Të tjera detaje janë zbardhur nga masakra e Shkodrës, ku mbetën të vrarë 4 persona, Hamza Lici, Arlind Bushati dhe dy qytetarë të pafajshëm, Bashkim dhe Flutura Basha.
Mësohet se autorët e ngjarjes kanë realizuar me detaje atentatin në Dobraç me qëllim për të mos lënë asnjë gjurmë. Aq sa dyshohet se makina tip “Range Rover” është shkrumbuar fillimisht me acid dhe pastaj i është vënë flaka, me qëllim mos lënien e asnjë gjurme për hetuesit.
Përdorimi i acidit është bërë për të shkatërruar numrin e shasisë të makinës dhe elementeve të tjerë identifikues.
Makina “Range Rover” , qe dyshohet se u perdor nga autoret rezulton e vjedhur ne Durrës me 17 Prill te ketij viti. Raportohet se mjeti eshte vjedhur ne lagjen 12 dhe ka qene pronari ne ate kohe qe beri denoncim ne policinë e Durresit.
Kjo e dhënë është përftuar nga grupi hetimor pas krahasimit qe i është bere numrit te shasisë, ne automjetin qe u djeg ne fshatin Golem.
Mësohet se Policia ka kontrolluar dy klinika mjekësore private në Shkodër, me qëllim gjetjen e personit të tretë, që policia dyshon se ka qenë në makinën tip “Benz” me targa kroate dhe që ky person i tretë mund të jetë plagosur.
Teksa hetimet për atentatin me 4 viktima zhvillohen intensivisht, policia është vënë në kërkim të personit misterioz.
Policia i ka ushtruar këto kontrolle pas dyshimeve se në këto klinika është paraqitur një person i plagosur, i cili pasi ka marrë mjekim është larguar.
Qëllimi i kontrolleve nga policia ka qenë sekuestrimi i pamjeve të kamerave të sigurisë për të provuar nëse personi i plagosur është paraqitur për mjekim ose jo në klinikat private, pas ngjarjes.
Po ashtu, policia e shtetit për të provuar shkencërisht me prova prezencën në makinë të viktimave dhe personit të tretë të mundshëm të plagosur, ka dërguar për ekzaminim në laborator prova të marra në vendngjarje si fije floku, gjurmë gishti, profile biologjike, profile djerse dhe gjaku për të zbuluar gjurmë të ADN-ve të secilit person që ndodhej në makinë, me qëllim identifikim shkencërisht të personit të tretë në makinë.