“Ne vazhdojmë të jemi të angazhuar intensivisht për të parandaluar një konflikt më të gjerë në rajon, për të kthyer të gjithë pengjet në shtëpi, për të siguruar ndihmë për banorët e Gazës që kanë aq shumë nevojë për të dhe për t’i dhënë fund konfliktit, për të arritur një zgjidhje diplomatike në Liban, për të mbështetur të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur kundër Iranit dhe grupeve terroriste që ai mbështet, për të gjetur një rrugë për të ndalur ciklin e dhunës dhe ndërmarrë hapa për një Lindje të Mesme më të integruar dhe më të begatë.”
Zoti Blinken foli nga Laosi, ku po merr pjesë në takimin e nivelit të lartë të Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN).
Kryediplomati amerikan theksoi rëndësinë e mbrojtjes së civilëve mes luftimeve në Liban dhe Gazë dhe tha se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara drejtpërdrejt me Izraelin në lidhje me plotësimin e nevojave humanitare të banorëve të Gazës.
Ndërsa Izraeli vazhdon të godasë Hezbollahun në Liban, zoti Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin libanezët që të marrin në dorë kontrollin e vendit të tyre.
“Është e qartë se populli i Libanit është shumë i interesuar që shteti i tij të afirmojë veten dhe të marrë përgjegjësinë për vendin dhe të ardhmen e tij. Ka dy vjet që vendi është pa president. Dhe ka rëndësi për popullin libanez që të ketë një kryetar shteti. Por këtë e vendosin libanezët dhe askush tjetër”, tha zoti Blinken.
Komentet e Sekretarit Blinken vijnë ndërsa Izraeli vazhdon operacionin në Liban. Forcat izraelite qëlluan të premten ndaj një kulle vrojtimi të përdorur nga paqeruajtësit e OKB-së në jug të vendit, duke plagosur dy vetë, tha një burim i OKB-së, dita e tretë me radhë që paqeruajtësit raportojnë për zjarr izraelit ndaj pozicioneve të tyre, ndërsa Izraeli vë në shënjestër Hezbollahun.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co