Një ditë pas protestës së opozitës në kryeqytet, Sali Berisha doli me një mesazh falënderues ndaj të gjithë qytetarëve që dolën dhe iu përgjigjën thirrjes për mosbindje civile.
Berisha u shpreh se nuk do të ketë paqe nëse në Shqipëria nuk zhvillohen zgjedhje të lira, ndërsa i bëri thirrje kryeministrit Rama që të krijojë qeverinë teknike.
“Nuk duam fitore në tavolinë”- tha Sali Berisha, i cili paralajmëroi edhe forma të tjera të protestës, si ngujime apo greva.
Berisha: Dua ta nis këtë fjalë, me një falënderim nga zemra për të gjithë ata qytetare dhe qytetarë guximtarë, që mbrëmë dhanë leksionin më të mirë se çfarë është opozita. Ata mbrëmë ishin ndërgjegjja e kombit, zëri i njerëzve të heshtur, ishin ndërgjegjja e njeriut të civilizuar që kudo në botë ngrihet kundër padrejtësive, kundër tiranive.
Ata dje ngjanin me Feniksin, në fakt ishin udhëheqësit, ishin prijësi, zoti i kryeqytetit, por dhe i Shqipërisë.
Zoti i madh i bekoftë!
Një falenderim i veçantë për të gjithë ata djem dhe vajza, që mbrëmë iu përgjigjën vjedhjeve se shekullit të inceneratorëve, sterilizimeve, Dubai City-t, parajsës së Edi Ramës, amnistisë së mercenarëve të Skrapit ndaj këtyre krimeve të mëdha, me mosbindje civile.
Një falënderim i madh për gjithë ata burra dhe gra, që mbrëmë iu përgjigjën me mosbindje civile burgosjeve politike të opozitës, proceseve me dëshmitarë të rremë, si në kohërat më të zeza të diktaturës hoxhiste.
Një falënderim për të gjithë ata guximtare dhe guximtarë që mbrëmë iu përgjigjën me mosbindje civile shndërrimit nga Edi Rama të procesit zgjedhor në farsë elektorale, dhe që dje dhanë mesazhin e qartë, se pa zgjedhje të lirë, Shqipëria nuk ka dhe nuk do ketë paqe!
Një mirënjohje të pafundme për të gjithë ata qëndrestare dhe qendrestarë që iu përgjigjën mbrëmë me mosbindje civile zëvendësimit të shtetit ligjor me narkoshtetin e padrinos, zëvendësimin e Kushtetutës së Republikës me Xhaçko-Kushtetutë dhe të parlamentit të vendit me parlamentin e Spirogjokës, zëvendësimin e qeverisë me narkoqeverinë e padrinos dhe të lubive të pangopura, tao-taove të drogës.