Shkroi libretin e operës “Teuta”, çfarë kërkoi Nexhmija për Zef Zorbën pas daljes nga burgu! Nga njohja me Terezina Pali tek arrestimi i të dyve më ’46-ën

shkroi libretin e operes teuta cfare kerkoi nexhmija per zef zorben pas daljes nga burgu nga njohja me terezina pali tek arrestimi i te dyve me 46 en








































Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit hapi këto ditë ekspozitën “Letra nga Ferri”, tek Piramida e Tiranës.

Zef Zorba

Ekspozita multimediale “Letra nga Ferri” sjell para publikut një nga periudhat më të errëta të historisë shqiptare, gjatë regjimit komunist (1944-1990). Ekspozita evokon një atmosferë introspektive dhe të thellë, ku synohet që vizitorët të përjetojnë emocionet, vuajtjet dhe shpresat e atyre që përjetuan ferrin e burgjeve komuniste. Në qendër të saj janë fjalët e të burgosurve, dëshmi të shkruara të një qëndrese që tejkaloi torturat dhe mizoritë. Për herë të parë ekspozojmë dy letra origjinale të Zef Zorbës drejtuar nënës së tij, të vëna në dispozicion nga muzeu Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës.

Janë me mijëra letra të shkruara nga të dënuarit politikë, që kalojnë shifrën e 3 mijë faqeve arkivore, një koleksion të disponueshëm edhe nga ISKK, ku në këtë ekspozitë janë përzgjedhur letrat përfaqësuese që luajnë një rol të rëndësishëm dëshmues mbi natyrën e regjimit diktatorial. Vizitorët do të kenë mundësinë të njohin jo vetëm kushtet e tmerrshme të jetesës në këto burgje, por edhe aktin e shkrimit si një formë rezistence.

Letrat janë një formë e të shkruarit të drejtpërdrejtë, ku ndjenjat personale dhe vëzhgimet e përditshme janë përzierje e shpresës dhe dëshpërimit, duke shërbyer si një mjet për të mbajtur të gjallë lidhjet me botën jashtë, familjen dhe lirinë. Letrat e paraqitura si objekte të vërteta historike, janë njëkohësisht dëshmi të një lufte të brendshme për të mbajtur shpresën të gjallë.

Vizitorët do të mund të lexojnë përmbajtjen e tyre përmes shënimeve të vendosura pranë letrave origjinale. Në përfundim, ekspozita përmban një hapësirë reflektimi, ku vizitorët do të mund të lënë mendimet e tyre dhe të përfshihen në dialog rreth trashëgimisë së kësaj periudhe dhe rëndësisë së mbajtjes gjallë të kujtesës kolektive.

ZEF ZORBA

Zef Zorba ishte regjisor, përkthyes dhe poet. Është autor i dy librete operash, “Teuta” dhe “Rozafa”, tekste këngësh me muzikë të Prenk Jakovës. I zbuluar vetëm pas vdekjes, më 1994 iu botua vëllimi me poezi “Buzë të ngrira në gaz”. Pas viteve ’90 lexuesit nisën ta njohin atë falë përkthimeve që kish lënë, me Estetika 2 e Benedetto Croce e Love Story e Eric Segal. Më 2019 iu botua vëllimi “Perfectum Trinum” me 103 poezi të tre poetëve italianë të shekullit XX, Eugenio Montale, Giuseppe Ungaretti e Salvatore Quasimodo. Zef Zorba lindi më 1920 në Kotorr të Malit të Zi në një familje shqiptare.

Mbas mbarimit të gjimnazit në Shkodër, më 1941 regjistrohet në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, dega e Studimeve Politike në Universitetin e Padovas në Itali. I ndërpret studimet më 1943 për shkak të Luftës së Dytë Botërore dhe kthehet në Shkodër, ku fillon punën si nëpunës banke. Nis angazhimin si regjisor në Teatrin e Shkodrës, ku bie në sy pasi vë në skenë dramën “Juda makabe” të Fishtës, një shfaqje që shkonte krejt kundër rrymës me ideologjinë e regjimit të ri që ishte instaluar. Zefi ishte i biri i Jak Zorbës (1877-1946) dhe Elena Skanjetit, mbesa e Kolë Idromenos. I ati ishte njohës i serbo-kroatishtes, italishtes dhe frëngjishtes; ndër përkthimet e tij “Tre musketierët” e “Konti i Montekristos” kanë humbur dhe vetëm “Siloani dhe Milena” (1901) dhe “Milienko e Dobrila” (pa datë) i kanë mbijetuar kohës. Më 1924 familja u kthye në vendlindje. I ati punoi kryetar komune në Gur të Zi (1925-1928) dhe më vonë administrator i Kafes së Madhe. Pasi ndoqi dhe kreu shkollimin fillor e të mesëm në Shkodër, më 1941 u regjistrua në Universitetin e Padovës për Shkenca Politike.

