Ka përfunduar takimi i presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen me Kreun e Shtetit, Bajram Begaj, duke mbyllur kështu edhe vizitën në Shqipëri.
Mësohet se në fokus të takimit ka qenë integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Vizita e Presidentes së KE në Tiranë erdhi vetëm pak ditë pasi Shqipëria hapi grup kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim në BE.
“Ne hapim derën tonë të tregut të përbashkët të BE-së për partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor, pra kompanitë e Ballkanit Perëndimor në sektorë të caktuar”– u shpreh Presidentja e Komisionit Evropian gjatë konferencës me kryeministrin Rama një ditë më parë.
Ajo shtoi se “partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor po vënë më zbatim reforma të rëndësishme dhe këto reforma mbështeten nga ne”.
Vizita e Von der Leyen është pjesë e turit të Ballkanit Perëndimor me fokus paketën e BE-së për rritje dhe reforma në rajon, e cila përfshin ndihmë financiare prej 6 miliardë euro për këto vende.
Këtë të mërkurë, Komisioni Evropian miratoi planin e rritjes dhe pritet të nisin pagesat e para nga paketa 6 miliardë euro për Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.