Dialogu Kosovë-Serbi/ Lajçak paralajmëron takim në nivel kryenegociatorësh në Bruksel

dialogu kosove serbi lajcak paralajmeron takim ne nivel kryenegociatoresh ne bruksel
dialogu kosove serbi lajcak paralajmeron takim ne nivel kryenegociatoresh ne bruksel

Miroslav Lajçak, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, ka njoftuar se është duke punuar për organizimin e takimit të radhës në kuadër të procesit që drejton mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një postim në Facebook, Lajçak theksoi se pret që takimi të zhvillohet në javët e ardhshme.

“Këtë javë që vjen, do të fokusohem në përgatitjen e takimit të radhës të kryenegociatorëve në Bruksel, të cilin do të doja ta organizoja në javët në vijim,” shkroi ai.

Duke folur të premten në forumin 2BS në Budvë të Malit të Zi, Lajçak tha se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbëjnë sfidën më të madhe strategjike në rajon, sepse, sipas tij, ato ndikojnë në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian.

Ai përkujtoi se Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshje në fillim të vitit të kaluar për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, duke theksuar se, sot, 18 muaj më vonë, nuk ka përparim të dukshëm në zbatimin e saj.

Mospajtime për temat e diskutimit

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, kanë zhvilluar dy herë bisedime të ndara me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili duket se nuk arriti t’i bindë ata për një takim trepalësh me 17 shtator në Bruksel.

Lajçak shprehu “keqardhje që nuk arrita t’i adresoj çështjet më të rëndësishme” në një takim trepalësh, duke shtuar se ai është në dispozicion të palëve “dhe ne do të vazhdojmë në javët në vijim”.

Bislimi u takua dy herë me Lajçakun të martën paradite dhe më pas tha për gazetarët se një takim trepalësh me Petkoviçin dështoi pasi Serbia e “kushtëzoi agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Kosovën”.

“Në agjendë kishte vetëm një pikë, ecja përpara me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Por, u theksua se tema shtesë mund të diskutohen nëse të dyja palët pajtohen. Ne u pajtuam për këtë, por Serbia donte ta kushtëzonte pjesëmarrjen e saj në takim me tema shtesë në agjendë, të cilat nuk ishin të pranueshme për palën kosovare”, tha Bislimi.

Ai nuk shpjegoi se çfarë kërkesash shtoi pala serbe për ta kushtëzuar pjesëmarrjen në takim trepalësh.

Por, kryenegociatori serb, Petkoviç, e akuzoi Bislimin se nuk pranoi të takohet me përfaqësuesit e Beogradit për shkak të insistimit të tij në tema si Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co