Kosova ka zhvilluar sot stërvitjen e radhës në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e parë të këtij muaji në Ligën e Kombeve kundër Lituanisë, që luhet të shtunën në Kaunas. Përzgjedhësi Franco Foda edhe në këtë seancë është përqendruar në aspektet taktike, të cilat synon t’i zbatojë në këtë ndeshje. Aro Muric, për shkak të një lëndimi të lehtë, sërish nuk është përfshirë në stërvitje, ndërsa Leart Paçarada ka marrë pjesë vetëm në pjesën e parë të stërvitjes dhe më pas ka vazhduar me ushtrime më të lehta nën kujdesin e trajnerit të fitnesit. Pas stërvitjes Lindon Emërllahu ka ndarë përshtypjet e tij pas punës tre ditore në këtë grumbullim.
“Besoj se kanë shkuar shumë mirë këto tri ditë të stërvitjeve. Siç po e shihni angazhimi është maksimal nga të gjithë futbollistët. Jemi një grup shumë i mirë. Kemi disa lojtarë me përvojë, e disa të rinj dhe jemi bërë një miks shumë i mirë. Lojën e kemi analizuar çdo ditë. Shpresoj që në këto dy ndeshje të marrim 6 pikë. Por, së pari vëmendja është tek ndeshja e pare të shtunës kundër Lituanisë. Kundër lituanëve pres një angazhim shumë të mire sikurse ndaj Qipros. Me angazhim të tillë dhe disiplinë besoj se do të marrim tri pikë”, tha Emërllahu.
Stërvitja e ardhshme do të zhvillohet nesër në Kampin Nacional në Hajvali, në orën 11:00, derisa pasdite ekipi udhëton për në Kaunas.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co