Transformohet një bllok banimi në Njësinë 3, Veliaj: Premtim i mbajtur, rritet vlera e pronës për banorët e zonës

transformohet nje bllok banimi ne njesine 3 veliaj premtim i mbajtur rritet vlera e prones per banoret e zones








































Kreu i Bashkisë së Tiranës ka inspektuar punimet e bllokut të rikualifikuar banimi në Njësinë 3.

veliaj

Bëhet fjalë për bllokun që ndodhet ndërmjet rrugëve “Marie Kraja”, “Kokonozët”, “Zana Floqi” dhe “Filip Shiroka”.

Gjatë inspektimit, Veliaj vlerësoi se punimet po ecin me ritme të shpejta për të mbajtur premtimin e dhënë nga bashkia.

“Më vjen shumë mirë që po e mbajmë fjalën për Njësinë 3, siç e kemi mbajtur fjalën për çdo premtim tjetër. E vetmja arsye pse kemi justifikim pse ka nisur në këtë kohë ky projekt, ka qenë Unaza. Pra, kemi pritur që Unaza të konturohet, të përdorim terrenet që ajo ka nevojë, dhe pastaj të ndjekim zhvillimin e Unazës në të gjitha lagjet. Sot jemi tek njësia 3, pastaj do të vazhdojmë në njësinë 4, deri te Bregu i Lumit, teksa aksi i Unazës përparon në të gjitha degëzimet hyrjet-daljet. Praktikisht, do të jetë si në një proces domino”, tha Veliaj.

Ndërsa shpjegoi investimet që po kryhen, kryebashkiaku tha se ky bllok i transformuar do të ketë mjedise çlodhëse, lulishte, kënde lojërash për fëmijë dhe transformim të plotë të infrastrukturës rrugore.

“Në projektin e 100 lagjeve kemi përfshirë të gjithë këtë mëhallë të jashtëzakonshme. Bëhet fjalë për të urbanizuar të gjithë zonën mes “Kokonozëve” dhe rrugës “Marie Kraja”. Do të bëjmë maksimumin duke pasur parasysh që disa janë struktura të larta formale, disa të tjera kanë qenë informale, pra nuk është ruajtur vija e rrugës. Qëllimi nuk është që të bëjmë dëm, qëllimi është që të bëjmë mirë; kjo do të thotë që të konturojmë sa të mundemi rrugët, që të ketë një trotuar, të ketë disa barriera sigurie për sigurinë e fëmijëve”, deklaroi Kryebashkiaku i Tiranës.

Veliaj pati një vlerësim dhe premtim për banorët e zonës.

“Kanë qenë bashkëpunues edhe ata që iu ka rënë gjurma e rrugës dhe u është dashur të tregojnë mirëkuptim se pas 30 vitesh në gjurmë të rrugës do të duhet që ta lëshonin atë terren për të mirën e përbashkët. Kanë qenë mirëkuptues edhe për faktin se fillimisht do të duhet të bëhej rruga kryesore, përpara se të futemi nëpër lagje. Do të bëjmë maksimumin, do i fusim marshin e pestë për të ecur sa më shpejt këtu”, shtoi Veliaj.

Gjithashtu ai tha është se për zbatimin e këtij projekti janë punësuar edhe shumë banorë të zonës, përfshirë dhe pensionistë.

“Ju falenderoj shumë sepse edhe punësimet i keni marrë nga lagjja, duke i përfshirë gjithë këta njerëz nga komuniteti, për t’u siguruar që sa më shumë financë të ngelet në komunitet, edhe sa më shumë bereqet të prodhohet në këtë komunitet. Shoh që kishte edhe shumë pensionistë që kanë energji dhe duan të punojnë, janë të gatshëm të bëjnë një punë ekstra, edhe përtej pensionit, çka na ndihmon sepse edhe reforma e re e pensioneve synon që t’u japë mundësinë atyre që duan të punojnë dhe që kanë takat të punojnë, të vazhdojnë të shtojnë vitet e tyre të pensionit”, përfundoi ai.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →