Biznesmeni Ilir Rrapaj, i cili dëshmon në Komisionin Hetimor të Sterilizimit dhe Check Up-it, është pyetur lidhur me njohjen me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Rrapaj ka mohuar njohjen me ish-ministrin Beqajn, duke thënë se e njihte vetëm si figurë publike dhe e ka takuar për herë të parë në një aktivitet të mbajtur nga qeveria shqiptare në Pallatin e Kongreseve.
Ndër të tjera, ai është pyetur nga kryetarja e komisionit, Albana Vokshi, edhe për një aksident që Ilir Beqaj ka deklaruar se ka pësuar në Itali.
I pyetur nëse ka ndihmuar Beqajn të kurohet, biznesmeni Ilir Rrapaj tha “më vjen keq që s’kam qenë”.
“Është 850 km larg nga ku rri unë, as e njoh dhe se kam njohur ndonjëherë. Uroj të mos njoh njerëz nëpërmjet spitaleve”, tha ai, ndërsa shtoi se nuk ka dijeni as për një vilë që ish-ministri Beqaj thuhet se ka blerë në Itali.
Pjesë nga dëshmia:
Pyetje: A e njihni Ilir Beqajn?
Rrapaj: E kam njohur se kush ishte si personazh publik!
Pyetje: Nuk kishit miqësi?
Rrapaj: Jo, as më parë, as gjatë, as më vonë.
Pyetje: E njihni vetëm nga larg?
Rrapaj: Patjetër!
Pyetje: Kur e keni takuar për herë të parë?
Rrapaj: Po në të njëjtin aktivitet të thirrur nga qeveria shqiptare, një përshëndetje. Aty kam pasur rastin që fillimisht t’i njoh se kush janë.
Pyetje: Nuk keni biseduar?
Rrapaj: Ishin mbi 400 pjesëmarrës dhe secilit i është ofruar një përshëndetje mirëseardhjeje në tavolinë, asgjë më shumë.
Pyetje: Kur ai ka pësuar aksident në Itali, nuk keni qenë ju që e keni ndihmuar të kurohet?
Rrapaj: Jo zonjë, më vjen keq që s’kam qenë.
Pyetje: Beqaj e ka pranuar vetë dhe ka vajtur në një prej spitaleve në Bari.
Rrapaj: Është 850 km larg nga ku rri unë, as e njoh dhe se kam njohur ndonjëherë. Uroj të mos njoh njerëz nëpërmjet spitaleve.
Pyetje: A keni dijeni për një shtëpi, vilë që ka bërë Ilir Beqaj në Itali, pas fillimit të koncesionit të Stilizimit?
Rrapaj: Jo!