka thënë se ai diskutoi me Rutte elemente të të ashtuquajturit “plani i fitores” së Ukrainës, përpara një takimi të NATO-s në bazën ajrore Ramstein në Gjermani, javën e ardhshme.
Të dy diskutuan gjithashtu situatën në fushën e betejës dhe nevojat specifike të njësive ushtarake ukrainase. Zelensky përsëriti se Ukraina ka nevojë për më shumë armë, duke përfshirë armë me rreze të gjatë.
Rutte përsëriti mbështetjen e palëkundur të aleancës për Ukrainën, duke thënë se “Ukraina është më afër NATO-s se kurrë më parë”.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co