Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se “me ata që nuk paguajnë sigurimet shoqërore do të sillemi njësoj si me ata qe s’paguanin energjinë”
Kreu i qeverisë bëri paralajmërimin gjatë një bashkëbisedimi me pensionistët, ku theksoi se “jemi tek aty ku ishim me energjinë elektrike, ku 50% e popullit paguante edhe për ata që nuk paguanin”.
Por kryeministri thekson se “me të gjithë ata që i shmangen detyrimit për të paguar për pensionet tuaja ne do të sillemi njësoje si me ata që s’paguanin energjinë”, duke shtuar “ndryshe si do të dalin këto”.
“Jemi tek aty ku ishim me energjinë elektrike, 50% e popullit paguante edhe për ata që nuk paguanin, kur morëm detyrën ishim në prag të kolapsit energjetik.
Jemi në kohën kur me të gjithë ata që i shmangen detyrimit për të paguar për pensionet tuaja ne do të sillemi njësoje si me ata që s’paguanin energjinë. Ndryshe si do të dalin këto”, tha Rama.
Kreu i qeverisë foli edhe për indeksimin me 4.1% të pensioneve, teksa theksoi se të moshuarit “u përmbytët nga lumenjtë e helmit, që i derdhin të gjithë ata që derdhin lot krokodili për ju”.
Ai theksoi se pati përpjekje për të manipuluar me ndjenjat e pensionistëve.
Edi Rama: Kur u indeksua pensioni me 4.1% ju u përmbytët nga lumenjtë e helmit, që i derdhin të gjithë ata që derdhin lot krokodili për ju.
Por keni jetuar gjatë për ti njohur të gjithë, e dini se çfarë kam bërë për ju kur kishim mundësi të bënim, ashtu sikundër i ndjeni me erë ata që shfaqen me fytyra të reja por janë vazhdim i atyre të vjetra.
Njësoj është përpjekja për të manipuluar ndjenjat e pensionistëve me përralla që nuk rrinë as në qiell as në tokë.
4.1 % nuk ka lidhje me atë që ne jemi angazhuar për të filluar për të përfshirë pensionistët në ekonominë që rritet, ishte thjesht një indeksim ligjor, nuk varet nga dëshira jonë, nuk kemi të drejtë që ndërhyjmë të bëjmë 4 në 7. Ai 4,1% në pamje të parë nuk është asgjë, është direkt 100 mln euro, që janë shtesë në fondin e përgjithshëm të pensioneve.
Fondi i përgjithshëm i pensioneve, i mundojnë aktualisht rreth 500 mln euro, për të pasur mundësi të kemi pensione më të larta.
Këto 500 mln euro qeveria i nxjerr nga buxheti dhe i kalon tek pensionistët, këtyre do ti shtohet edhe 100 mln të tjera vitin tjetër nga ai 4,1%.
Këtu shifrat janë marramendëse kur i shohim në kontekstin e përgjithshëm të buxhetit dhe kur shohim numrin e rritur të pensionistëve.
Disa i bien shkurt, thonë ulini rrogat deputetëve dhe jepjani pensionistëve, shkon me atmosferën e krijuar që mirë gjithë dita u kalon me nipa e mbesa, nuse e dhëndurë, por ju duhen dhe ata në fund të ditës që ju dalin në TV dhe ua bëjnë ditën natë, Është komplet absurd, ata që marrin rroga më të larta paguajnë më shumë për pensionet çdo muaj, japin kontribut për pensionet, pensionet mbulohen me ato kontribute. Taksat nuk paguhen për pensionet.