Duke folur për shkatërrimin e Gazës shkaktuar nga sulmet e Izraelit që nga viti i kaluar, shefi i organizatës kryesore të ndihmës e Kombeve të Bashkuara, Philippe Lazzarini, e ka përshkruar atë si një gjendje pas apokalipsi.
Ai ka thënë për BBC se u janë shteruar fjalët duke u munduar vazhdimisht të përshkruajnë zonën e shkretë që ka mbetur në Gazë, por se nuk po dëgjohen.
“Kemi shteruar fjalorin për t’u përpjekur të përshkruajmë atë që është bërë një zonë e shkretë… një zonë e pajetueshme… Shikoni numrin e civilëve dhe njerëzve që janë vrarë, numrin e punëtorëve humanitarë, punëtorët e UNRWA-s… (të vrarë), niveli i shkatërrimit, numri i herëve që njerëzit janë zhvendosur… Ekziston një lloj atmosfere post-apokaliptike që mbizotëron në Gaza tani”, ka thënë ai.
Të paktën 45 palestinezë janë vrarë në sulmet ajrore të natës në Gaza, kanë thënë mjekët palestinezë të mërkurën, teksa forcat izraelite kanë kryer sulme në kampin e refugjatëve “Jabalia”, në pjesën veriore të enklavës, raportoi Reuters.
Ushtria izraelite tha se sulmi synon ndalimin e luftëtarëve të Hamasit që organizojnë sulme të mëtejshme nga “Jabalia” dhe ta parandalojë rigrupimin e tyre.
Vazhdimisht ka lëshuar urdhra evakuimi për banorët e “Jabalias” dhe zonave përreth, por zyrtarët palestinezë dhe të OKB-së thonë se nuk ka vend të sigurt për të shkuar në Rripin e Gazës.
Shërbimi palestinez i Emergjencës Civile ka thënë se ka marrë raportime të pakonfirmuara se dhjetëra palestinezë mund të jenë vrarë në “Jabalia” dhe zona të tjera të Gazës veriore, por se nuk është në gjendje t’i arrijë për shkak të bombardimeve izraelite.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co