Procesi i Vetingut po shkon drejt përfundimit jo vetëm si shqyrtim subjektesh, por edhe si mandat i KPK-së, i cili u “lind” më 17 qershor të 7 viteve më parë si domosdoshmëri për të kaluar në sitë të gjithë prokurorët, gjyqtarët dhe njerëzit e drejtësisë.
Në fakt, Komisionin i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë shifra herë pas here në lidhje me procesin, ndërkohë në dhjetorin e këtij viti atyre iu përfundon edhe afati. Në momentet e fundit të këtij procesi, ata njoftojnë se kanë mbetur edhe 6 subjekte për të kaluar në Veting, ndërkohë që ende nuk dihet se si do të jetë pozicionimi i tyre pas përfundimit të procesit.
Në shkurtin e këtij viti, trupa gjyqësore që udhëhoqi Vetingun nëpërmjet kreut të KPK-së kërkoi në institucionet më të larta të shtetit shqiptar që të gjithë gjyqtarët e përfshirë në këtë proces, të përfshihen direkt si gjyqtarë të shkallës së dytë, pra gjyqtarë të Apelit.
PROCESI
Pas 7 vjetësh që nga konstituimi, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit i kanë mbetur për të kaluar në sitë vetëm gjashtë prokurorë e gjyqtarë. Nga 805 magjistratë që KPK pati për detyrë t’u kontrollonte pasurinë, figurën dhe profesionalizmin, tashmë numri i tyre është drejt përfundimit, ndërsa mandati i kësaj trupe gjykuese ka mandat edhe 2 muaj dhe më pas mbyllin misionin për të cilin u zgjodhën. Nga shkurti i vitit 2018 deri në ditët e sotme, KPK, ndryshe Shkalla e Parë e Procesit të Vetingut mësohet se ka konfirmuar gjithsej 368 prokurorë, gjyqtarë e ndihmës ligjorë, ndërkohë që ka shkarkuar, 267 subjekte. Bashkë me të shkarkuarit nga KPK, prej sistemit u larguan përfundimisht edhe 105 prokurorë e gjyqtarë të tjerë, që zgjodhën të jepnin dorëheqjen duke refuzuar të përballen me procesin e Vetingun.
Kështu, sistemit iu krijuan 273 vende bosh, ndërkohë KPK dërgoi sërish në shkollën e Magjistraturës 2 prokurorë për probleme me profesionalizmin dhe pushoi ose doli pa vendim përfundimtar për 57 prokurorë e gjyqtarë, të cilët kishin paqartësi nëse e mbanin ende statusin e magjistratit. Në maj të 2020- s, SPAK njoftoi se kishte marrë nën hetim 10 ishgjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetueses me bazë vendimet e tyre të shkarkimit nga KPK. Për 5 prej tyre, Gjykata e Posaçme ka dhënë vendime dënimi, ka sekuestruar pasurinë, apo është duke i gjykuar për mosdeklarim të pasurisë.
KËRKESA
Në shkurtin e këtij viti, kur KPK kishte plot 6 vjet që kishte nisur ‘gjykimin’ e magjistratëve dhe e kishte të qartë se do ta përfundonte procesin në dhjetor, në kohën kur i përfundonte edhe mandati, kreu i këtij komisioni përcolli shqetësimin dhe pasigurinë e anëtareve të KPK-së dhe të komisionerëve publikë së bashku me këshilltarët ligjorë të dy këtyre institucioneve se çfarë do të ndodhë me ta pas përfundimit të mandatit. Sipas tyre, ligji nuk e ka parashikuar një gjë të tillë, megjithëse ata në detyrë kanë aktualisht të njëjtin status si anëtarët e Gjykatës së Lartë.
Kërkesës, kreu i KPK-së, aso kohe i bashkëngjiti edhe disa relacione ku sugjeronte që pas përfundimit të mandatit, anëtarët e KPK-së të emërohen gjyqtarë të Gjykatës së Apelit për t’i integruar brenda sistemit gjyqësor. Të njëjtën gjë propozuan edhe për këshilltarët ligjorë, të cilët sipas kërkesës, duhej të bëheshin pjesë e sistemit të gjykatës dhe prokurorisë. Madje, në kërkesë specifikohej se për këshilltarët, të cilët kanë ushtruar 5 vjet në KPK të futen në shkollën e Magjistraturës për profilin gjyqtar dhe prokuror pa konkurrim. Ndërsa për këshilltaret që kanë eksperiencë 4 vjet, me pëlqim të tyre, të emërohen hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
/Gazeta Panorama