I ndërpreu studimet më 1943 për shkak të ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore dhe u kthye në qytetin e prejardhjes, ku u punoi në një bankë. Më 1945-1946 u punësua si regjisor në Shtëpinë e Kulturës në Shkodër, asokohe ka vënë në skenë pjesët “Juda Makabe” të Fishtës dhe “Armiku i Popullit” i Ibsenit, përkthyer nga vetë Zorba. Më 1946 u arrestua në valën e përndjekjes së qytetarëve e intelektualëve pas Kryengritjes së Postrribës,[5] u dënua dhe burgoset për agjitacion e propagandë. Vuan dënimin nëpër kampet e punës deri më 1951. Më vonë punon në ndërmarrje të rrethit të Shkodrës si llogaritar deri në vitin 1980, kur dhe del në pension. Ndërroi jetë në janar 1993. Libri i tij i parë, “Buzë të ngrira në gaz”, u botua pas vdekjes pasi kishte shkruar tinëz përgjatë diktaturës komuniste në Shqipëri, cilësuar si “letërsia e sirtarit”.

Çmohet si një poet i veçantë i letërsisë shqiptare dhe përfaqësues kyç i modernizmit dhe hermetizmit. Është cilësuar ndër autorët klandestinë me Kasëm Trebeshinën, Daut Gumenin, Primo Shllakun që në qerthullin e vogël të tyre rimerrnin fillin e këputur të vazhdimësisë së letërsisë shqiptare dhe e rimëkëmbnin lidhjen me autorë si Kuteli, Koliqi e Poradeci. Përktheu autorë si Robert Frost, dramaturgë si Shau, Pirandelo, Uajlld, Martin, e filozofë si B. Kroçe, H. Xh. Gadamer etj. La në dorëshkrim: T. S. Eliot (Katër Quartete, Pritje koktej, E mërkura e përhime) Robert Frost (Poema), Oscar Wilde (Rëndësia e seriozitetit) si dhe vepra të tjera të rëndësishme nga autorë si Pirandello, Wilder, O’Neil etj.

ARRESTIMI

Në teatër Zef Zorba njihet me bashkëshorten Terezina Pali. Të dy arrestohen në shtator të vitit 1946, Terezina e para dhe Zefi pas saj. Falë aktiviteti të tij si regjisor dhe pjesëve të para të vëna në skenë, ai arrestohet në vitin 1946 si kundërshtar i regjimit. Ai do të kalonte një kalvar disavjeçar në burgjet e para të komunizmit, ku të burgosurit përdoreshin si skllevër për punët më të vështira, sidomos në tharjet e kënetave apo ndërtimin e infrastrukturës. Gjatë viteve të burgut ai u detyrua të punojë në kushte të tmerrshme edhe në tharjen e kënetës së Maliqit, ku ishte ngritur kampi i Vloçishtit, quajtur ndryshe kampi i Orman Pojanit.

Lirohet në vitin 1951. Pas daljes në liri Zorba i rikthehet profesionit të vjetër si llogaritar. Gjatë këtyre viteve shkroi shumë poezi që i mbante të mbyllura në sirtar. Zorba filloi të njihej pas viteve ’90 si poet. Zef Zorba që një intelektual i spikatur në vitet e para të regjimit komunist, i cili ndante pasionet mes ekonomisë dhe artit teatror. I shkolluar në Itali gjatë viteve të luftës, Zorba pati një fat të trishtë pas mbarimit të saj. Nexhmije Hoxha, në atë kohë Drejtore e Drejtorisë së Arsim- Kulturës në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së, ia drejton një shkresë sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Shkodrës, Enver Halilit, ku i kërkon të dhëna rreth biografisë së Zef Zorbës i cili kishte shkruar libretin operës “Teuta”, që asokohe po shkruhej nga kompozitori i ri, Nikolla Zoraqi. Sipas dokumentit në fjalë, Nexhmija Hoxha kishte të dhëna për Zorbën që ai kishte qenë në burg, por “nuk dinte të dhëna më të hollësishme” për të, se për çfarë ishte dënuar, qëndrimi politik që ai mbante në atë kohë etj. etj.

Ai kishte lindur në Kotorr të Malit të Zi në një familje shqiptare, kishte ndjekur studimet në Fakultetin e Shkencave Shoqërore (dega e Studimeve Politike në Padova të Italisë) dhe i kishte ndërprerë ato në vitin 1943 për shkak të luftës e ishte kthyer në vendlindjen e tij, ku për disa kohë kishte punuar si nëpunës banke. Pas daljes nga burgu, Zorba u mor me përkthime duke shqipëruar disa nga poetët e dramaturgët njohur të letërsisë botërore, si R. Frost, Xh. Ungareti, S. Kuazimodo, E. Montale, T.S. Eliot, Shou, Pirandelo, Uelld, Martin, apo filozofë si B. Kroçe, H. Xh. Gadamer etj. Krahas kësaj, ai shkruan edhe vetë librete, siç ishte “Teuta”, mbretëresha e Ilirëve e cila pas mundjes nga romakët, ishte tërhequr dhe strehuar pikërisht në Kotorr, në vendlindjen e Zorbës./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →