Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përcjellë me shqetësim situatën e krijuar ditët e fundit sa i përket furnizimit me ushqim të ushtarëve të FSK-së, ndaj menjëherë ka kërkuar raport të detajuar nga komandanti i FSK-së.
Kështu ka konfirmuar për Telegrafin, Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Osmani. Gjithashtu, ai njoftoi se ka ftuar në takim komandantin e FSK-së dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
“Poashtu i ka ftuar në takim për ta diskutuar këtë çështje edhe më në detaje komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Jashari, por edhe Ministrin e Mbrojtjes Maqedonci. Presidentja angazhohet, brenda kompetencave të saj, në funksion të zgjidhjes së problemit të shfaqur që ndikon pashmangshëm në operacionalitetin e FSK-së, procesin zhvillimor të saj, imazhin dhe integritetin e saj institucional”, ka thënë Kupina.
Ai po ashtu deklaroi se Presidentja Osmani ka kohë që ka bërë propozimin për program shtetëror për mbështetjen e shumëdimensionale të FSK-së që ndikon direkt në rritjen e mirëqenies socio-ekonomike të saj, njëherit edhe motivin e tyre.
Mirëpo, ky program ka nevojë që të ketë mbështetje buxhetore në ligjin për buxhetin e Republikës së Kosovës, i cili propozohet nga Qeveria dhe miratohet në Parlament”, tha ai.
Kupina tha se programi përfshin disa pika:
Programi 7-pikësh përfshinë këto elemente:
1. Pagesa e shtesave në paga për rrezikshmëri.
2. Pagesa e kujdestarisë dhe punës jashtë orarit.
3. Pagesa e mëditjeve për pjestarët e FSK-së gjatë shkollimit dhe trajnimit jashtë vendit (gjatë tërë periudhës së shkollimit apo trajnimit e jo vetëm për 1 muaj).
4. Sigurimi shëndetesor.
5. Funksionalizimi i spitalit ushtarak me shërbime të nivelit sekondar dhe tercial mjekësor.
6. Përmirësimi i cilësisë së ushqimit me standardet me të larta shëndetësore dhe sanitare.
7. Sigurimi i banimit të përballueshëm për ushtarakët dhe familjet e tyre.
8. Krijimi i fondit kreditues për ushtarakët.
Kupina deklaroi se realizimi i këtij programi mbështetës, gjithashtu ndikon në fuqizimin e operacionalitetit të FSK-së, në kohën e tranzicionit e zhvillimit të saj me qëllim të realizimit të detyrave ligjore dhe misionit kushtetues të saj për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror.
“Përgjatë ditëve në vijim, pas takimeve të radhës me institucionet relevante, do të mund t’ju japim më shumë detaje lidhur me këtë çështje”, potencoi ai.
Ndryshe, çështja e furnizimit me ushqim në FSK ka qenë ndër temat kryesore të diskutimit në Kosovës ditëve të fundit.
Nga Ministria e Mbrojtjes të premten deklaruan se të gjitha kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) janë funksionale dhe po shërbehet llojllojshmëri shujtash (ushqime).
Ndërsa, sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, problemi i vetëm është numri i vogël i stafit teknik, duke shtuar se kjo do të rregullohet sapo të mbyllet konkursi për pranimin e stafit profesional vetanak, konkurs ky që është hapur dhe çdo procedurë do të përfundoj në afat prej 45 ditësh.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co