Kreu i PD-së Sali Berisha ka kërkuar lirimin e protestuesve që u arrestuan pas tubimit të mbrëmjes së djeshme (7 tetor).
Berisha u garantoi se do të jetë me ta deri në momentin e lirimit të tyre, ndërsa theksoi se me protestën e djeshme ishin më shumë njerëz se kurrë.
“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.
Mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush, të cilët mbrëmë ishit më shumë se kurrë, më të fuqishëm se kurrë, më të pamposhtur se kurrë në mosbindjen civile, marshin drejt Tiranës.
Ju me protestën tuaj, me qëndresën tuaj, rezistencën e pamposhtur, mbetët pararendës të mosbindjes civile që do sjellë qeverinë teknike dhe votën e lirë të shqiptarëve.
Të dashur miq, një përshëndetje të përzemërt dua t’u përcjell demokratëve, të cilët narko-komisarët e pabesë i kanë arrestuar, Xhevahir Rrushi, Gentian Tugën, Ilir Tushën dhe Sokol Bushkolën.
I garantoj se PD, demokratët dhe demokratet, mbarë populli opozitar çdo minutë është me ta gjer në lirimin e tyre të plotë.
Qëndrestarë të pafajshëm, që kërkon Edi Rama me terror policor, t’i mposhtë.
Lironi vëllezërit, kjo është thirrja jonë!”, tha Berisha.