“Shitësi i barit të miut”- Tregim nga Flamur Topi

shitesi i barit te miut tregim nga flamur topi








































FLAMUR TOPI flamur topi

Sa më shumë po afrohej shemra autostradë, aq më shumë po rritej shqetësimi dhe tensioni ynë. Po e ardhmja, pa rrugën tonë të vjetër, si kishte për të qenë? Oh, Zot, lutesha me përgjërim, ruaje, mbroje, kurseje këtë qytet të kamur e besimtar! Nesër ka për të qenë një tjetër qytet… edhe njerëzit ndryshe kanë për të qenë.

NGA RRËFIMI I SHITËSIT TË BARIT TË MIUT

Ai kishte “ekskluzivitetin” e barit të miut në qytetin e vogël K. Hëm, ju përfytyroj tek vini lehtësisht e ironikisht buzën në gaz për këtë term, por shitësi i barit të miut, tek më rrëfehej, kështu u shpreh: “Kam ekskluzivitetin e barit të miut”, gjë që, ç’është e vërteta, më bëri edhe mua të mbledh buzët.

Vite më parë, midis një mijë çikërrimave të ndryshme që tregtonin, helmin vdekjeprurës mund ta gjeje pa u lodhur shumë edhe në dyqane e kinkaleri të tjera. Kur rruga kombëtare, e vjetër sa vetë qyteti, që e përshkonte mespërmes, u zhvendos pesë a gjashtë kilometra s’andejmi, si një vazhdim i natyrshëm dhe më i shkurtër i korridorit tetë, fotoksina nisi të mungojë gjithnjë e më shpesh.

Autostrada e largët, tej në perëndim, e zhurmshme dhe moderne, si të mos i nevojitej më, e la mënjanë qytetin e vogël K., e zhbëri, e zhvlerësoi në kohë të shkurtër, thuajse e izoloi nga bota. Udhëtarët e linjave të largëta, drobitur nga udha e gjatë, nuk ndaleshin si më parë për të pushuar në sheshin e gjerë, rrethuar nga dyqane, hotele dhe restorante të kohës. Të përmalluar, vendasit vështronin çezmën e moçme, shumë pranë xhamisë e orës së qytetit, që dukej e shkretë dhe e braktisur, kur jo më larg se muaj më parë duhej të prisje në radhë për të shijuar ftohtësinë e akullt të ujit, që mbërrinte këtu kushedi se nga ç’lartësi e maleve pranë, gjithnjë të gjelbra, dimër e verë.

* * *

Nga dita në ditë, qyteti po varfërohej. Si një i sëmurë me tumor të pashërueshëm, po humbiste frikshëm peshë orë më orë, po anemizohej e zvenitej. Njerëzit mezi gjenin punë, madje edhe nga më të thjeshtat dhe shumë syresh po e humbnin atë. Tregtarët po falimentonin, hotelet e restorantet, të dëgjuara për gatimet e traditës, po shkretoheshin. Ushqimi po bëhej gjithnjë e më i mangët në qytet dhe brejtësit për këtë shkak po rralloheshin. Ndoshta largoheshin së këndejmi për t’iu afruar autostradës së zhurmshme, që me shpejtësi po mbushej nga të dyja anët me shtëpi, magazina, punishte, fabrika e sidomos me motele, hotele dhe restorante të reja.

Ai po e krahasonte gjendjen e re dhe kritike të qytetit të lindjes me ngushtimin e ngadaltë të arterieve koronare të tij për shkak të arterosklerozës. Një ditë, që s’kishte për të qenë e largët, ato do të mbylleshin prej një trombi fatal. A nuk qe mbyllur njëlloj arteria kryesore e qytetit K., udha e vjetër kombëtare? Ja, kështu kishin parashikuar mjekët dhe ajo pjesëz e zemrës që furnizohej prej tyre do të vdiste. Kësisoj edhe qyteti. Qe në prag të “infarktit” social. Shprehja se “edhe minjtë kërcisnin kokën në shkëmb” po bëhej gjithnjë e më e besueshme. Mund të dëshmohej me faktin dëshpërues për atë vetë, si shitës, se kërkesat për barin e miut po pakësoheshin nga dita në ditë. Tregtarët e dyqaneve dhe kinkalerive po e porosisnin në sasi gjithnjë e më të vogla, për të mos u skaduar rafteve.

Por ai, me shpirt ndër dhëmbë, rezistoi me këmbëngulje dhe pa u dorëzuar. Ja, me atë, “dyqankën” e tij, që s’qe tjetër gjë veçse një kuti e madhe prej kartoni, të cilën e ndërronte çdo javë kur koha qe e thatë e me diell dhe çdo dy ose tri ditë kur i lagej nga shiu, dhe një stol i sajuar gjithashtu prej kartoni të presuar.

Shitësi ynë përpiqej të ishte sa më korrekt me blerësit, ta kishte gjithnjë aty mbi kutinë e kartontë barin e miut e të mos mungonte kurrë që ata, në mot të mirë a të keq, në shi a në erë, ditën a në muzg, ta gjenin doemos e të mos ktheheshin duarzbrazur. Kështu, shitësit e tjerë, shumë më të fuqishëm se ai, me dyqane e kinkaleri për së mbari, po tërhiqeshin si pa u vënë re dhe në një mirëkuptim të heshtur (u mjaftonin një mijë vogëlima të tjera për të shitur), duke ia njohur natyrshëm e pa fjalë “ekskluzivitetin” e barit të miut për qytetin K. Madje, njerëzit i kishin vënë një nofkë a emër të veçantë. Dyqani i kolonelit, i thoshin. Dhe jo pa arsye. Kishte qenë vërtet oficer, ushtarak i nderuar me gradën e lartë të kolonelit. Një reformë e papritur dhe e egër në ushtri e flaku tej, si një leckë, në rrugë të madhe. Meqenëse në moshën që e zuri “taksirati” s’mund të bënte ndonjë punë tjetër, aq më pak fizike, për të mbajtur familjen, u detyrua të nisë një “zanat” që muaj më parë do ta kishte bërë të skuqej e ta refuzonte me përçmim e revoltë.

Eh, kështu erdhën kohërat! Kohëra të reja për qytetin K.

U dëgjua të flitej për vjedhjet e para të rënda dhe muaj më vonë, për vrasje, vetëvrasje e përdhunime të egra që i kishin munguar fatmirësisht K.-së prej kohësh që s’mbaheshin mend. O perëndi! Ruaje këtë qytet nga shkatërrimi që po i kërcënohet sado që është goditur rëndë dhe ndien dhembje të forta, ja si unë tani.

Shitësi i barit të miut nxitoi të vërë një trinitrinë nën gjuhë, veprim të cilin e kishte shpeshtuar kohët e fundit. Kur e ndjeu veten paksa më të qetë nga shtrëngimi spastik i koronareve, i shkoi mendja çuditërisht, ashtu kot, te Marksi1, po, po, Marksi i klasikëve. “I madh paske qenë, o Marks vëllai. Njëqind e ca vjet më parë e tëhu, ke parashikuar e gjykuar drejt. Ekonomia, vetëm ajo, është mëma e të gjithave, qoftë e së mirës, ja shih Amerikën, qoftë e së keqes, ja shihna ne. U rrënua ekonomia e njerëzit pa bëjnë kështu, pa u ka dalë mendja, pa po vriten e priten midis syresh, vjedhin, kërcënojnë e u vënë gjoba të rënda tregtarëve, ndalin autobusë e mikrobusë në mes të udhës e të ditës e, nën frikësimin e armëve, u rrëmbejnë vajzave e grave të tmerruara çfarë kanë në gishtërinj, në qafë, në veshë e në xhepa. Ç’t’u bëjnë dhëmballëve të arta që s’ua shkulin dot! Të paktën, deri tani, më kanë lënë rehat. E çfarë do të merrnin prej meje, çfarë? Oh, jo!”

Befas, tërë dhembje, shitësi psherëtiu thellë, duke u përpjekur t’i shmanget, t’i shpëtojë përfytyrimit mundues që, me këmbëngulje, si një ide a mendim fiks, bënte ç’ishte e mundur ta kaplonte, ta pushtonte të tërin dhe i thëthirë e paralizuar prej tij, si prej një shumëkëmbëshi helmues, të mos ishte në gjendje të mendojë a të ndiejë për asgjë tjetër përveç saj, adoleshentes, vajzës pesëmbëdhjetëvjeçare.

Në kësi rastesh ndihej vërtet keq, shumë keq. Si i pushtuar prej një krize kalimtare të Petit Mal2, ai ndërpriste bisedën me një të dytë, zbehej, ligështohej, mbushej me djersë, pëshpëriste diç të pakuptimtë, si ndër ethe, shtrembërohej në fytyrë, sikur të kishte gëlltitur një tabletë të hidhur kinine. Bashkëbiseduesi shqetësohej, tronditej, trembej, alarmohej, por shpejt ai përmendej, vinte në vete; pakëz i hutuar dhe si me turp kërkonte ndjesë dhe nxitonte sakaq të fshijë djersët e ftohta që i rridhnin tatëpjetë ballit e qafës.

Falë streseve të ditëve të fundit dhe gjumit të keq e të trazuar të natës që shkoi, përfytyrimi i gjallë i vajzës, i dallueshëm qartë, gati i prekshëm, nuk po i davaritej.

Në dorën e vockël, të bardhë e të brishtë, që i dridhej pareshtur (Ah, si nuk e çmoi në kohë atë dridhje të mortjes për t’i thënë me plot vendosmëri: “Jo, jo dhe jo!”), mbante, pra, një dorë njomëzake fëmije, një dymijëlekësh të vjetër.

O perëndi! Si e mori paketën e helmit dhe ia lëshoi në dorën imcake së mjerës vajzë, si t’i kishte kërkuar një ëmbëlsirë e jo barin e mallkuar të vdekjes?! Po si nuk iu tha në çast e t’i ishte bërë kallkan dora e tij e urryer? “Perëndia më vraftë!” – qortoi veten për të mijtën herë. – “Më vraftë e më shoftë!”

Të nesërmen e vdekjes tragjike të adoleshentes, përdhunuar shtazërisht nga njerku, një i afërm i saj nga nëna, i bëshëm e i fuqishëm, i dha një shkelm të rëndë “dyqankës së tij” dhe pastaj edhe atij vetë. I kishte thënë t’i falej e t’i falënderohej respektit të deritanishëm për të, pa trutë në erë do t’ia kishte hedhur. Si iu shitka bari i miut një fëmije? Si? Për një dymijëlekësh të qelbur? Jo! Më mirë ta kishte vrarë se e la kështu, gati gjysmënjeri, me një brengë të rëndë, sa me siguri për shkak të saj po vuante tani nga tensioni, zemra dhe neuroza sfilitëse.

“Eh, Marks! Ja, ekonomia e shkretë po më detyron të shes ende helmin e ndyrë që, për atë perëndi, ua jap për minjtë e kurrë, kurrë, asnjëherë për ata vetë”.

Qe bërë më i kujdesshëm, më i vëmendshëm, më i përmbajtur, pa u nxituar sadopak për t’ia lëshuar tjetrit në dorë helmin vdekjeprurës. Sikur të ishte një hetues i regjur, ia ngulte paq sytë viktimës së mundshme dhe e vështronte gjatë nga maja e kokës te këmbët. Orvatej të perceptonte shenjëzën më të vogël të shqetësimit e tensionit te blerësi. S’mund të shpjegonte se përse, në gjendje të këtilla stresi dhe përqendrimi të madh, i shfaqeshin përpara syve llambushkat e kuqe të alarmit që pulsonin pareshtur sa herë që shëmbëllimi i avionëve “armiq” shfaqej në ekranin e gjelbër të radarit; i bëhej se dëgjonte zhurmën e mprehtë të sirenave, që ende i kumbonin në vesh, e drithëronin dhe zgjonin tek ai instinkte të përgjumura.

“Hëm, ja tek vjen! Është nga ata! Nga ata! (Me këtë përcaktim shitësi i barit të miut nënkuptonte njerëzit e dëshpëruar e të pashpresë që kanë vendosur t’i japin fund jetës.) Kujdes! Hap sytë!” – i drejtohej vetes. – “Ji i vëmendshëm!”

Drejt tij, me dukjen e një të dehuri, tek lëkundej sa majtasdjathtas, si një i sëmurë parkinsonik, i parruar prej ditësh, buzështrembëruar, diç duke folur me vete si i përçartur, po afrohej një burrë rreth të gjashtëdhjetave.

Teksa i ngatërroheshin këmbët e tek humbiste për një çast ekuilibrin, desh e rrëzoi “dyqankën” dhe kutitë e barit të miut të sistemuara në rresht, njëra pas tjetrës, në një rregullsi e harmoni të tillë sa shpesh i sillnin ndër mend kuadratet e paradave të famshme ushtarake të viteve `60. Eh, kohëra, kohëra! Ishte skënderbegas atëherë. Tërë zell e dëshirë adoleshenti e shtrinte hapin me sa mundej dhe e përplaste pastaj fort mbi gurët e kalldrëmtë të Bulevardit të Madh, që tanket e rënda sapo i kishin ciflosur.

– Kujdes! Kujdes! – i tërhoqi vëmendjen të panjohurit, ndërsa ngrinte nga pllakëza e trotuarit të ngushtë një paketë fotoksine, që burri rrëzoi padashur.

– Dy kokrra bar miu! – kërkoi shkurt tjetri.

– Dashke të mbarosh punë shpejt me veten, – e provokoi ai, pa ia shqitur sytë.

– Çfarë? – pyeti tjetri, gjithnjë i turbullt, pa e kuptuar.

– Dashke të shkosh në parajsë brenda orës, – ia preu shkurt shitësi.

– E nga e di ti këtë? – pyeti si me dyshim, gati me naivitet, burri.

– Dukesh, – vazhdoi shitësi.

– Të ka rënë ndonjë hall i madh? Ke ndonjë problem të rëndë që s’po e zgjidh dot? Burri pohoi në heshtje me kokë.

– Si çdo njeri, kam edhe unë hallet e mia, por nuk kam ndër mend të vdes. Kokrrat i dua për minjtë, jo për vete, – gënjeu burri dhe u kuptua lehtë për këtë.

Zëri dhe dora e zgjatur drejt shitësit, që mezi mbante pesëmijë lekëshin, i dridheshin lehtë.

– Pa ulu njëherë të bisedojmë se barin ja ku e kemi. Mjaft të zgjas dorën…

“Oh, Zot! Si po shprehem kështu?! Mjaft të zgjas dorën, sikur të thosha mjaft të shkel këmbëzën dhe ti, o i panjohur, je i goditur për vdekje, je i pashpresë, je i pafrymë, je i vdekur”.

Instinktivisht, si i trembur se po ia rrëmbenin, shitësi vuri pëllëmbën e madhe si strehë mbi kutitë e fotoksinës. I bindur, burri u ul, madje aq pranë sa shitësi ndjeu erën e pakëndshme të rakisë, përzier me erën të qepëve të njoma.

– E ktheve një dopio para se të mbarosh punë me veten? – e ngacmoi shitësi.

– Eh, ja ashtu, dy teke, mbase tri… Po s’mbaj mend mirë. S’më kujtohet.

– Po thuamë! Folmë! Ç’hall i madh të ka zënë? Se mbase të gjendem. Po fol, de! S’ka gjë në botë që nuk e ka një zgjidhje. Veç vdekja s’ka derman.

Pas një ngurrimi të gjatë e të vështirë, përmes ngashërimeve të dëshpërimit, burri nisi të hapej. Shpejt, shitësi mësoi arsyet e depresionit të thellë të të panjohurit. Kishte humbur apartamentin te piramidat dhe për këtë shkak, edhe gruan e fëmijët, që s’e qasnin më në shtëpinë me qira, sepse kishte qenë bash ai që pati vendosur në mendje të vet, me dëshirën dhe ëndrrën e bukur për të blerë pastaj një hyrje më të gjerë. Kujt s’i qe qarë, cilit s’i kishte shkruar, deri më të madhit, por përgjigje s’kishte marrë kurrë dhe siç po dukeshin bathët, e kishte të humbur njëherë e përgjithmonë davanë. Dimri qe në prag, ai pa shtëpi e katandi, pa një dyshkë në xhep, i braktisur, i fyer, i përçmuar, madje i urryer nga më të dashurit. Atëherë, për çfarë i duhej jeta, përse u dashka jetuar, ç’kuptim ka, kur, në të vërtetë, s’është më jetë, por skëterrë, një ferr i mundimshëm?

Shitësi nisi të mbledhë kutitë e fotoksinës edhe pse për ta mbyllur “dyqankën” i duheshin tri ose katër orë. Burri po e vështronte i hutuar dhe i mpirë. Mund të kishte parashikuar si në delir çdo veprim të shitësit, por këtë jo, të paktën këtë…

Koloneli-shitës mbylli “dyqankën” e tij, më mirë të themi i maskoi diku, në një qoshe të errët e të pandriçuar nga llambat e shtyllave, kartonët e tij që pastruesit e natës të mos ia digjnin dhe i hodhi miqësisht krahun në sup të panjohurit depresiv, si të qenë njohur prej kohësh.

– Eja, – i foli me butësi. – Hidhemi pakëz nga shtëpia. Bëjmë një copë muhabet, kthejmë edhe ndonjë gotë raki me meze të mira që veç gruaja ime di të bëjë dhe mbase gjejmë ndonjë rrugëdalje, se të thashë, de, veç vdekja s’ka ilaç, veç ajo e mallkuara.

Një copë herë, burri rezistoi në heshtje, duke i qëndruar fizikisht tërheqjes, por edhe joshjes së shitësit për të lëvizur s’andejmi. Më në fund, hodhi çapin e rëndë, të lëkundur e të pasigurt, drejt shtëpisë së oficerit në pension, shitësit të barit të miut.

Kishte shpëtuar, ja kështu, dhjetëra të dëshpëruar, dhjetëra depresivë në kulmin e mërzitjes, ankthit, trishtimit e brengës: intelektualë pensionistë, të rrënuar ekonomikisht, të cilëve shitës injorantë s’u jepnin më ushqime me listë pa shlyer më parë detyrimet stivë, të sëmurë kancerozë, të lemerisur e të mbilodhur nga dhembjet torturuese, me gjithë analgjezikët e fuqishëm që merrnin, vajza të reja, të mashtruara a të rrëmbyera forcërisht dhe pastaj të përdhunuara shtazërisht në skuta të errëta e pise “motelesh” a “hotelesh” ordinere, gra të trafikuara dhunshëm nga vetë bashkëshortët e tyre në mërgim, dashuruar me lavire rrugësh, prostituta të penduara a të kthyera forcërisht prej policive të vendeve fqinje, që nuk qaseshin nga të afërmit e tyre, bash për njollën e rëndë të turpit familjar që u kishin vënë, tregtarë të falimentuar, njerëz që kishin humbur gjithçka në piramida, shtëpi e katandi, familjarë të incestuar, adoleshentë me prirje homoseksuale, të pakënaqur me gjininë e tyre, që nuk “kuptoheshin” prej “injoranve” të tjerë, deri fëmijë të rrahur barbarisht nga prindërit për një pesëmijë lekësh të humbur në pazar, për një televizor të thyer në shtëpi.

Një pjesë syresh, kur nuk mbërrinin të merrnin fotoksinën “shpëtimtare” prej duarve të tij, i jepnin fund jetës në tjetër mënyrë: mbyteshin në ujë, vareshin, godisnin veten me thikë, prisnin damarët, vetëvriteshin me armë zjarri, të cilat pas ngjarjeve tragjike të `97-tës gjendeshin pa u munduar shumë, pinin qetësues në doza të frikshme, hidheshin nga kate të larta pallatesh në ndërtim, fusnin duart në korrent, u dilnin përpara makinave të rënda, trenit. Oh, perëndi, tmerre pa fund!

Kur në kronikën e zezë të televizionit lokal transmetonin lajmet tronditëse të vetëvrasjeve tragjike, veçanërisht të të rinjve dhe i shoqëronin natyrisht me fotografitë e tyre (ai i njihte, i dallonte, i kujtonte sakaq), nuk mbyllte sytë tërë atë natë, shpesh edhe të nesërmen. Kësi rastesh mallkonte zanatin e ri e të vështirë të shitësit të barit të miut edhe pse asgjë, veç adoleshentes së mjerë, nuk rëndonte sadopak në ndërgjegjen e tij.

Të nesërmen e ngjarjes së pazakontë me burrin e piramidave ndihej çuditërisht i qetë, i lehtë, i papeshë, thuajse i lumtur. S’ishte pak, de! Kishte shpëtuar një jetë burri.

S’qe bërë ora që kishte hapur “dyqankën” e vet kur drejt tij po vinte ngadalë, e shpenguar, pa u nxituar sadopak, krejt e lirshme dhe e qetë, si të nusëronte, një grua, që dukej të ishte shtatzënë, duke e gjykuar nga barku i saj i fryrë.

Ndoshta, për shkak të gjendjes së tij të pazakontë shpirtërore, mbase edhe për shkak të qetësisë e sigurisë që rrezatonte gruaja e mirë, për të parën herë pas tre vjetësh që ushtronte zanatin e panatyrshëm e të pazakontë për atë vetë, të shitësit të barit të miut, nuk dyshoi aspak për qëllimet e vërteta të së panjohurës. Madje, ajo mbante për dore një djalë të vogël rreth pesë vjeç, që e bënte edhe më të besueshme.

– Tri tableta fotoksinë! – foli gruaja, pa dhënë shenjën më të vogël të një emocioni sado të fshehur e të maskuar me kujdes.

Në pamjen e saj, në tërë qenien e saj, si grua dhe nënë veçanërisht, nuk kishte shenjën më të zbehtë të ankthit, alarmit e depresionit. Ai qe shumë i sigurt për këto. Tani s’ia hante më qeni shkopin.

– Paskeni shumë minj në shtëpinë tuaj, zonjë, – foli shitësi, teksa në shenjë respekti ngrihej në këmbë, si i sugjestionuar e i hipnotizuar befas prej saj.

Gruaja vuri paksa buzën në gaz, aspak e sforcuar e false, siç rëndom duken lehtësisht ata që shtiren e mashtrojnë.

– Po. Kemi ca si shumë. Madje, më bezdis veçanërisht një i madh e i frikshëm.

Oh, perëndi, si nuk e nuhati, si nuk e kuptoi nëntekstin, ironinë e hollë dhe adresimin e tërthortë të saj, si?

– Janë aq të forta, zonjë, sa mbysin dhjetë njerëz së bashku. Ju siguroj për këtë, – tha ai, tek ia paketonte tërë kujdes e delikatesë, si të ambalazhonte një tortë ditëlindjeje e jo më “pastën” e hirtë të mortjes.

Ai ngriu kallkan kur spikeri i televizionit lokal, i tronditur, edhe pse kishte transmetuar me dhjetëra e dhjetëra njoftime tragjike të këtij lloji, njoftonte lajmin drithërues se një grua shtatzënë, tradhtuar në mënyrë të përsëritur nga i shoqi, pasi e kishte gjetur me të dashurën në shtratin bashkëshortor, ashtu qetësisht, paqësisht, denjësisht, fisnikërisht, pa ulëritur, pa britur, pa iu kërcënuar atyre, pa u përbetuar, pa u çjerrë me thonj e gishtërinj për gjëmën që i kishte rënë papritur, pa u ankuar, pa denoncuar asgjëkund, pa iu qarë as edhe perëndisë vetë, kishte marrë një vendim të rëndë e tragjik: të sakrifikohej së bashku me pasardhësin e tij shtatëmuajsh, që në të vërtetë i shoqi po e priste më me padurim se ajo vetë, si një shenjë e protestës së saj ndaj tradhtisë bashkëshortore, për dashurinë e parë e të vetme të saj vrarë pabesisht.

Kur në ekran u pasqyrua shëmbëllimi elektronik i portretit të së vetëhelmuarës dhe shitësi i barit të miut njohu gruan, sikur papritur të ishte goditur nga iktusi3 e të qe paralizuar, i shpëtoi nga dora filxhani i çajit.

– Mos! Mos! – thirri tërë dëshpërim.

– Oh, jo, jo! Ndjeu një dhembje të fortë e të hidhur bash në mes të gjoksit dhe u mbyt në djersë.

– I mjeri unë! – iu drejtua vetes. – Të paktën me adoleshenten s’kisha përvojë. Sapo kisha nisur punë, këtë punë të poshtër e të ndyrë. Por me këtë grua, me këtë nënë të re, për më tepër shtatzënë, s’më falet. Jo, kurrë! Kam vrarë sërish. Vrava dy njerëz njëherësh, dy engjëj! Oh, ç’dhembje, ç’dhembje!

Shitësi i barit të miut futi trinitrinën e katërt nën gjuhë e sërish nuk u qetësua. Në të pestën humbi ndjenjat dhe gati të pafrymë, familjarët e gjetën të shtrirë sa gjerë e gjatë në qilimin e shtëpisë, me një filxhan çaji në dorë, zbrazur tërësisht në mozaikun shumëngjyrësh të shtrojës së leshtë.

* * *

Së largu, shitësi i barit të miut dalloi siluetën e turbullt të një të moshuari që, dalëngadalë, ashtu çalë-çalë, po shkonte drejt tij.

“Eh, kohëra, kohëra! Tani duhet të bësh kujdes, të ruash edhe tetëdhjetëvjeçarët. Çoç ku u shkrep ndonjëherë në kokë edhe këtyre…”

Syçakërryer, si gjuetari në përgjim, nisi të ndjekë atë që afrohej ngeshëm e në qejf të vet, pa ndonjë shenjë tensioni e shqetësimi të dukshëm. Një çast erdhi në vete, u kthjellua, u përmend. I pezmatuar, teksa tundte kokën si të thoshte: “Hajde, Lumo, hajde!” nënqeshi hidhur dhe me përçmim, thuajse i mërzitur me veten. “Po ç’ke, o Lumo, ç’ke? Ç’po ngjet kështu me ty? Ç’është tërë kjo frikë, ky tmerr?”

Kur silueta u afrua më shumë, u kthjellua e u qartësua, njohu komshiun e mëhallës së vjetër. I moshuari hapi duart që nga larg.

– Nga je, o Lumo shpirti, që na i thave sytë? Po ku je, o derman? Nga bëhesh kështu? U shtrënguan dhe u përqafuan tërë mall.

– S’e paske marrë vesh? Desh shkova, desh i lava duart nga kjo botë. Tjetri shtangu.

– Ç’thua more? Qofshin të shkuara! Po ç’pate, ç’pësove? Ai nisi të rrëfejë shtruar. Në mes të bisedës, një adoleshent i qe afruar “dyqankës” së tij dhe përkundër zakonit e shprehive të reja të tij, s’e pati vënë re.

– Një copë! – iu drejtua shkurt djali, me një dymijë lekësh të zgjatur nga ai.

Shitësi brofi në këmbë. Ia nguli sytë si të shqiponjës bash te duart dhe dymijë lekëshi. (Oh, dymijë lekëshi i shkretë i së gjorës!) Obsesioni torturues, përfytyrimi fiks, si të ushqehej prej monedhës rozë, bënte të ringjallej, të shfaqej saktësisht si muaj më parë, i gjallë, gati i prekshëm, por çuditërisht i ftohtë, tepër i ftohtë, aq sa ndjeu t’i shkonin mornica drithëruese në shtat.

– Hej, një banane të thashë! – u nervozua djali, duke humbur durimin.

– Ah, po! Ja tani! Më fal, o djalë, se mosha bëka të sajën!

Kur adoleshenti u largua, shitësi i barit të miut, tek fshinte qafën e dirsur, iu drejtua të moshuarit.

– Skëndo vëllai! S’po arrij dot të shkëputem nga zanati i vjetër. Kur dikush më kërkonte një a dy copë fotoksinë, diç e brendshme, që më vinte nga thellësitë e trupit e të shpirtit tim, si një alarm a kushtrim nga ato të zgjimit në ushtri, më sillte në vete, më përmblidhte. Instinktet e zgjuara më dukej se më pëshpëritnin pareshtur: “Kujdes, Lumo! Bëj kujdes të madh! Mbase Fotoksinën nuk e blen për minjtë, mbase për veten, Lumo xhani. Hapi sytë mirë! Hapi, Lumo!”

– Bananet i paske vërtet të mira. Të të marr edhe unë gjashtë copë? – e ndërpreu i moshuari, si të donte ta shkëpuste sa më shpejt nga një e kaluar e mundimshme dhe torturuese për të.

– Merri, o Skëndo vëllai. Merri të gjashta. I ke nga unë këtë radhë. Edhe dymbëdhjetë po të duash. S’e merr me mend sa i kënaqur, sa i lumtur jam me zanatin e ri. Gjumi më zë si një qengj në darkë. Në ëndrra nuk shoh më minj të mëdhenj, gri e të zinj, që shkojnë e vijnë si të trembur, nuk shoh fotoksinë e njerëz të zbehtë si meitë, që vjellin e vjellin pareshtur tek japin shpirt. Shoh banane, miku im! Banane të verdha dhe faqe e buzë të kuqërremta fëmijësh. Dhe e di? Më pak kokrra trinitrinë jam duke përdorur.

Një grup nxënësish të shkollës së mesme, duke ngacmuar njëri-tjetrin, duke folur e duke qeshur me zë të lartë, si tërë adoleshentët e kësaj bote, po i afroheshin “dyqankës” së qetë.

Tek sistemonte bananet dhe i vinte në rresht me kujdes të madh, si dikur tabletat e fotoksinës, i çelur në fytyrë, me një gëzim të thellë, të brendshëm, gati fëmijëror, koloneli në pension nisi të thërrasë me aq sa i zinte zëri:

– Hajde banane, vajza! Blini banane, djem! Gjashtë copë një mijë lekë! Është bukë e fukarasë! Është shëndet! Jetë! Hajde banane, vajza! Blini banane, djem! Dhjetor 2003 Marrë nga vëllimi i dytë i librit me tregime dhe novela “Një natë jetë”

(Onufri, 2024)

(FOOTNOTES)

1- Karl Marks (1818-1883) – themelues i komunizmit shkencor dhe

i materializmit dialektik. Vepra kryesore e tij është “Kapitali” (1867).

2- Petit Mal – apo sëmundja e vogël. Një variant i sëmundjes së tokës

(epilepsisë) gjatë së cilës pacienti nuk përpëlitet nga dridhje të mëdha,

por humbet për një çast vetëdijen pa rënë përdhe.

3- Iktus – “goditja në tru”, hemoragjike ose trombotike (i ra pika

– shprehet populli), si pasojë e së cilës mjaft pacientë paralizohen ose,

në rastin më të keq, humbasin edhe jetën.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →