Kina, stërvitje në shkallë të gjerë pranë Tajvanit

kina stervitje ne shkalle te gjere prane tajvanit
kina stervitje ne shkalle te gjere prane tajvanit

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha të hënën se Kina përdori 125 avionë ushtarakë në stërvitjet rreth ishullit të Tajvanin, një rekord për një ditë të vetme. Zyrtarët e ishullit demokratik thanë se 90 prej avionëve, mes tyre avionë luftarakë, helikopterë dhe dronë, u futën brenda zonës së identifikimit të mbrojtjes ajrore të Tajvanit. Kina nisi stërvitjet ushtarake në shkallë të gjerë të hënën si një paralajmërim kundër pavarësisë së Tajvanit. Zyra e Presidentit të Tajvanit i bëri thirrje Kinës që “të ndërpresë provokimet ushtarake që minojnë paqen dhe qëndrueshmërinë rajonale dhe t’i jap fund kërcënimeve ndaj demokracisë dhe lirisë së Tajvanit”. Manovrat e Kinës u dënuan edhe nga Shtetet e Bashkuara.

Komanda Lindore e Ushtrisë Kineze publikoi një hartë që tregonte nëntë zona rreth Tajvanit, ku zhvilloi stërvitje, shkruan Voa.

Si pjesë e një operacioni të rrallë, roja detare e Kinës rrethoi Tajvanin dhe kreu patrulla që i quajti “ligjzbatuese” pranë ishujve në det të hapur të Tajvanit, sipas mediave shtetërore kineze.

Ministria e mbrojtjes e Tajvanit tha se nuk do të përshkallëzojë situatën në përgjigjen e saj ndaj stërvitjeve ushtarake të Kinës, por ka rritur gatishmërinë dhe po vëzhgon lëvizjet e forcave raketore të Kinës.

“Stërvitjet e paarsyeshme provokuese ushtarake të Ushtrisë së Kinës nuk rrezikojnë sigurinë vetëm në ngushticën e Tajvanit, por ato gjithashtu janë në kundërshtim me frymën e zhvillimit të marrëdhënieve në rajonin e ngushticës së Tajvanit, minojnë seriozisht sigurinë në rajon dhe kërcënojnë rendin ndërkombëtar”, tha Sun Li-Fang, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes në Tajvan.

Këshilli i Tajvanit mbi Çështjet e Politikave ndaj Kinës tha se manovrat e fundit ushtarake të Kinës dhe refuzimi i Pekinit për të hequr dorë nga përdorimi i forcës janë “provokime flagrante”, që minojnë seriozisht paqen dhe qëndrueshmërinë rajonale.

Tajvani i qeverisur në mënyrë demokratike, të cilin Kina e konsideron pjesë të territorit të saj, ka qenë në gjendje gatishmërie në pritje të stërvitjeve ushtarake nga Kina që nga fjalimi i Presidentit Lai Ching-te në ditën kombëtare javën e kaluar, në të cilin ai tha se Kina nuk ka të drejtë të përfaqësojë Tajvanin. Gjatë fjalimit Presidenti Lai Ching-te gjithashtu ofroi të bashkëpunojë me Pekinin.

Përmes një deklarate Departamenti i Shtetit tha se Uashingtoni “është seriozisht i shqetësuar nga stërvitjet ushtarake të ushtrisë kineze në ngushticën e Tajvanit dhe rreth Tajvanit.”

Zëdhënësi Matthew Miller i kërkoi Kinës “të vetëpërmbahet dhe të shmangë çdo veprim të mëtejshëm që mund të dëmtojë paqen dhe qëndrueshmërinë përgjatë ngushticës së Tajvanit dhe më të gjerë në rajon.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →