A jemi gati për Inteligjencën Artificiale?

a jemi gati per inteligjencen artificiale





































NGA PROF. DR. TONIN GJURAJ & PROF. DR. PETRAQ PAPAJORGJI TONIN GJURAJ PETRAQ PAPAJORGJI

Inteligjenca Artificiale (IA) është një koncept dhe mjet i kudogjendur tashmë prezent në të gjithë shoqërinë dhe një pjesë integrale e jetës së përditshme. Si i tillë, të kuptuarit bazë dhe njohuritë e AI duhet të jetë një komponent kritik i edukimit të studentëve për të përgatitur specialistë të aftë që përballen me sfidat e shekullit të 21-të. Për të qëndruar i rëndësishëm, arsimi i lartë duhet të përshtatet për të përmbushur nevojat teknologjike që ndryshojnë me shpejtësi. Një fushë me rëndësi të veçantë është mësimdhënia e IA. IA nuk është më vetëm një koncept nga fantashkenca; po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e aktiviteteve tona të përditshme dhe po ndryshon mënyrën se si ndërveprojmë me botën përreth nesh. Pavarësisht se përdorimi i IA avancon në mbarë botën, përhapja e AI në të gjithë kurrikulat në nivelet Bachelor dhe Master është i rrallë dhe i paqëndrueshëm jashtë fushave tradicionale të Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (STEM).

Për më tepër, të shumtë janë studiuesit në fushën e arsimit që argumentojnë se studimi i AI është një kërkesë minimale që duhet përfshire edhe në programet e arsimit parauniversitar. Ka shumë mendime rreth ndikimit të IA për shoqërinë e tanishme dhe asaj në të ardhmen, por specialistët e edukimit janë në unison se domosdoshmëria e IA nuk mund të injorohet. Shoqëria jonë është më e digjitalizuar dhe e automatizuar se kurrë më parë. Eshtë e domosdoshme të kuptojmë se çfarë është IA dhe si funksionon për të pasur sukses në këtë qasje të re digjitale. Ndërsa studiojmë mënyrat më të mira për të përfshirë IA në programe mësimore, është e rëndësishme të kuptohet se IA nuk është thjesht një grup mjetesh që mund të konsiderohen të izoluara, siç janë shpesh teknologjitë. Në të kundërtën, IA, është një grup gjithëpërfshirës i aftësive ose qasjeve për hulumtim ndërdisiplinor, dhe ajo përfshin, ose duhet të përfshijë, përvojën e plotë të jetës dhe edukimin e një studenti. IA duhet të jetë një nga përparësitë kryesore në kurrikulat e një universiteti.

Institucionet e arsimit të lartë në vendin tonë janë para një përgjegjësie të madhe për zgjidhjen në kohë dhe me cilësi të një numri të madh problemesh me natyre edukative, shkencore dhe financiare. Duhet vene ne dukje se nuk janë vetëm institucionet tona të arsimit të lartë që duhet të zgjidhin këto dilema të rëndësishme, kjo është një çështje që preokupon diku me pak e diku më shumë të gjithë institucionet e arsimit në mbarë botën. Në këto kushte, është me vend to studiohen praktikat më të mira të përdorura nga universitetet më të avancuar të botës. Në përgjithësi kurse të IA janë ofruar në Fakultetet e Inxhinierisë dhe të Informatikës. Gjatë analizës së rezultateve të arrira, është parë e nevojshme një qasje më e gjerë që përfshin tërë spektrin e mësimdhënies në universitet. Disa universitete të famshme e kanë përqafuar këtë ide ndërdisiplinore të tilla, si Universiteti i Kalifornisë, San Diego, Universiteti i Uashingtonit dhe Universiteti i Kalifornisë, Berkeley.

Specialistet e edukimit kanë konstatuar, një mungesë të konsiderueshme të thellësisë dhe gjerësisë në edukimin e IA. Këto konstatime janë të rëndësishme pasi IA nuk është thjesht një disiplinë e shkencave kompjuterike. Përkundrazi, IA është një sfidë pedagogjike pasi ajo përfaqëson një gamë të gjerë aftësish dhe qasjesh themelore, shoqëruar me probleme të rëndësishme të etikës dhe paragjykimeve, dhe si të tilla, duhet të jetë një pjesë e rëndësishme e çdo kurrikule cilësore të arsimit të lartë. Përpjekjet për të inkorporuar AI në arsim janë shfaqur në vende të ndryshme në vitet e fundit. Për shembull, në 2017, Këshilli Shtetëror i Kinës njoftoi synimin e tij për të përfshirë një kurs të IA në arsimin fillor dhe të mesëm me qëllimin e shndërrimit në lider botëror në AI deri në vitin 2030. Në vitin 2018, IA ishte zyrtarisht futur në kurrikulë nga Ministria e Arsimit dhe për herë të parë u përdor teksti shkollor i AI. Singapori ka zhvilluar mundësi edukimi për IA për mësuesit dhe nxënësit, me krijimin e dy programeve të IA: “IA për Studentët” i cili synon lehtësimin e të mësuarit formal dhe joformal të IA për nxënësit e shkollave të mesme, dhe programi “IA për Fëmijë”, i cili trajnon si mësuesit ashtu edhe prindërit për t’u bërë instruktorë të IA për nxënësit e shkollave fillore.

Në të njëjtën kohë, në vitin 2018 qeveria krijoi programin “IA Singapore” për të zhvilluar aftësitë e studentëve në IA. Po kështu, u hartuan programet në shkollat e mesme në Hong Kong, Japoni dhe Kore nga viti 2017 deri në 2019, me synimin të përfshinin edukimin në IA në kurrikulat shkollore. Në vitin 2020, Bashkimi Evropian hartoi një program mbi “Inteligjencën Artificiale-një qasje europiane ndaj përsosmërisë dhe sigurisë” dhe tani planifikon të inkorporojë IA në të gjithë nivelet e arsimit. Megjithatë, edhe me gjithë këto zhvillime në nivel kombëtar, specialistët e arsimit të lartë theksojnë mungesën e qasjeve konsistente dhe mirëkuptimit për kurrikulat dhe përmbajtjet e IA që do të mbulohen. Këto eksperienca ndërkombëtare në zgjedhjen e një qasje optimale lidhur me mësimdhënien e IA, janë mjaft vlefshme edhe për vendin tonë që të evitojmë ndjekjen e “shtigjeve të panjohur”.

Një nga tiparet dalluese të IA është shpejtësia e zhvillimit dhe numri i madh i disiplinave që përdorin IA si një instrument të domosdoshëm. Për pasoje, një nga problemet që të gjithë universitetet po mundohen të zgjidhin në mënyra të ndryshme, është përgatitja e kuadrit të specializuar në IA. Shumë universitete përdorin qasjen “train the trainer” (trajno trainerët e mundshëm). Por jo të gjithë pedagogët ekzistues kanë aftësinë të thellohen e të specializohen në mënyrë individuale në IA. Shumë universitete aktivizojnë specialistë të IA nga industria për të përballuar nevojat e mësimdhënies. Natyrshëm, në vendin tonë specialistet e IA janë shumë të pakët, kryesisht të specializuar në universitetet e huaja. Shumë prej tyre ndoshta nuk janë të pajisur me kredencialet e nevojshëm për mësimdhënie në nivelet Master e doktorature. Në këto kushte, institucionet e arsimit të lartë duhet të hartojnë një plan afatgjatë e me kërkesa të veçanta për të krijuar armatën e personelit arsimor të nevojshëm për shtrirjen e IA në të tërë nivelet e arsimit.

Mendojmë se duhen bërë përpjekje të centralizuare dhe të koordinuara nga Ministria e Arsimit për të siguruar një zgjidhje totale të këtij problemi. Krijimi i kushteve për një shtrirje të IA në sistemin e edukimit në vend kërkon domosdoshmërish një bashkëpunim të ngushte me industrinë. Eksperienca e huaj dëshmon për nevojën e një lidhje të ngushte dhe të dobishme midis arsimit dhe industrisë. Fondet për arsimin në vendin tonë kanë qenë gjithmonë në një nivel shumë të ulët. Në të gjithë klasifikimet e bëra nga organizatat te huaja lidhur me nivelin e investimeve në edukim, Shqipëria ka qenë në vendet e fundit. Tregu i punës pret specialistë të pajisur me aftësitë dhe teknologjitë e fundit, por procesi i edukimit kushton shtrenjtë. Kërkohen laboratorë dhe komjutera të fuqishem. Ndaj, tregu i punës duhet të ndihmojë financiarisht krijimin e kushteve të nevojshme për futjen e IA në procesin mësimor. Një çështje interesante dhe sfiduese për t’u trajtuar është pedagogjia e IA, e cila i referohet metodave dhe strategjive të përdorura për të mësuar IA studentëve. Pedagogjia e IA përfshin jo vetëm teknikën, aftësitë që lidhen me programimin dhe algoritmet e AI, por edhe më gjerë konceptet dhe parimet e AI, si machine learning, përpunimi i gjuhëve natyrore (Natural Language Processing) dhe robotika.

Një aspekt i rëndësishëm i pedagogjisë së AI është theksi mbi të mësuarit praktik dhe me përvojë personale. Kjo filozofi mësimdhënie mund të përfshijë aktivitete në projekte që aplikojnë teknikat e AI në zgjidhjen e problemeve konkrete, pjesëmarrja në hackathone ose konkurse kodimi dhe angazhimi me komunitetet e AI (Open Source). Këto aktivitete jo vetëm që ndihmojnë studentet të mësojnë aftësi teknike, por edhe të nxisin kreativitetin, të menduarit kritik dhe aftësitë për zgjidhjen e problemeve që janë thelbësore për suksesin në fushën e AI. Një numër i rëndësishëm i specialisteve të edukimit nuk mendojnë se është e domosdoshme të hapen vetëm degë të specializuara në IA. Këto degë të specializuara formojnë specialist mirëfilltë të IA me detyra dhe formim të caktuar. Këta specialistë duhet të njohin mire nga ana teorike dhe praktike si funksionon IA. Meqenëse IA përdoret gjerësisht në shuma fusha të aktivitetit prodhues, është e nevojshme të specializohen me masën e duhur edhe specialistet jo IA, si mjekët, inxhinierët, ekonomistët, financierët etj.

Ndonëse IA po zëvendëson me sukses shumë procese pune të përcaktuara mirë e me natyrë përsëritëse, por në shumë procese pune IA do të jetë një ndihmës i vyer i specialistit. Nuk është se në të ardhmen nuk do të ketë nevoje për ekonomistë apo financierë, por do të preferohen ata ekonomistë dhe financierë që njohin IA. Ndaj është e domosdoshme që programet që formojnë mjekët, ekonomistët, etj., të kenë një prezencë të rëndësishme të IA. Shtrohet problemi i hartimit të kurrikulave të profesioneve të ndryshme me doza të ndryshme të IA. Zgjidhja e këtij problemi kërkon një bashkëpunim të ngushte të specialistëve të fushave të ndryshme me specialistët e IA. Një mënyrë efikase për zhvillimin dhe kontrollin e pedagogjisë së IA dhe të kurrikulave përkatëse është pjesëmarrja e sistemit të akreditimit të programeve të IA.

Kurrikulat e hartuara për çdo qasje të IA duhen kontrolluar dhe aprovuar nga sistemi i akreditimit. Në këto kushte, specialistet e sistemit të akreditimit duhen trajnuar me përparësi për të ushtruar me sukses kontrollin. Vala e IA do të jetë e rëndësishme, e shpejtë edhe me pasoja sociale dhe ekonomike. Për me tepër, kjo vale nuk është shume larg në horizont, është afër, shume afër. Institucioneve të arsimit i del detyra të jenë gati shumë shpejt. Duhet filluar seriozisht planifikimi i njerëzve të specializuar në IA si dhe kurrikulat e universiteteve që do përgatisin armatën e specialistëve që do të përballen me sfidat e shekullit të 21-të.

* Prof. Dr. Tonin Gjuraj Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Shkodër ** Prof. Dr. Petraq

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →