Juvja pësoi humbjen e parë të sezonit, ndaj Shtutgartit në Ligën e Kampioneve dhe shkon drejt derbit të Italisë kundër Interit me më pak qartësi dhe të paktën tri pyetje në lidhje me formacionin. Lajmet nga infermieria nuk janë më të mirat e mundshme dhe Tiago Mota kërkon që të paktën përballë zikaltërve të ketë një midis Niko Gonzalez ose Teun Kopmainersin.
Pa anashkaluar këtu edhe Duglas Luizin i cili u detyrua të mos aktivizohej ndaj Shtutgartit për shkak të një dhimbjeje muskulore gjatë nxehjes edhe pse ishte projektuar titullar. Megjithatë, braziliani e ka qetësuar disi trajnerin pasi vizitat e kryera treguan se ai nuk kishte probleme serioze.
Rikthimi i tij për sfidën ndaj Interit nuk është e sigurt, madje shanset më të larta janë që të mungojë. Por nëse për Duglas Luizin është një lajm gjysmë i mirë, Teun Kopmainers dhe Niko Gonzalez mund të mungojnë edhe ndaj zikaltërve. Të dielën Juventusi kërkon që të reagojë menjëherë pas humbjes së hidhur, por shanset janë shumë të larta që Mota mos ketë në dispozicion Gonzalezin dhe Kopmainers. Holandezi vazhdon të ndjejë dhimbje në brinjët e tij dhe mjekët nuk e kanë dhënë ende dritën jeshile për të zbritur në fushë.
E njëjta situatë edhe për ish-sulmuesin e Fiorentinës që nuk ka arritur dot të rikuperohet në kohë edhe pse pritej të ishte i gatshëm për derbin e Italisë. Te “Zonja” nuk preferojnë të rrezikojnë. Për këtë arsye formacioni që do të dalë në fushë ndaj Interit nuk do të ndryshojë shumë nga ai i parë ndaj Shtutgartit. Di Gregorio rikthehet në portë, Gati dhe Kambiaso në mbrojtje, ndërsa Lokateli do të kthehet në mesfushë nga minuta e parë.