Dinamo pëson çdo ndeshje, trajneri Daja fokusohet te mbrojtja! Golat e bluve vijnë nga reparti i avancuar

dinamo peson cdo ndeshje trajneri daja fokusohet te mbrojtja golat e bluve vijne nga reparti i avancuar

Dinamoja e këtij sezoni i ka të gjithë shanset për të arritur diçka, për të qenë në “Final 4” dhe për të luajtur pas shumë vitesh në Europë.

Janë 6 rezultate pozitive radhazi që kanë rritur besimin në kampin dinamovit për të parë një ekip më të mirë në vazhdim. Me atë çfarë kanë treguar javët e fundit, “Nëndetësja”, që është vetëm 1 pikë pas Partizanit të vendit të parë, premton të rigjejë suksesin e munguar prej më shumë se një dekade. Skuadra ka funksionuar përgjithësisht, por ka treguar edhe mangësitë e veta, që trajneri Ilir Daja dhe ndihmësit e tij do të përpiqen t’i eliminojnë para derbit me Tiranën. Nga ajo që duket nga jashtë, një nga problemet kryesore ka të bëjë me golat e shumtë të pësuar. Për pjesën e golave të shënuar ndërkohë bie në sy fakti se te Dinamo kanë realizuar vetëm 4 sulmuesit, me në krye Mandelën.

GOLAT E PËSUAR – Golat sistematikë që Dinamon pëson përbëjnë shqetësimin kryesor për trajnerin Ilir Daja. Edhe në ndeshjen e fundit me Laçin, ku u duk se porta e Edmir Salit nuk do të prekej për herë të parë në këto 8 javë, blutë pësuan një gol në minutën e 7-të shtesë. Dinamo ka pësuar 10 gola në 8 ndeshje, shumë për një skuadër që qëndron në pozita kryesuese. Më shumë kanë pësuar vetëm Teuta, Skënderbeu dhe Bylisi. Është një problem që kërkon zgjidhje dhe trajneri Daja e di shumë mirë, madje e ka pranuar pas ndeshjeve të fundit. Sipas tij, golat e shumtë të pësuar nuk janë një problem vetëm i prapavijës, por i gjithë skuadrës, duke nisur nga sulmi, që duhet të mbajë më shumë topin në zotërim për të lehtësuar punën e mbrojtjes. Me siguri gjatë këtyre dy javëve deri në ndeshjen me Tiranën, fokusi i stafit teknik të bluve do të jetë te kjo pjesë. Nëse konsolidojnë edhe lojën mbrojtëse, kryeqytetasit do të bëheshin një skuadër edhe më e rrezikshme në vazhdim të kampionatit.

GOLAT E SHËNUAR – Interesant është edhe një fakt tjetër te numrat dhe statistikat e deritanishme të Dinamos. Të gjithë sulmuesit e kësaj skuadre kanë shënuar dhe kjo është diçka pozitive, por negativ është fakti se përveç tyre askush tjetër nuk i ka punët mirë me golin. Asnjë mbrojtës dhe asnjë mesfushor i kryeqytetasve nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës në këto 8 javë kampionat, ku janë shënuar 11 gola në total. Kohë ka mjaftueshëm, sepse jemi ende në fazën e parë të kampionatit, por nuk ka nevojë për kaq “fanatizëm” te blutë. Vërtet goli është profesioni i sulmuesit, por edhe golat e lojtarëve të reparteve të tjera e ndihmojnë më shumë skuadrën. Shpërndarja e golave është tregues i një skuadre kompetitive, që gjen zgjidhje në mënyra të ndryshme.

44
44
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →