Moldavët votojnë për presidentin dhe për rrugën drejt BE-së ndërsa shtohen pretendimet për ndërhyrje ruse

moldavet votojne per presidentin dhe per rrugen drejt be se ndersa shtohen pretendimet per nderhyrje ruse





































Moldavët po marrin pjesë në dy palë votime thelbësore të dielën që mund të përcaktojnë nëse vendi fqinj i Ukrainës, kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, do të mbetet në rrugën pro-perëndimore mes akuzave të vazhdueshme se Rusia është vënë në përpjekje të dëmtojë procesin zgjedhor.

moltavi

Presidentja aktuale Maia Sandu, është favorite për të siguruar një mandat tjetër në një garë presidenciale në të cilën konkurrojnë 11 kandidatë. Votuesit do të votojnë me “po” ose “jo” në një referendum për të vendosur nëse do të përfshihet në kushtetutën e vendit rruga e tij drejt Bashkimit Evropian.

Anketat e institutit WatchDog me seli në Kishinau tregojnë se një shumicë e qartë prej mbi 50 për qind mbështesin rrugën drejt BE-së.

Qendrat e votimit që u hapën në orën 7 të mëngjesit do të qëndrojë të hapura deri në orën 21, sipas kohës lokale.

Nëse zonja Sandu nuk arrin të fitojë një shumicë të plotë të dielën, një balotazh do të mbahet më 3 nëntor, i cili mund ta vendosë atë përballë kandidatit Alexandr Stoianoglo, një ish-prokuror i përgjithshëm miqësor ndaj Rusisë.

Votimet mbahen mes pretendimeve të vazhdueshme të autoriteteve moldave se Moska ka intensifikuar një fushatë të “luftës hibride” për të destabilizuar vendin dhe për të dëmtuar rrugën e tij drejt BE-së. Akuzat përfshijnë financimin e grupeve opozitare pro-Moskës, përhapjen e dezinformatave, ndërhyrjen në zgjedhjet lokale dhe mbështetjen e një skeme të madhe të blerjes së votave.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare amerikane John Kirby, u bëri jehonë këtyre shqetësimeve këtë javë, duke thënë në një deklaratë se “Rusia po punon në mënyrë aktive për të dëmtuar zgjedhjet në Moldavi dhe integrimin e saj evropian”. Moska ka mohuar vazhdimisht se po ndërhyn në Moldavi.

“Në muajt e fundit, Moska ka ndarë miliona dollarë për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të Moldavisë”, tha zoti Kirby. “Ne vlerësojmë se këto para kanë shkuar për financimin e partive të saj të preferuara dhe përhapjen e dezinformatave në mediat sociale në favor të fushatave të tyre”.

Në fillim të tetorit, policia moldave tha se kishte zbuluar një skemë masive të blerjes së votave të organizuar nga Ilan Shor, një oligark pro-rus në mërgim që aktualisht banon në Rusi, i cili pagoi 15 milionë euro për 130,000 individë, për të dëmtuar fletët e votimit.

Ilan Shor, i cili u dënua në mungesë vitin e kaluar për rolin e tij në vjedhjen e 1 miliard dollarëve nga bankat moldave në vitin 2014, mohoi akuzat, duke thënë se “pagesat janë të ligjshme” dhe iu referua “lirisë së shprehjes”. Partia e tij populiste, miqësore me Rusinë, u shpall jokushtetuese vitin e kaluar dhe u ndalua.

Të enjten, autoritetet moldave zbuluan një tjetër komplot në të cilin më shumë se 100 të rinj moldavë u trajnuan në Moskë nga grupe ushtarake private se si të krijonin trazira civile rreth votimeve. Disa morën pjesë gjithashtu në “trajnime më të avancuara në kampet guerile” në Serbi dhe Bosnje, tha policia dhe katër persona u ndaluan për 30 ditë.

Një qeveri properëndimore është në pushtet në Moldavi që nga viti 2021, një vit pasi zonja Sandu fitoi zgjedhjet presidenciale. Zgjedhjet e reja parlamentare do të mbahen vitin e ardhshëm.

Moldavia, një ish-republikë sovjetike me një popullsi prej rreth 2.5 milionë banorësh, paraqiti kërkesën për t’u anëtarësuar në BE pas agresionit të Rusisë në Ukrainë me 24 shkurt të vitit 2022 dhe iu dha statusi i kandidatit atë verë, së bashku me Ukrainën. Brukseli ra dakord në muajin qershor për të nisur negociatat e anëtarësimit./VOA

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →