Gjyqtari në çështjen ndaj Donald Trumpit në Manhattan të New Yorkut ka shtyrë marrjen e vendimit nëse do të anulojë dënimin e presidentit të sapozgjedhur, për arsye imuniteti presidencial.
Gjykatësi Juan Merchan u ka thënë avokatëve të Trump të martën se ai do ta shtynte vendimin për më 19 nëntor, raporton The Guardian.
Shtyrja pasoi përpjekje të shumta të suksesshme për të vonuar çështjen e tij. Në fillim të këtij viti, ai u shpall fajtor për 34 akuza të falsifikimit të të dhënave të biznesit në një skemë për të ndikuar në zgjedhjet e 2016-ës.
Vendimi erdhi më 31 maj, pas më pak se 12 orësh diskutimesh të jurisë në gjyqin e parë penal të paprecedentë të një presidenti të SHBA-së. Rezultati shënoi një goditje për Trump, atëherë kandidati i supozuar republikan presidencial.
Prokurorët thanë se Trump regjistroi në mënyrë të rreme rimbursimet që i kishte bërë avokatit të atëhershëm Michael Cohen për një pagesë prej 130,000 dollarësh për yllin e filmave për të rritur, Stormy Daniels, për heshtjen e saj lidhur me aferën që pretendonte se kishte pasur me Trump.
Zyra e prokurorit të qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, ka thënë se këto falsifikime janë bërë për të fshehur shkeljen e ligjit zgjedhor të shtetit të Nju Jorkut nga Trump.
Trumpi parashihej të dënohej më 10 korrik. Mirëpo vendimi ishte shtyrë për në nëntor.