BE, të dua qëne!

be te dua qene





































NGA FATOS ÇOÇOLI fatoscocoli

Pa dyshim 15 tetori ishte një moment i mirë për ne. Në Luksemburg, qeveria jonë nënshkroi çeljen e negociatave teknike të Shqipërisë për grup-kapitullin e parë të bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Ky grup-kapitull përmban çështje bisedimi si drejtësia, gjyqësori, funksionimi i institucioneve demokratike, reforma e administratës publike, prokurimi publik, statistikat dhe kontrolli financiar. Çështje të quajtura “themeltare(në anglisht “fundamentals”) nga institucionet e Bashkimit Evropian.

Në procesin e integrimit në familjen e përbashkët evropiane ka disa hapa historikë. I djeshmi ishte i tillë. Shënonte fundin e bisedimeve politike me BE-në. Tani integrimin e Shqipërisë nuk mund ta vonojnë as dasitë politike të forcave tona kryesore partiake, as vullnetet populiste të partive në Bashkimin Evropian. Tani ecja është e përcaktuar dhe mund të përshpejtohet. Kemi nisur bisedimet teknike konkrete. Do t’i përfundojmë një ditë ato, do të nënshkruajmë Traktatin e Anëtarësimit dhe pastaj, të 27 vendet anëtare të BE-së do të votojnë unanimisht anëtarësimin tonë.

Hapja praktike e kapitullit të parë në këtë proces ka vërtet një rëndësi historike. Ky hap shënon kalimin e procesit nga niveli politik në atë praktik. Pas ditës së djeshme, asnjë vullnet politik në BE nuk mund të bjerë si Shpata e Damokleut dhe të vonojë apo bllokojë procesin. As edhe hatërmbetjet e forcave tona politike. Keqkuptimet, keqinterpretimet, mosbesimi i theksuar, mungesa e informacionit dhe shikimet vëngër dashakeqe tani i janë lënë koshit të historisë. Edhe shprehjet e stërpërsëritura për 24 vite rresht se “Shqipëria e ka vendin në BE”, që nga takimi i parë nivelit të lartë(samiti) i parë BE-Ballkani Perëndimor në Zagreb në vitin 2000. Jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin kemi dëgjuar fjalë të mira për perspektivën e garantuar në Evropën e Bashkuar.

Ndërkohë përparimi drejt anëtarësimit ka qenë shumë i ngadalshëm. Në fakt, krahasuar me periudhën kohore prej 24 vitesh që ka kaluar, ka qenë një dështim i plotë. Shpesh për shkaqe politike brenda gjashtë vendeve tona të Ballkanit Perëndimor, nuk ka pasur fare lëvizje. Nganjëherë, për interesa politike të vetë BE-së janë bërë disa lëvizje. Por jo të mjaftueshme. Dhe tani, më në fund po nis pjesa praktike e bisedimeve të anëtarësimit edhe për Shqipërinë. Gjithçka këtej e tutje do të varet nga tre faktorë kokëfortë. Së pari, nga gatishmëria e BE-së për të përshpejtuar procesin. Me rrjetin financiar të euros SEPA na përshpejtuan dhe bënë shumë mirë.

Së dyti, nga administrata jonë shtetërore dhe aftësia e saj për përmbushjen e kritereve. Së treti, nga gjithëpëlqimi i brendshëm i forcave politike në Shqipëri. Bisedimet me BE-në bëhen për shtetin dhe qytetarët dhe jo për partitë politike. Ish-Kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader, i cili e anëtarësoi Kroacinë në NATO dhe bëri punën më të madhe përgatitore për integrimin e shpejtë të këtij vendi në BE, sot ndodhet në burg, për influenca të papërshtatshme dhe përfitime në dhënie tenderash qeveritare. Anëtarësimi në BE është interes strategjik kombëtar. Është një dashuri e vjetër dhe e fortë e shqiptarëve për t’u bërë si Evropa, e tipit “të dua, qëne!”.

Dashuri e ashpër, që ka brenda dhe gjithë pezmin, izolimin dhe sakrificat e të konsideruarit si të dorës së dytë në vendet ku qindra mijëra shqiptarë emigruan në vitet 1991-2024, derisa u përshtatën dalëngadalë dhe kanë formuar profilet e tyre jetësore. Është dashuri pa kushte e gjithë shqiptarëve që janë në Shqipëri dhe që shohin se BE në vetëm pesë vitet e fundit 2019-2024 ka dhënë 697 milionë euro në projekte infrastrukturore për zhvillimin e vendit të tyre, si dhe do të japë 423 milionë euro të tjera të katër vitet e ardhshme 2025-2028 vetëm për tri hekurudhat Tiranë-Rinas-Durrës, VorëHani i Hotit dhe Durrës-Rrogozhinë.

Në këtë dashuri sa të kërkuar aq edhe rezistente të shqiptarëve për BE-në, hyn shpresa e fortë e rritjes së nivelit të jetesës së qytetarëve tanë me pranimin në familjen e madhe të bashkuar evropiane. Njëlloj sikurse ky nivel jetese iu dyfishua polakëve në 20 vjet anëtarësim, apo iu shtua me 45 për qind kroatëve në dhjetë vjet, apo me një të tretën bullgarëve e me 30 për qind rumunëve. Evropa e Bashkuar, BE-ja është standard jetese, respekt për shtetin ligjor dhe e ardhme e garantuar. Prandaj dhe e duam kaq fort dhe do të bëjmë çdo gjë për t’u futur sa më shpejt në gjirin e saj. Që të gjithë, pozitë, opozitë, media dhe shoqëri civile.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →