Dënimi po thellohet për sulmet e Izraelit ndaj paqeruajtësve të OKB-së në Liban, me Italinë, Francën dhe Spanjën që iu bashkuan Forcave të Përkohshme të OKB-së në Liban (UNIFIL) për të shprehur zemërimin.
Ata kanë akuzuar Izraelin për shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar. Presidenti i SHBA Joe Biden nuk shkoi aq larg, ai vetëm i kërkoi Izraelit të mos godiste paqeruajtësit.
Paqeruajtësit janë vendosur në Libanin jugor për të zbatuar një zonë tampon sipas Rezolutës 1701 të OKB-së që ndihmoi në përfundimin e një lufte të përgjakshme njëmujore midis Izraelit dhe Hezbollahut në vitin 2006.
Zëdhënësi i UNIFIL, Andrea Tenenti tha për Sky Neës se ata janë sulmuar katër herë në 48 orët e fundit.
Ja çfarë dimë për sulmet deri më tani.
Dy paqeruajtës nga Sri Lanka u plagosën nga shpërthimet pranë një kulle vëzhgimi në selinë e UNIFIL në qytetin jugor të Libanit, Naqoura.
Njëri prej tyre u dërgua në spital me lëndime të rënda, për të cilat Franca tha se i kishte lënë në gjendje kritike.
Ushtria izraelite tha se ushtarët e saj identifikuan një kërcënim dhe u përgjigjën me zjarr, duke goditur përfundimisht një postë UNIFIL dhe duke plagosur dy paqeruajtësit – dhe se objektivi i synuar ndodhej 50 metra larg.
Në një incident tjetër, një buldozer i ushtrisë izraelite goditi perimetrin e një pozicioni të veçantë UNIFIL ndërsa tanket izraelite lëviznin aty pranë, tha UNIFIL.