Ka shkuar në tre numri i viktimave si pasojë e atentatit me armë zjarri në Shkodër, pasi raportohet se ka ndërruar jetë në spital edhe Arlind Bushati, i cili fillimisht mbeti i plagosur. Mësohet se Bushati 32 vjeç kishte marrë 2 plumba në kokë dhe nuk mundi t’i mbijetojë plagëve.
Nga atentati i pasdites së sotme (30 tetor) mbeti i vrarë me armë zjarri edhe Hamza Lici, i cili ishte në një makinë me Arlind Bushatin dhe ishin duke u kthyer nga Mali i Zi kur u sulmuan me armë.
Si pasojë e të shtënave me armë, makina Benz me të cilin ata po udhëtonin humbi kontrollin dhe u përplas me një motor, me të cilin po udhëtonte çifti i bashkëshortëve Bashkim dhe Flutura Basha. Për pasojë gruaja humbi jetën ndërsa bashkëshorti ndodhet në spital në gjendje të rëndë.
Shkodër/Informacion shtesë
Në vijim të informacioneve të dhëna më parë për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, ju informojmë se ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër, si pasojë e plagëve të marra edhe shtetasi A.B., 32 vjeç.
Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon punën për zbardhjen e rrethanave, sigurimin e provave me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
KUSH ESHTE ARLIND BUSHATI?
Arlind Bushati, i cili mbeti në këtë atentat i plagosur rëndë, është djali i Xhemal Bushatit, ish kandidatit të Partisë Demokratike për kryetar bashkie të Shkodrës në zgjedhjet e pjesshme vendore të vitit 2022.
Pak ditë më parë Arlind Bushati u kërcënua me armë para një lokali në qendër të qytetit të Shkodrës, fare pranë banesës së tij, nga dy persona që po lëviznin me një motoçikletë.
Ai bëri një denoncim në policinë vendore, por pa bërë të ditur nëse kishte identifikuar apo jo autorët. Ndërsa në mars të vitit 2022 banesës së prindërve të tij iu vu një sasi tritoli.
MAKINA E DJEGUR E AUTOREVE DHE MAKINA E VIKTIMAVE
Disa minuta pas atentati, policia gjeti në fshatin Golem një makine Range Rover të shkrumbuar, ndërsa u zbuluan edhe dy armë automatikë, të cilat dyshohet se janë përdorur nga autorët e krimit.
Ndërsa në makinën e viktimave, Hamza Lici dhe Arlind Bushati policia arriti që të gjejë tre armë zjarri pistoleta.
KONFLIKTET MES LICAJVE DHE BAJRAVE
Prej disa vitesh, familjet e njohura Lici dhe Bajri, në Shkodër janë në përplasje me njëra tjetrën, ç’ka ka shkaktuar edhe disa viktima. Përplasja dyshohet se ka nisur pas një atentati, në janar të 2018, ndaj biznesmenit Lulzim Kulla. Shpërthimi i telekomanduar shkaktoi tetë persona të plagosur, mes të cilëve dhe Kulla. Më 18 qershor, u vra në servisin e tij Mehdi Kavaja, vrasje e dyshuar për hakmarrje.
Më 15 korrik të vitit të 2018, poshtë banesës që kishin me qira ekzekutohen çifti Boran Bërçana dhe Silvi Ndoci, kur në makinë ndodhej edhe një fëmijë 3 vjeç, që u shpëtoi mrekullisht plumbave. Ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje me grupin Bajri.
Në gusht 2018 u ekzekutua me breshëri kallashnikovi Fatbardh Lici, vëllai i Mustafa Licit. Më 23 gusht zhduken shtetasit Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa, nip dhe dajë, që dyshohet se kishin lidhje me fisin Lici. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, më 1 shtator të vitit të 2018 u vra Arjan Ferracaku, që ishte duke ecur me kalë.
Më 14 nëntor u ekzekutua kushëriri i Arjanit, Fatos Ferracaku, kur shiste peshk në lagjen “Rus”. 30 mars 2019, vriten në shtëpi Astrit e Ibrahim Bilali . Saga e vrasjeve vazhdoi me Endri Mustafën dhe autor dyshohet Ibrahim Lici.
Një pjesë e këtyre ngjarjeve kanë dalë edhe në bisedat e zhvilluara në SKY dhe ECC dhe po hetohen nga SPAK.