Simone Inzagi kërkon një Inter më cinik pas fitores minimale me Venecian sepse duke shpërdoruar kaq shumë raste bën që të vërë në rrezik rezultatin. Po ashtu trajneri i Interit dha koment për episodin e fundit ku u anulua goli i Venecias.
“U kam bërë komplimente djemve për ndeshjen, por duhet më shumë cinizëm përpara portës kundërshtare. Shpërdoruam raste me Mkitarianin dhe Turamin në pjesën e parë. Aty ndeshja do të ishte më e lehtë. Në Serinë A ndeshjet kështu janë. Në fund ka pasur shtyrje ndaj Bisek dhe prekje me dorë. Por duhet që të vlerësoj edhe Venecian”, tha fillimisht trajneri i Interit. Ai më tej foli për duelin me Napolin.
“Në fakt nuk po e mendoj shumë atë. Më e rëndësishme është ndeshja e së mërkurës në Champions. Do të luajmë përballë një rivali si Arsenali që është një nga skuadrat më të forta në Europë. Duhet të organizojmë një ndeshje të madhe sepse luajmë ndaj një rivali me kualitet.
Nuk mendoj tani për Napolin. Kampionati? Ka disa skuadra që kanë bërë investime të shumta dhe duan të shkojnë deri në fund. Më vjen mirë që ne po na rikthehen të gjithë lojtarët. Mungon vetëm Karlos Augusto. Jam i lumtur sepse kemi nevojë për të gjithë lojtarët që të na ndihmojnë dhe të japin kontribut për të arritur rezultatet pozitive në një moment delikat të sezonit”, tha Inzagi.
PANORAMASPORT.AL