Reali i Madridit ësh të zyrtarisht i zhytur në krizë. Kanë mjaftuar dy humbje të rënda kundër Barcelonës në La Liga dhe Milanit në Champions me një bilanc prej 7 golash të pësuar dhe vetëm një të shënuar, për të nxjerrë në shesh problemet e “Los Blancos” që fshiheshin pas fitoreve diku me fat e diku prej individualiteteve.Ky problem, nëse ka vetëm një, i Realit në fakt nuk është pjellë e këtij sezoni vetëm. Kishte shumë kohë, që nga i fundit, sepse sezonin e kaluar gjithçka shkoi mirë dhe përfundoi me dy titujt kryesorë në xhep (La Liga dhe Champions), plus një Superkupë dhuratë. Këtë sezon gjërat janë ndryshe. Që në fillim është parë që skuadra nuk ka karburantin e duhur dhe ishte çështje kohe që të arrinte në këtë situatë ku ndodhet tani, me 9 pikë larg Barcelonës në La Liga (Reali gjithsesi ka një ndeshje të prapambetur kundër Valencias) dhe me probleme në Europë. Gazeta spanjolle “Marca”, i ka bërë një analizë të thellë rrënjëve të krizës së Realit, duke evidentuar të paktën 10 çështje madhore.
Ançeloti nuk po gjen skemën e duhur – Largimi i Kros dhe në të njëjtën kohë ardhja e Mbapesë, ka krijuar kaos taktik në Madrid. Ançeloti dhe stafi i tij janë përpjekur të bashkojnë pjesët që nga fillimi i sezonit pa gjetur zgjidhjen më të mirë për lojën e dobët të ekipit. Nëse sezonin e kaluar “vizatimi” ishte pak a shumë i qartë, në këtë sezon nuk ka një të tillë. Më i përdoruri ishte 4-3-1-2, me Bellingam në majën e një mesfushe në formë diamanti. Këtë vit, kjo skemë është zhdukur nga harta. Dhe 4-3-3 dhe 4-4- 2, të cilat ishin margjinale në sezonin e kaluar, janë bërë më të përdorurat (përkatësisht gjashtë dhe pesë herë) brenda një diapazoni që përfshin 4- 2-3-1 dhe madje 3-4-3. Shumë lëvizje për kaq pak ndeshje, në të cilat lojtarët nga mesfusha e lart janë rrotulluar nëpër pozicione të ndryshme. Një kaos taktik që i ka çoroditur të gjithë.
Boshllëku i lënë nga Kros – Nuk mund të injorohet se mungesa e Toni Kros është kthyer në një dramë për Madridin. Gjermani ishte ai që e bënte Realin të lëvizte në fushë. Ishte ai që diktonte tempin, ai që vendoste kur të shpejtonte apo ngadalësonte lojën. Ai ishte në gjendje të lexonte më mirë se kushdo lojën në gjetjen e hapësirave të nevojshme për të bërë dëme në prapavijën e rivalëve, duke e bërë ekipin shumë më vertikal kur ishte e nevojshme. Ançeloti nuk e ka mohuar: “Ne kemi më shumë vështirësi kur jemi në zotërim të topit, pasi nuk kemi lojtarë me karakteristikat e lojës në hapësira të ngushta”. Nuk është rastësi që Kros ishte lojtari në ligat kryesore që e bëri topin të përparojë më shumë me pasimet e tij. Mungesa e tij ka bërë që “Los Blancos” të jenë shumë më të parashikueshëm në lojën e tyre. Sepse nëse ka pasur diçka që ka bërë mirë Kros, ai ka qenë krijimi i disbalancave te kundërshtari me ndryshimet e tij të lojës, një veprim që praktikisht është zhdukur këtë sezon.
Bellingam, shumë larg zonës – Ishte e pritshme që sezoni i kaluar spektakolar i Bellingamit do të ishte i vështirë për t’u përsëritur. Sidomos tre muajt e tij të parë të 2023-24, ku ai ishte një makinë për të krijuar raste dhe për të shënuar gola, shumë prej tyre vendimtarë. Pritej një zbehje këtë sezon, por tani nuk po flasim për zbehje. Rënia e tij ka qenë shumë e dukshme, e qenësishme. Përgjegjësia kryesore e anglezit nuk është të shënojë gola pa fund. Por nëse viti i kaluar nuk ishte normal për shkak të tepricës, nuk është po aq normale tani për shkak të mungesës së golit, zero! Duke përfituar nga ardhja e Mbapesë, Ançeloti donte t’i jepte atij një rol të ri, më afër atij të fantazistit sesa atij të golashënuesit dhe e justifikon: “Jemi të kënaqur me punën e tij. Ai punon shumë në fushë, garon, lufton dhe sakrifikon. Puna që ai po bën është më e rëndësishme se golat që shënoi vitin e kaluar”. Gjithsesi, kjo “punë e re” e ka larguar aq shumë nga zona, saqë porta e rivalit po duket një mirazh. Dhe Madridi po e vëren këtë. Në njëmbëdhjetë ndeshjet e para që luajti në sezonin 2023-24, ai shënoi 10 gola. Shifra mbresëlënëse që nuk kanë asnjë lidhje me atë që po ndodh tani.
Mbape, 9-ta nuk i shkon – Me ardhjen e Mbapesë supozohej se Reali do të rriste fuqinë goditëse dhe golat natyrisht. Pyetja ishte nëse ai do të luante në krahun e majtë, ku i pëlqen më shumë, apo nëse do të luante si qendërsulmues, siç kishte bërë më shpesh në fazën e tij të fundit në Paris. Fakti i të pasurit aty Viniciusin, sugjeroi se Mbape do të ishte më shumë një numër 9. “Unë do të luaj ku të dojë trajneri, mund të luaj në tre pozicionet e sulmit” tha francezi. Dhe është e vërtetë që ai nuk ka pasur probleme të luajë aty ku ka kërkuar Ançeloti. Por rendimenti i tij është ende shumë larg asaj që pritet. Problemi kryesor është tendenca e Mbape për të luajtur në të majtë aty ku është Vinicius, duke e lënë zonën qendrore pa reference. Nuk është vetëm çështja e tij, por edhe e brazilianit. Ekziston një mungesë sinkronizimi në lëvizjet ku nëse njëri zë krahun e majtë, tjetri të zërë zonën qendrore të sulmit, për të pasur atë referencë në zonën e numrit 9.
Mungesa e efikasitetit – Një çështje e lidhur ngushtë me dy problemet e mëparshme është mungesa e efikasitetit para porte. Të bardhët arrijnë në zonë, por materializojnë më pak nga rastet e krijuara. E vërteta është se skuadra ka shënuar (duke eliminuar ato nga penalltitë) 24 gola mes kampionatit dhe Champions, që korrespondojnë saktësisht me objektivat e pritshëm, ndaj po përmbush pritshmëritë. Por është normale që një ekip në nivelin e Realit të shënojë më shumë se sa tregojnë numrat e tij bazikë.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL