Emigrimi i paligjshëm, Agjencia Evropiane e Kufirit: Bie numri i lëvizjeve drejt BE-së përmes rrugëve të Ballkanit Perëndimor

emigrimi i paligjshem agjencia evropiane e kufirit bie numri i levizjeve drejt be se permes rrugeve te ballkanit perendimor





































Sipas të dhënave të Agjencisë Evropiane të Kufirit dhe Rojës Bregdetare (FRONTEX), e ashtuquajtura “Rruga e Ballkanit Perëndimor”, që përfshin edhe Shqipërinë, këtë vit shënoi uljen më të madhe të emigrantëve të parregullt, krahasuar me të gjitha rrugët e tjera kryesore të migrimit drejt Bashkimit Evropian.

eee

Sipas FRONTEX në nëntë muajt e këtij viti janë regjistruar rreth 17 mijë raste të emigrimit të parregullt në rrugën e Ballkanit Perëndimor, një rënie prej 79% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Pjesa më e madhe e emigrantëve të parregullt të evidentuar kanë qenë nga Siria, Turqia dhe Afganistani.

Sipas FRONTEX edhe numri i kalimeve të parregullta kufitare në Bashkimin Evropian nga të gjitha rrugët e migrimit të parregullt ra me 42%, në rreth 166 mijë raste në nëntë muajt e parë të këtij viti.

Rruga e Mesdheut Qendror regjistroi një rënie prej 64% në kalimet e parregullta kufitare, ndërsa kufiri tokësor lindor dhe rruga përmes Afrikës Perëndimore panë rritjet më të larta, përkatësisht me 192% dhe 100% të kalimeve të emigrantëve të parregullt drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Tre vendet kryesore të origjinës së emigrantëve të parregullt që kanë synuar vendet e Bashkimit Europian, sipas të dhënave të FRONTEX, janë Siria, Mali dhe Ukraina.

FRONTEX tha se mbi tre mijë oficerë dhe personel janë vendosur në të gjithë Evropën, përfshirë dhe Shqipërinë për të ndihmuar në menaxhimin e kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian.

Sipas Analizës Strategjike të Riskut që FRONTEX publikoi pak kohë më parë për vitin 2024 “rrugët kryesore migratore, si ajo e Mesdheut Lindor, Qendror dhe Perëndimor dhe rruga e Afrikës Perëndimore, ka gjasa të ruajnë prurjet migratore të parregullta në të njëjtat përmasa edhe për vitet e ardhshme”.

Ndërkohë sipas analizës së FRONTEX, Ballkani Perëndimor, ndërsa ka shënuar rënie të ndjeshme në migrimin e parregullt, “vazhdon të jetë një rajon tranzit për trafikun e llojeve të ndryshme të drogës, të kontrabanduara ose të prodhuara në Evropë si kokaina, hashashi dhe droga sintetike”.

“Sekuestrimi i qindra tonëve drogë nga zbulimin i komunikimeve të koduara dhe mijëra arrestime në mbarë botën, treguan sipas Frontex një pamje alarmante të përmasave të krimit të lidhur me drogën në vitet e fundit”.

“Rrjetet e trafikut të drogës janë bërë më agresive, duke shfrytëzuar çdo mundësi për të bërë një fitim të shpejtë duke ofruar sasi gjithnjë e më të mëdha”, thuhet në analizën e Frontex.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →