Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin është duke organizuar një samit për të dëshmuar që presioni i Perëndimit dhe sanksionet e vëna ndaj tij e Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, nuk po kryejnë punë.
Në qytetin e Kazanit këtë javë, Putini do t’i presë më shumë se 20 liderë shtetesh në samitin e BRICS-it për ekonomitë në zhvillim.
Në mes të liderëve të ftuar janë Xi Jinping i Kinës, kryeministri i Indisë Narenda Modi dhe presidenti i Iranit Masoud Pezeshkian, shkruan BBC.
Kremlini e ka cilësuar ngjarjen si ndër më të mëdhatë në politikën e jashtme të Rusisë.
“Mesazhi i qartë është se përpjekjet për ta izoluar Rusinë kanë dështuar”, mendon Chris Weafer, themelues i kompanisë konsulente “Macro-Advisory”. “Është pjesë e rëndësishme e mesazhit nga Kremlini që Rusia po u reziston sanksioneve. E dimë se ka të çara të theksuara nën sipërfaqe. Por në nivel gjeopolitik, Rusia i ka këta miq dhe të gjithë do të jenë partnerë të Rusisë”.