Shqipëria në Ligën e Kampionëve

shqiperia ne ligen e kampioneve





































NGA DEMUSH SHASHA DEMUSH SHASHA

Shqipërisë i është dhënë shansi i merituar që t’i bindë vendet anëtare të BE-së se meriton të jetë “frontrunner” i ri në procesin e zgjerimit. Tani Shqipëria është në udhëkryq: a do të jetë ajo Kroacia e re dhe storie e frymëzimit, apo Maqedonia Veriore e re dhe shembull i shanseve të humbura? Këto ditë Edi Rama ishte politikani më proevropian në rajonin tonë. Me buzëqeshje, humor të mirë dhe plot lëvdata për Bashkimin Evropian, ai e vizitoi Luksemburgun me qëllim të hapjes së negociatave të anëtarësimit në kapitujt më të rëndësishëm negociatorë. Aq i entuziazmuar ishte Rama, për nisjen e negociatave, saqë brenda pak orësh postoi shtatë herë në rrjetin social “Facebook” për këtë “moment historik”, siç e quajti.

Ky ishte një Rama radikalisht ndryshe nga ai Rama, i cili para pak kohësh e kërcënonte BE-në me bojkotim të pjesëmarrjes në samitet evropiane. “Kidnapim”, “mashtrim”, “turp” dhe “impotente” ishin termet që zgjidhte Rama për ta përshkruar BE-në, jo shumë kohë më parë. Por, për këtë ndoshta edhe duhet ta falim Ramën. Frustrimi i Ramës ishte i arsyeshëm. Mllefi i tij ndaj BE-së ishte klithmë dëshpërimi. Prej kohësh Shqipëria i kishte përmbushur kushtet për nisjen e negociatave të anëtarësimit dhe BE-ja në vazhdimësi gjente arsye për të mos e bërë një gjë të tillë. Kësisoj, Shqipëria dhe Rama përjetuan në lëkurë të tyre atë që ne e kemi përjetuar me liberalizimin e vizave. Sidoqoftë, pushtimi rus i Ukrainës e ktheu vëmendjen e BE-së ndaj zgjerimit dhe kësisoj Kosova përfitoi nga liberalizimi i vizave, ndërsa Shqipëria më në fund i filloi negociatat e anëtarësimit. Nisja e negociatave të anëtarësimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian është akt i vonuar i BE-së, por akt plotësisht i merituar i Shqipërisë. Them i vonuar i BE-së, sepse përveçse Shqipëria kishte përmbushur qëmoti të gjitha kriteret për nisjen e negociatave, ajo njëkohësisht e ka potencialin për të qenë storie e re e suksesit në rajonin tonë, në kuadër të procesit të zgjerimit.

Qysh nga koha e anëtarësimit të Kroacisë në BE në vitin 2013, rajoni ynë nuk ka pasur një storie suksesi. Shqipëria, nga ana tjetër, duke mos pasur asnjë problem të thellë politik siç janë çështje identitare, fetare apo çështje të hapura të fqinjësisë, i përmbush të gjitha parakushtet për të qenë storie e re e suksesit në rajonin tonë dhe shembull motivimi për vende të tjera të rajonit. E gjithë çfarë ajo ka nevojë është motivim dhe mbështetje nga ana e BE-së. Ky motivim në formën e nisjes së negociatave këtë javë, ndonëse akt i vonuar, është hap në drejtimin e duhur. Nga ana tjetër, Shqipëria në më shumë se një dekadë ka treguar se ka potencial për ta transformuar veten me shpejtësi drejt të qenit një vend i denjë për anëtarësim në BE. Në kuptimin politik, proceset zgjedhore në Shqipëri, ndonëse me probleme të ndjeshme, vazhdojnë të përmbushin standardet e zgjedhjeve të lira dhe të drejta.

Në fushën e sundimit të ligjit, Shqipëria pranoi t’i nënshtrohej eksperimentit të paprecedent të “vettingut”, duke i ndërtuar nga zeroja institucionet e reja të drejtësisë. Përkundër vogëlsisë së saj, Shqipëria e ndërtoi një posturë të respektueshme ndërkombëtare. Ajo i kryesoi OSBE-në dhe Këshillin e Sigurimit, ndërsa Tirana u bë mikpritëse e rregullt e samiteve evropiane. Shqipëria e negocioi marrëveshjen e paprecedent të strehimit të azilkërkuesve me Italinë, duke e vendosur veten në epiqendër të diskutimit evropian për zgjidhjen e sfidës së migrimit. Bregdeti shqiptar u bë nikoqir i rregullt i stërvitjes më të madhe ushtarake të NATO-së “Defender Europe” dhe destinacion i investimeve të mëdha ndërkombëtare – nga fonde arabe e deri te dhëndri i Trumpit. Gjatë qeverisjes së Ramës u dyfishua buxheti i shtetit, u dyfishuan bruto produkti vendor dhe paga mesatare, ndërsa u trefishua paga minimale.

Turizmi shënoi rritje eksponenciale, duke kaluar nga 1 milion turistë në vitin 2013 në 10 milionë turistë në vitin që e lamë pas. Sidoqoftë, piktura e Shqipërisë nën qeverisjen Rama nuk është e gjitha rozë. Pluraliteti politik në Shqipëri pothuajse ka vdekur. Mazhoranca ka bërë çdo gjë për të parandaluar konsolidimin e opozitës deri në atë masë, saqë sot Shqipëria është i vetmi vend evropian ku lideri i opozitës është nën arrest shtëpiak. Para pak kohësh, përfaqësuesi i minoriteteve në qytetin e Himarës, i cili e pengoi fitoren e mazhorancës, u arrestua dhe u dënua nën një proces thellësisht të dyshimtë. Tani së fundi, nën po të njëjtin skenar u arrestua dhe u dënua njëri nga eksponentët kryesorë të opozitës. Nuk ka raport ndërkombëtar, i cili nuk e konfirmon ekzistencën e korrupsionit të nivelit të lartë brenda institucioneve publike dhe lidhjen e fortë në mes të pushtetit dhe krimit të organizuar. Por përkundër kësaj, duke e shikuar pikturën e madhe, sot Shqipëria është një vend më i mirë dhe më i mbarë se para dhjetë vjetësh. Këtë e pranojnë edhe armiqtë më të ashpër të Ramës.

Dhe ndonëse Shqipëria është në rrugën e duhur, shpejtësia dhe cilësia e reformave janë të pamjaftueshme. Këtë e pranon edhe vetë Rama. Dhe kjo është pikërisht përse nisja e negociatave me BE-në është lajmi i mirë. Tani Shqipëria është në “Ligën e Kampionëve”, nëse e kisha huazuar një analogji të vrazhdë. Duke qenë tani pjesë e një kampionati elitar, nga Shqipëria do të kërkohet një cilësi dhe shpejtësi krejtësisht tjetër e reformave për të dëshmuar se është e denjë për anëtarësim në BE. Shqipëria më nuk është në Ligën B. Dhe përderisa ky momentum i nisjes së negociatave të anëtarësimit është patjetër lajm i mirë për Shqipërinë, duhet pasur parasysh se ky është vetëm fillimi i rrugëtimit evropian të Shqipërisë. Dhe në këtë rrugëtim, suksesi nuk është i garantuar. Në fakt, shumë lehtë dhjetë vjet nga sot do të kthejmë kokën mbrapa për të kujtuar këtë momentum të sotëm si një tragjedi dhe shans i humbur. Merreni shembull Maqedoninë e Veriut.

Maqedonia e Veriut ishte pionier i procesit integrues të rajonit tonë. Shumë para vendeve të tjera, Maqedonia e Veriut u bë vendi i parë që e negocioi dhe e nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Më 9 prill 2001, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Ljubqo Georgievski, Chris Patten, komisioner i BE-së për Punë të Jashtme dhe Anna Lindh, ministre e Jashtme e Suedisë në cilësinë e Presidencës së BE-së, pikërisht në Luksemburg e festuan – sikurse Rama sot – momentumin “historik” të Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në BE. Që nga ajo kohë ky “momentum historik” u bë tragjedi dhe shembulli i shanseve të humbura në proces të zgjerimit. Dhe Maqedonia e Veriut nuk është përjashtim. Shikojeni Gjeorgjinë. Por siç nuk është i garantuar suksesi, nuk është i garantuar as dështimi. Shqipërisë i është dhënë shansi i merituar që t’i bindë vendet anëtare të BE-së se meriton të jetë “frontrunner” i ri në procesin e zgjerimit. Tani Shqipëria është në udhëkryq: a do të jetë ajo Kroacia e re dhe storie e frymëzimit, apo Maqedonia Veriore e re dhe shembull i shanseve të humbura.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →