Prof.Hajri Shehu
Këto ditë në doli në qarkullim libri “Krestomací e albanologjisë” (vëllimi I), hartuar nga prof. Tefë Topalli. Libri është botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Një dhuratë e madhe për gjuhësinë shqiptare në këtë Vit të Gjuhës Shqipe. Libri (1669 faqe) është shtypur në shtypshkronjën “KristalinaKH”, Tiranë.
Libri është ndërmarrje e madhe, punë e madhe dhe vepër e madhe e prof. Tefë Topallit, Jo, thjesht për nga numri i faqeve (vëllimi I – 1669 faqe e vëllimi II, që pritet të dalë, gjithashtu, prej qindra faqesh), por për dijet që përcjell për lexuesin.
Çfarë është ky libër i madh e si është ky libër i madh? Do ta paraqitim thjesht e shkurt për lexuesit e gazetës. Libri do të përurohet në disa auditorë shkencorë.
Libri është një lloj enciklopedie e veçantë (më pëlqen ta them që në fillim: e spikatur) për gjuhëtarët e gjuhësinë e tyre për shqipen. Në vëllimin e parë janë albanologët shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare – deri në ditët e sotme. Në vëllimin e dytë janë albanologët e huaj, gjithashtu, deri në ditët e sotme (albanolog është ai që merret me studime për historinë e shqiptarëve, për gjuhën shqipe, për letërsinë shqiptare e për kulturën shqiptare).
Librit i prin një Parathënie e autorit, mjaft paraqitëse e mjaft shkencore, e përkthyer edhe në gjuhën angleze mjaft mirë nga dr. David Hosaflook dhe prof. dr. Nuri Gokaj (ShBA).
Në vëllimin I janë 126 gjuhëtarë shqiptarë, që nga i madhi Konstandin Kristoforidhi e deri në ditët e sotme. Ata janë historianë të gjuhës shqipe, etimologë, morfologë, sintaksologë, leksikologë e leksikografë, fonetikanë etj. Renditja është kronologjike (sipas vitit të lindjes). Tek Tregues i emrave ka renditje alfabetike. Për secilin gjuhëtar jepen veprat kryesore. E veçanta e librit është se jepen edhe fragmente të veprave të tyre themelore e mjaft shpesh, edhe analiza gjuhësore e edhe vlerësime të të tjerëve për to – gjithnjë, të botuara në revista shkencore ose si kumtime në veprimtari shkencore. Në këtë mënyrë, libri është edhe kritikë gjuhësore – morfologjike, sintaksore, dialektologjike, leksikografike etj., siç ka edhe kritikë letrare në letërsi. Kësisoj, i gjithë ky syth mund të emërtohet, siç thotë vetë autori, gjuhëtarët për gjuhëtarët. E ku ka më mirë se të flasë gjuhëtari për gjuhëtarin. Dhe në këtë punë kaq të vyer, merita e parë i përket prof. Tefës, që i tuboi fjalët e të tjerëve e fjalët e veta në një libër të veçantë me dy vëllime me qindra faqe. Për të gjitha botimet e vlerësimet për to jepen citimet përkatëse me poshtëshënime etj. Kësisoj, krestomacia e prof. Tefë Topallit është edhe një burim madhor informacioni e bibliografie për këdo që dëshiron t’i shtojë dijes së vet dijen e të tjerëve.
Libri është vepër e madhe antologjike në fushën e gjuhësisë. Për çdo zë jepen jetëshkrimi shkencor, puna e tij diturore, të dhëna të plota për përmbajtjen e veprave të tij gjuhësore sipas fushës së studimit dhe, siç u tha, vlerësimet e të tjerëve për to. Rrallë mund të ketë libra si ky, që i tubon për lexuesin në një të gjitha këto dije.
Libri është edhe si një enciklopedi e gjuhës shqipe. Përse? Sepse në të na shpërfaqen gjuha shqipe, gjuha e gjuhës shqipe (= metagjuha) studimet për gjuhën shqipe, zgjidhjet e arritjet e mëdha për të mirën e gjuhës shqipe, përvojat teorike dhe praktike për studimin e gjuhës shqipe etj. Në një libër na vjen thukët historia e gjuhës shqipe, etimologjia e gramatologjia e saj, leksikologjia e leksikografia e saj etj. Të gjitha, me të dhëna përgjithësuese konkrete. Dhe kësisoj, në këtë libër është e gjithë gjuha shqipe.
Libri është krejt i besueshëm sepse është krejt shkencor, jo vetëm me përmbajtjen e tij, por edhe me teknologjinë e tij (referimet e citimet me mbushullí, shtypshkrimet etj.).
Libri e njeh lexuesin me gjuhëtarë të nivelit europian e me prurje të nivelit europian: Konstandin Kristoforidhi, Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Androkli Kostallari, Idriz Ajeti, Selman Riza, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Jup Kastrati, Jani Thomai, Xhevat Lloshi, Remzi Përnaska, Besim Bokshi, David Luka, Emil Lafe, Kolec Topalli, Eshref Ymeri, Ethem Lika, Rexhep Doçi e shumë të tjerë. Në Parathënien e tij, autori përveçon 6 personalitete të mendimit gjuhësor shqiptar, sipas shkollave gjuhësore ku u formuan. Ata janë: Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Androkli Kostallari, Mahir Domi, Selman Riza, Shaban Demiraj. Edhe ky është informacion shumë i dobishëm.
Libri është, sigurisht për një lexues të kualifikuar. Dhe ky lexues i kualifikuar është gjuhëtari, punonjësi shkencor, pedagogu i shqipes, doktoranti, mësuesi i gjuhës shqipe, studenti i gjuhës etj. Por ai është edhe për dashamirësit e shqipes. Ja disa shembuj. Të gjithë shqiptarët e njohin ideologun e madh të Rilindjes, Sami Frashërin. Por a dimë të gjithë ne se Sami Frashëri është autor i Fjalorit normativ të gjuhës turke (1901) me 40 000 fjalë dhe i disa fjalorëve dygjuhësh me turqishten? Te kjo Krestomacia na thuhet. Prof. Jup Kastrati e quan veprën e Sami Frashërit, “Shkronjëtore e gjuhësë shqip” (1886) “e para gramatikë e botuar në gjuhën shqipe”. Te kjo Krestomacia thuhet edhe kjo. Poetin e madh Ndre Mjeda e poezinë e madhe të Ndre Mjedës e njeh kush ka arsimin e mesëm. Por, mbase nuk e njohin studimin e tij për përemrat pronorë në gjuhën shqipe. Ai nuk ishte vetëm poet e prozator; ishte edhe albanolog. Në Krestomaci rreshtohen një varg studimesh gjuhësore të Ndre Mjedës. Ja edhe një shembull i tretë: Në Britani, i pari fjalor latinisht-anglisht është botuar më 1588. Në shqip (Fjalori latinisht-shqip i Frang Bardhit) – më 1635, domethënë, vetëm 47 vjet më pas. Dhe kjo do të thotë se në punë fjalorësh barabitemi me Europën. Dhe, jo vetëm historikisht. Edhe për nga numri i fjalorëve të botuar në shqip a me shqipen. Që nga 1635-a e deri më tani, i takon që për çdo vit të jetë botuar më shumë se një fjalor. Dhe fjalorët me shqipen janë ndërkombëtarë. Gjeografia e fjalorëve me shqipen shkon nga Tirana, Prishtina, Shkupi e Kalabria e deri në Amerikë e Kinë, Siri e Turqi, Serbi e Poloni etj. Ja edhe një shembull tjetër nga Krestomacia. Te historia e albanologjisë jemi: Prof. Jup Kastrati ka botuar “Historia e albanologjisë / 1497-1997”, Tiranë, 2000 dhe “Historia e gramatologjisë shqiptare”/1635-1944, Prishtinë, 1980. Janë vepra albanologjike madhore. Edhe prof. Begzad Baliu, Prishtinë, një ndër gjuhëtarët e sotëm, shumë prodhimtar, ka studime të shquara për historinë e albanologjisë. Le të njohim nga Krestomacia terminologun dhe terminografin e shquar ushtarak, prof. Hasan Çipurin, drejtuesin, redaktorin e botuesin e 24 fjalorëve terminologjikë ushtarakë shqip-gjuhë të huaja. Vargu është i madh. Janë, siç u tha në fillim, 126 gjuhëtarë. Secili me prurjet e veta shkencore. Me penën e prof. Tefë Topallit na vijnë. Autori e ka emërtuar librin Krestomací. Një fjalë më e njohur për lexuesin mund të jetë antologji. Antologjitë bëhen me pjesë të përzgjedhura. Këtu përzgjedhja është nga pena e prof. Topallit.
Vëllimi II, siç u tha, përfshin veprimtarinë shkencore gjuhësore e veprat gjuhësore të albanologëve të huaj. Ata janë gjermanë, austriakë, rusë, amerikanë etj. Edhe për albanologët e huaj jepen jetëshkrimi i tyre shkencor, veprat e tyre shkencore – edhe me fragmente e analiza shkencore për to e vlerësime të veçanta. Libri II do t’i zgjerojë shumë dijet tona edhe për albanologët e huaj. Presim me shumë dëshirë botimin e tij.