Pas zgjedhjeve, Japonia përballet me një epokë të re paqëndrueshmërie politike

pas zgjedhjeve japonia perballet me nje epoke te re paqendrueshmerie politike





































SEUL – Japonia u përball me një periudhë paqëndrueshmërie politike të hënën pasi partia në pushtet pësoi rënien më të madhe në zgjedhje në 15 vite, duke e lënë kryeministrin Shigeru Ishiba nën trysni për të dhënë dorëheqjen dhe duke hedhur dyshime mbi përbërjen e qeverisë së ardhshme.

japoni

Në zgjedhjet e së dielës, Partia Liberal Demokrate (LDP) dhe partnerja më e vogël në koalicion, partia Komeito, nuk arritën të sigurojnë shumicën në dhomën e ulët të legjislativit të vendit dhe kanë filluar tashmë përpjekjet për të gjetur parti më të vogla partnere për të formuar qeverinë brenda 30 ditëve.

Zoti Ishiba, i cili u bë kryeministër vetëm muajin e kaluar, kishte shpresuar se zgjedhjet do të forconin pozitat e tij drejtuese mes zemërimit publik mbi një skandal financimi politik dhe rritjes së kostove të jetesës. Por zgjedhjet dhanë efektin e kundërt.

Koalicioni qeverisës fitoi vetëm 215 vende, shumë më pak se 233 që nevojiteshin për të patur shumicën. Për LDP-në, e cila ka dominuar politikën japoneze të pasluftës, ishin rezultatet më të dobëta që nga viti 2009, kur partia humbi pushtetin për katër vite.

“Rezultati është se sistemi politik japonez po hyn me të vërtetë në një periudhë të re dhe të pasigurt”, tha Tobias Harris, themelues i “Japan Foresight”, një kompani që studion skenën politike.

Zgjidhja nuk duket e lehtë

Pavarësisht se ka fituar terren, opozita – duke filluar që nga komunistët dhe deri tek grupet e ekstremit të djathtë – shihet si shumë e ndarë për të formuar qeverinë. Shumë parti opozitare kanë përjashtuar gjithashtu mundësinë e bashkimit në një koalicion me LDP-në dhe Komeito, duke e komplikuar më tej situatën.

Disa analistë parashikojnë se LDP-ja dhe Komeito mund të përpiqen të formojnë një qeveri të pakicës, duke u mbështetur tek partitë më të vogla të qendrës së djathtë për të miratuar ligjet e reja, si Partia Demokratike për Popullin dhe Partia e Inovacionit.

Megjithatë, një marrëveshje e tillë nuk do të ishte “veçanërisht e qëndrueshme” dhe do të ishte e rrezikuar nëse nuk arrin të përmbushë kërkesat e opozitës, shkruajti zoti Harris në një postim në internet.

Një pyetje tjetër është fati i vetë Kryeministrit Ishiba. Vetëm muajin e kaluar, zoti Ishiba doli fitues ndaj rivalëve të tij më konservatorë brenda LDP-së, përfshirë ata besnikë ndaj kryeministrit të ndjerë dhe simbolit të konservatorëve, Shinzo Abe.

Por rezultati i zgjedhjeve ka dobësuar si zotin Ishiba ashtu edhe fraksionin Abe, pasi shumë prej tyre humbën vendet në të cilat ishin zgjedhur, pasi u implikuan në skandalin e fondeve.

Ndonëse zoti Ishiba ka shprehur dëshirën për të formuar një qeveri të re, analistët janë të ndarë se për sa kohë ai mund të vazhdojë të jetë drejtues i LDP-së, veçanërisht me zgjedhjet e vështira për dhomën e lartë të legjislativit që mbahen në korrik.

Tani për tani, anëtarët e fraksionit Abe mund të jenë të lumtur ta lënë Kryeministrin Ishiba të merret me pasojat e humbjes së kësaj jave.

“Do të jetë një situatë e pasigurt për muaj të tërë”, tha James DJ Brown, profesor i shkencave politike në Universitetin Temple në Japoni.

“Në një farë mënyre, është më mirë që ata të presin… dhe pastaj më vonë, në një moment që e përzgjedhin ata vetë, mund ta mënjanojnë dhe të marrin pushtetin”, shtoi ai.

Sfidat e politikës së jashtme

Megjithë paqëndrueshmërinë brenda vendit, politika e jashtme e Japonisë nuk pritet të përjetojë ndryshime të mëdha, megjithëse disa prioritete mund të ndryshojnë.

Zoti Ishiba, i cili ka qenë më parë edhe ministër i mbrojtjes, pati përkrahur disa propozime të debatueshme, si formimi i një versioni aziatik të NATO-s dhe një marrëveshje bërthamore me Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, pozita e tij e dobësuar do të thotë se këto plane nuk do të kenë gjasa të realizohen. Në fakt, nëse mbijeton politikisht, zoti Ishiba ka gjasa të përqëndrohet në fusha për të cilat ka më shumë konsensus politik, thonë analistët.

“Nuk do të ketë ndryshime të mëdha në politikën e jashtme. Por, për shkak të rezultatit të këtyre zgjedhjeve, politika e jashtme nuk do të jetë ndonjëherë prioritet kryesor i qeverisë së re”, thotë Tetsuo Kotani, profesor i studimeve globale në Universitetin Meikai, në Chiba të Japonisë.

Kjo mund të krijojë shqetësime ndërsa Japonia përballet me rreziqe në rritje nga Koreja e Veriut, trysni nga Kina dhe pasiguri për rezultatin e zgjedhjeve amerikane.

Tomohiko Taniguchi, ish-këshilltar i zotit Abe, vuri në dukje se megjithëse aleanca SHBA-Japoni mbetet një përparësi, shumë parti opozitare janë më pak të interesuara për fuqizimin e kapaciteteve ushtarake të Japonisë.

“Nuk janë të interesuara shumë për rritjen e të ardhurave nga taksat për të mbështetur nevojën në rritje të Japonisë për t’u riarmatosur”, thotë zoti Taniguchi.

Një kryeministër japonez me pozita të dobësuara do ta kishte më të vështirë të negocionte me Donald Trump-in, nëse ai do të zgjidhej presidenti i ri amerikan javën e ardhshme, paralajmëroi zoti Taniguchi.

“Për t’ia dalë me sukses përballë tij, duhet të jesh i fortë, duhet të kesh kapital politik. Dhe kjo është diçka që udhëheqësi japonez Ishiba, apo kushdo tjetër qoftë, nuk mundet ta bëjë”./VOA

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →