Vrasja e liderit të Hamasit! Nga vëllai te zëvendësi i tij, kush janë emrat që pritet të jenë pasardhës të Yahya Sinwar

vrasja e liderit te hamasit nga vellai te zevendesi i tij kush jane emrat qe pritet te jene pasardhes te yahya sinwar





































Izraeli arriti të mërkurën misionin e tij njëvjeçar për të vrarë liderin e Hamasit, Yahya Sinwar, njeriun e akuzuar si një nga organizatorët e sulmeve të 7 tetorit 2023.

Yahya Sinwar

Por, ndërsa vdekja e Sinwar është një goditje e madhe për Hamasin, ajo nuk sinjalizon vdekjen e menjëhershme të grupit. Hamasi është zotuar të vazhdojë luftimin, duke thënë se vrasja e liderëve, përfshirë Sinwar, nuk do të thotë fundi i lëvizjes së tyre.

Është e paqartë nëse vetë Sinwar ka lënë ndonjë udhëzim se kush duhet ta zëvendësojë atë, por vëllai i tij më i vogël, Mohammed Sinwar, shihet nga shumë si trashëgimtari i tij. Ashtu si vëllai i tij, Mohamedi është një militant i linjës së ashpër, i cili kohët e fundit u bë komandant ushtarak i Hamasit.

Fati i Mohammed Sinwar aktualisht nuk dihet. Mediat izraelite raportuan të premten se një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) tha se ata po e kërkojnë. Një zyrtar i lartë izraelit tha për CNN se dy vëllezërit kaluan pjesën më të madhe të vitit të kaluar krah për krah dhe ishin së bashku deri në gusht.

Mousa Abu Marzouk, zëvendës-shefi i byrosë politike të Hamasit që ndihmoi në themelimin e Hamasit, mund të jetë gjithashtu një pretendent për t’u bërë zëvendësuesi i Sinwar. Ai kaloi pesë vjet duke jetuar në Shtetet e Bashkuara përpara se FBI ta caktonte atë si terrorist. Ai përfundimisht u deportua.

Edhe Khaled Meshaal, ish-shefi politik i grupit, shihet gjithashtu si një pretendent i fuqishëm për këtë rol. Meshaal është i njohur ndërkombëtarisht, pasi është takuar me zyrtarë të lartë, duke përfshirë ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara Jimmy Carter, Mbretin e Jordanisë Abdullah II dhe Udhëheqësin Suprem të Iranit Ayatollah Ali Khamenei në të kaluarën. Megjithatë, ai mund të përballet me vështirësi lidhur me mbështetjen e tij.

Zëvendësi i Sinwar, Khalil Al Hayya shihet si një tjetër pretendent i fuqishëm për këtë rol. Ai veproi si kryenegociatori për Hamasin gjatë bisedimeve të fundit të armëpushimit në Kajro dhe është i vendosur në Katar.

Si Meshaal ashtu edhe Al Hayya kanë qenë ndër zyrtarët më të lartë të Hamasit për shumë vite. Dhe të dy kanë qenë objektiva të atentateve izraelite në të kaluarën. Në vitin 1997, agjentët izraelitë të Mossad-it të paraqitur si turistë kanadezë spërkatën një substancë helmuese në veshin e Meshaal. Incidenti u publikua gjerësisht pasi agjentët e shërbimit të inteligjencës izraelite u kapën në Jordani.

Izraeli ka vrarë liderët e mëparshëm të Hamasit. Në vitin 2004 ata vranë themeluesin e Hamasit  Sheikh Ahmed Yassin . Disa javë më vonë, pasardhësi i tij Abdel Aziz Rantisi u vra.

Ndërsa Hamasi ka arritur gjithmonë “të shërohet” nga vrasjet e shumta të udhëheqjes së tij, është e vështirë të thuhet se si ata do të rigrupohen tani, duke pasur parasysh se si struktura organizative e Hamasit ndryshoi nën sundimin e Sinwar.

Sinwar kishte konsoliduar pushtetin gjatë luftës, duke u bërë vendimmarrësi i vetëm i Hamasit në Gaza pas vrasjes së dy zyrtarëve të tjerë të lartë të Hamasit atje.

Mohammed al-Masri, i njohur gjerësisht si Mohammed Deif, ishte komandanti i krahut ushtarak të Hamasit, Brigadave Al-Qassam, dhe u vra në një sulm ajror izraelit në korrik. Sipas ushtrisë izraelite, zëvendësi i Deif, Marwan Issa, u vra në mars, por Hamasi nuk e pranoi kurrë vdekjen e tyre.

Sinwar u bë udhëheqësi më i lartë i Hamasit pas vrasjes së Ismail Haniyeh në kryeqytetin iranian Teheran në korrik. Irani fajësoi Izraelin për vrasjen, ndërsa Forcat e Mbrojtjes së Izraelit nuk e komentuan akuzën.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →