Ndërsa aplikacionet për njohje të reja në internet vazhdojnë të gëzojnë popullaritet, disa preferojnë tashmë të takohen nga afër. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Karina Bafradzhian njofton rreth shërbimeve që mundësojnë takimet nga afër për ata që janë në kërkim të një marrëdhënieje të re, apo të një miqësie të re.
Njëzet persona të panjohur për njëri-tjetrin mbërrijnë për darkë në një restorant meksikan në Uashington. Secili kërkon diçka të ndryshme – ndonjëherë një marrëdhënie intime, ndonjëherë një miqësi të re. Takimet u organizuan nga një rrjet komuniteti që quhet “Dinner Table” (“Tryeza e Darkës”).
“Jemi themeluar në qytetin e Nju Jorkut, me premisën që dëshironim t’u jepnim të panjohurve mundësinë për t’u takuar në restorantet e ndryshme të qytetit të tyre”, thotë Tyler Tep, bashkëthemelues i rrjetit “Dinner Table”.
Kjo iniciativë filloi pothuajse një vit më parë dhe tashmë është bërë aq popullore në Nju Jork sa që themeluesit planifikojnë të organizojnë takime të rregullta edhe në Uashington. Pjesëmarrësit, si Kevin Cantarilho, thonë se kjo është saktësisht ajo çfarë iu nevojitet.
“Kam provuar rrjetet Bumble, Hinge, Tinder prej vitesh. Provova kaq shumë opsione të ndryshme dhe doja të bëja diçka krejt të ndryshme. Doja të shkoja në darka festive, të kisha ndërveprimin nga afër, që mendoj se nuk ta ofrojnë dot aplikacionet”, thotë ai.
Ekipi i “Dinner Table” thonë se gratë duken më shumë të interesuara se burrat për takime të tilla nga afër. Mesatarisht 70% e pjesëmarrësve janë gra.
“Përpiqem rishtazi mos të kaloj shumë kohë duke parë telefonin, por ta përqafoj çdo moment dhe të dal më shumë”, thotë Amanda Nicks, një nga pjesëmarrëset.
Shërbime të ngjashme në internet ekzistojnë edhe për vende të tjera. Në vitin 2023, austriaku Klaus Heller futi në përdorim një aplikacion të quajtur “Creative Lunch Club”, që mundëson takimin e njerëzve gjatë pushimit të drekës.
“Drekën e kaloja shpesh i vetmuar në shtëpi, ose në restorant dhe pata idenë që ta shfrytëzonim këtë kohë, kur të gjithë ushqehen, për të takuar njerëz të rinj”, thotë zoti Heller.
Që nga fillimi i kësaj inciative, takime gjatë drekës janë organizuar në pothuajse
100 qytete në Evropë, Shtetet e Bashkuara dhe Australi.
Juristi Damian Jacobs u zhvendos rishtazi nga Hong Kongu për në San Françisko dhe thotë se e vlerëson mundësinë për të takuar njerëz të rinj.
“Njihja vetëm një person në këtë zonë kur u zhvendosa.
Prandaj po kërkoja vërtet për mënyrën se si të takoja njerëz të rinj dhe të krijoja një lloj rrethi shoqëror. Nuk jam i sigurt që ka sjellë ndonjë miqësi të qëndrueshme, por ka qenë një lloj shpërqëndrimi dhe angazhimi social”, thotë ai.
Disa shkencëtarë thonë se kalimi i kohës me njerëz të rinj sjell emocione më pozitive se aplikacionet dhe ka ndikim më pozitiv tek shëndeti mendor.
“Ka një tendencë për t’u mbështetur tek këto aplikacione më shumë se ç’duhet. Njerëzit lodhen rrjedhimisht nga kërkimi në ekrane dhe duke mos krijuar lidhje më të thella”, thotë sociologia Kasley Killiam.
Dhe për ata që frikësohen se mos kanë harruar se si të socializohen – ekipi i rrjetit “Dinner Table” ka përgatitur madje një listë tematikash që mund të përdoren gjatë bisedës, për t’u siguruar që pauzat e pakëndshme të mos dëmtojnë shanset e një miqësie të re./VOA
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co