Sekretari i Përgjithshëm Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, rikujtoi sot në konferencën për shtyp, momentin e arrestimit të kreut të PL-së, Ilir Meta.
Blushi tha se në rast se në makinën që udhëtonte Meta do të kishte punonjës të Gardës Republike, aty do të kishte gjakderdhje.
Tedi Blushi: “Presidenti i Partisë së Lirisë, z.Ilir Meta është sot i burgosur politik vetëm për shkak të qëndrimeve të tij shumë të drejta, të qarta, të vendosura dhe parimore institucionale, politike, patriotike dhe qytetare në mbrojtje të interesit kombëtar dhe sovranitetit të Republikës së Shqipërisë, të shtetit ligjor, të çështjes së Detit dhe të mbrojtjes së pakompromis të kufijve të Kosovës, kundër “Ballkanit të Hapur”, si dhe për shkak të denoncimit të vendosur dhe të pakompromis, me guxim dhe kurajë, të inkriminimit dhe korrupsionit skizofrenik të Edi Ramës, Narkoshtetit dhe Narkodrejtësisë.
Partia e Lirisë duke shprehur qartësisht solidaritetin dhe mbështetjen e plotë dhe shumë të vendosur me Presidentin e burgosur politikisht, z.Ilir Meta, vijon me intesitet të lartë aktivitetin politik nën drejtimin dhe lidershipin e Tij pavarësisht gjendjes së tij juridike.
Partia e Lirisë është më e vendosur se kurrë të intensifikojë shumëfish aksionin e saj politik dhe në terren për denoncimin e krimeve dhe korrupsionit skizofrenik të Narkoshtetit, për t’i ofruar një alternativë mirëqeverisjeje, të drejtë e humane të gjithë shqiptarëve nëpërmjet 5 Prioriteteve të saj për 4 milion shqiptarë plus.
Edi Rama dhe Katicat e tij kanë kaluar tashmë çdo vijë të kuqe ndaj e vetmja alternativë për Partinë e Lirisë dhe opozitën e vërtetë mbetet përballja dhëmb për dhëmb dhe pa mëshirë me ta dhe Narkoshtetin.
Ka pasur një skenar ogurzi destabilizues për eliminimin e tij fizik nga banda e armatosur terroriste nën urdhrat personale të Edi Ramës. Në rast se në makinën që udhëtonte Meta do të kishte punonjës të Gardës Republike aty do të kishte gjakderdhje, sepse banda terroriste mori pjesë qëllimisht në këtë aksion me përfaqësues më të rrezikshëm të maskuar me çorape në kokë dhe sigurisht me makina pa logo policie dhe të pajisur e armatim të rëndë ndaj Metës. Besoj se jeni në dijeni të dhunës fizike të ushtruar ndaj zotit Meta…Dua të ndalem në urdhrin terrorist nga Edi Rama, jemi gati të vrasim edhe për miqtë ky është urdhër terrorist për asgjësimin fizik të kundërshtarëve të Edi Ramës. Edi Rama në rast se Metës i ndodh gjë në burg Rama do të mbajë përgjegjësi personale.”
Seanca gjyqësore ndaj kreut të Partisë së Lirisë dhe ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi përfundoi rreth orës 18:00, pas disa orësh përplasje mes Metës dhe gjyqtarëve.
GJKKO rikonfirmoi masën arrest me burg për Ilir Metën dhe masën detyrim paraqitje për Monika Kryemadhin.
Gjithashtu mësohet se GJKKO rikonfirmoi masën detyrim paraqitje për Ema Çokun, ndërsa ka ndryshuar masën për Pirro Xhixhon, për të cilin është vendosur masa “detyrim paraqitje” nga arrest shtëpie që ishte.
Ish-presidenti ka kaluar dy netë në bllokun e sigurisë tek Mine Peza dhe pas seancës së sotme në GJKKO, ku ndodhet për konfirmimin e masës së sigurisë, do të dërgohet në qelitë e paraburgimit.
Kreu i Partisë së Lirisë u arrestua ditën e hënë për akuzat korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Për të njëjtat vepra penale akuzohet dhe Kryemadhi. Sot para Gjykatës dolën Pirro Xhixho dhe Ema Çoku.
Ish-presidenti Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë në opozitë, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për tre çështje korrupsioni; për dosjen e njohur si CEZ-DIA, për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influencës së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive me një biznesmen që SPAK e identifikon me inicialet S.M, në emër të të cilit është marrë përsipër ndryshimi i një ligji në Kuvendin e Shqipërisë.