Të tjera detaje kanë dalë në lidhje me arrestimin e ish deputetit të PS, Jurgis Çyrbja një ditë më parë me urdhër të SPAK.
Mësohet se personazhë të botës së krimit kanë ndikuar që Jurgis Çyrbja të ishte në listën e sigurt të kandidatëve për deputetë. Bisedat mes tyre janë zhvilluar në 2020 në aplikacionin Sky Ecc.
Ndërkohë bashkë me Çyrben në pranga është vënë edhe një person tjetër, Ahme Masha. Ndërsa një i tretë u shpall në kërkim.
Bëhet fjalë për Altin Hajrin, një emër i njohur i botës së krimit. Raportohet se ky i fundit ka ndërhyrë që Jurgis Çyrbja të ishte i treti në listën për deputet.
EDMOND KOÇI
Në biseda del edhe Edmond Koçi, i njohur si Mond Çekiçi, tashmë i ekzekutuar.
Edmond Koçi, ish-anëtar i bandës së Durrësit, i njohur ndryshe si “Mond Çekiçi” u ekzekutua me armë zjarri në 20 mars 2021.
Autorët kanë qenë dy, të kamufluar me veshje ushtarake dhe të maskuar me shall e kapuç. Makina e autorëve një tip “Benz ” i zi kishte bllokuar rrugën në pritjet të arritjes së makinës me të cilën udhëton te Çekiçi, të cilin e kanë ekzekutuar me breshëri të shtënash, një skenë që ka zgjatur rreth 20-30 sekonda.
“Mond Çekiçi”, konsiderohej nga policia e Durrësit si person me rrezikshmëri, pasi jo vetëm që ishte pjesë përbërëse e një klani kriminal në Durrës, por ai rezultonte të jetë dënuar disa herë për akuzën e mbajtjes pa lejë të armëve dhe kundërshtimit të forcave të policisë. Në muajin maj 2009 Edmond Koçi, u dënua me 2 vite burgim për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve”.