Rritet numri i viktimave në Gaza, ndërkohë Izraeli përballet me sulme

rritet numri i viktimave ne gaza nderkohe izraeli perballet me sulme
rritet numri i viktimave ne gaza nderkohe izraeli perballet me sulme

Ushtria izraelite kreu bombardime në Rripin e Gazës të premten, duke i vrarë së paku 29 palestinezë, thanë zyrtarët shëndetësorë palestinezë.

Ndërkohë, në jug të Izraelit ranë sirenat për të paralajmëruar rikthimin e sulmeve raketore nga militantët e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Shkrepja e raketave nga Gaza pas një kohe të gjatë nënkupton se fraksionet militante të udhëhequra nga Hamasi në Gazë, janë ende në gjendje ta sulmojnë Izraelin, pavarësisht luftës tashmë njëvjeçare ajrore dhe tokësore të ushtrisë izraelite, e cila i ka rrafshuar me tokën pjesë të mëdha të enklavës.

Të premten, ushtria izraelite tha se sirenat ranë në jug të Izraelit për herë të parë pas dy muajve.

“Gati një vit pas 7 tetorit, Hamasi ende po i kërcënon civilët tanë me terrorizmin e vet, prandaj ne do t’i vazhdojmë operacionet kundër tij”, tha ushtria izraelite, duke iu referuar njëvjetorit të sulmit të Hamasit në jug të Izraelit, i cili e nxiti luftën në Gazë.

Në qytetin Gaza në veri të Gazës, zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë se një sulm ajror izraelit mbi një shtëpi vrau të paktën shtatë persona. Katër persona, duke përfshirë dy gra dhe një foshnjë, u vranë në bombardimin e një shtëpie në qytetin jugor të Han Junisit.

Të tjerët u vranë në sulme ajrore në disa zona të tjera në këtë enklavë të dendur bregdetare. Banorët thanë se forcat izraelite që operonin në periferi të Zeitunit të qytetit Gaza dhe në Rafah, pranë kufirit jugor me Egjiptin, hodhën në erë grupe shtëpish.

Ushtria izraelite thotë se luftëtarët e Hamasit i përdorin si mburojë lagjet e banuara dhe të dendura. Hamasi e mohon këtë.

Mediat izraelite, duke raportuar për sulmet raketore, thanë se një raketë u shkatërrua nga mbrojtja ajrore izraelite dhe një tjetër ra në një zonë të hapur. Nuk u raportua për viktima apo dëme të konsiderueshme.

Palestinezët në Gaza do të shënojnë përvjetorin e parë të luftës javën e ardhshme me pak shpresë për fundin e luftimeve në të ardhmen e afërt, edhe pse Izraeli është duke e kryer një ofensivë të re tokësore në Liban kundër aleatit kryesor të Hamasit, Hezbollahun, i cili mbështetet nga Irani.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co