Ndërveprimi ushtarak i Rusisë me Korenë e Veriut nuk shkel të drejtën ndërkombëtare, ka deklaruar të mërkurën në Këshillin e Sigurimit, ambasadori i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia.
“Dëshiroj të nënvizoj se ndërveprimi rus me Korenë e Veriut në ushtri dhe në fusha të tjera është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe nuk është një shkelje e saj”, ka thënë Nebenzia, raporton Reuters.
Sipas tij, ky bashkëpunim nuk synon vende të treta.
NATO-ja e ka konfirmuar të hënën se Koreja e Veriut ka dërguar trupa në Rusi dhe se një pjesë e tyre tashmë janë vendosur në zonën kufitare me Ukrainën, në rajonin Kursk.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka deklaruar se ky veprim shënon përshkallëzim, teksa ka thënë se shënon po ashtu një dobësim të Rusisë në fushën e betejës.
Ndërkaq presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se përfshirja e Koresë së Veriut në Ukrainë po e shtyn luftën përtej kufijve të palëve ndërluftuese.