Ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon të marrë jetë të panumërta, Papa Françesku është takuar për herë të tretë në Vatikan me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Sipas Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Papa Françesku foli me presidentin Zelensky për vuajtjet e fëmijëve ukrainas, duke theksuar se shumë prej tyre kanë humbur aftësinë për të buzëqeshur.
Bëhet e ditur se takimi 35 minuta u zhvillua në Pallatin Apostolik të Vatikanit.
Është takimi i tyre i katërt pas një takimi dypalësh më 14 qershor në margjinat e G7 në rajonin e Pulias të Italisë dhe pas takimeve në Vatikan më 13 maj të vitit 2023 dhe para pushtimit të plotë rus të Ukrainës, më 8 shkurt të vitit 2020.
Thirrje për paqe dhe apel për t’i dhënë fund vuajtjeve
Sipas një deklarate tjetër të lëshuar nga Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë, bisedimet në Sekretariatin e Shtetit iu kushtuan “gjendjes së luftës dhe situatës humanitare në Ukrainë”, si dhe “mënyrave që mund t’i jepnin fund luftës duke çuar në një paqe të qëndrueshme në vend”.
Për më tepër, vinte në dukje deklarata, “një numër çështjesh në lidhje me jetën fetare në vend u shqyrtuan gjithashtu”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Më pas, presidenti i Ukrainës u takua me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin dhe Sekretarin e Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, Kryepeshkopin Paul Richard Gallagher.
Në një postim në X pas takimit, Papa Françesku tha: “Të gjitha kombet kanë të drejtë të ekzistojnë në paqe dhe siguri. Territoret e tyre nuk duhet të sulmohen dhe sovraniteti i tyre duhet të respektohet dhe garantohet përmes paqes dhe dialogut. Lufta dhe urrejtja sjellin vetëm vdekje dhe shkatërrim për të gjithë”.
Shkëmbimi i dhuratave
Siç është zakon, të dy liderët shkëmbyen dhurata.
Presidenti ukrainas i dhuroi Papa Françeskut një pikturë vaji, të titulluar “Masakra e Buçës. Historia e Marichka”.
Ndërkohë, Papa Françesku i dha presidentit Zelensky një lule të gdhendur me mbishkrimin “Paqja është një lule e brishtë”.
Afërsi e vazhdueshme me Ukrainën
Papa Françesku ka bërë thirrje të panumërta për t’i dhënë fund luftës dhe vuajtjeve që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia, dhe ka ofruar disponueshmërinë e Selisë së Shenjtë për të ndihmuar në çdo mënyrë për të punuar drejt paqes.
Papa ka dërguar gjithashtu delegatë, ambulanca, pajisje mjekësore dhe ndihma për ukrainasit.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co