Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson deklaroi të martën se ligjvënësit republikanë janë “të gatshëm të përmbushin” planin e Presidentit të zgjedhur Donald Trump, duke këmbëngulur se janë më të përgatitur për përparësitë e mandatit të tij të dytë.
Nga shkallët e Kapitolit ku qëndroi së bashku me udhëheqësit e Partisë Republikane, kryetari tha se do të fillojë menjëherë puna për realizimin e planit të zotit Trump “Amerika e Para” për të siguruar kufirin jugor, për të demonstruar fuqi në skenën botërore dhe për t’i dhënë fund “ideve të skajshme progresive dhe ideologjisë radikale gjinore.” Ai tha se pret që republikanët të udhëheqin të gjitha institucionet, edhe pse ende nuk është përcaktuar se kush do ta ketë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.
“Jemi të gatshëm ta përmbushim mandatin e Amerikës”, deklaroi kryetari Johnson. “Do të jemi gati që në ditën e parë. Kësaj radhe jemi të përgatitur”, tha ai.
Presidenti i zgjedhur Trump do ta takojë kryetarin Johnson në Kapitol ditën e mërkurë kur të vijë në Uashington për takimet në Shtëpinë e Bardhë. Zoti Johnson tha se ai do ta kalojë fundjavën me zotin Trump në rezidencën e tij në Mar-a-Lago në Florida për të bërë përgatitjet për vitin e ardhshëm.
Kongresi amerikan iu kthye punës në një Uashington të ndryshuar ndërsa plani i Presidentit të zgjedhur Donald Trump po merr formë me shpejtësi, i nxitur nga aleatët e tij të mobilizuar republikanë, ndërkohë që demokratët po përpiqen të kuptojnë arsyet e humbjes.
Edhe pse rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve nuk kanë dalë ende, drejtuesit e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit tashmë kanë filluar përgatitjet për mandatin e dytë të zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe atë qe ai e ka quajtur “mandat” për të qeverisur, që përfshin dëbime në masë, heqjen e rregullave për sektorin e industrisë dhe shkurtimet masive në qeverinë federale.
Zoti Trump po vë në provë normat e qeverisjes që gjatë periudhës së tranzicionit – duke i kërkuar Senatit që të mos përfillë procedurën formale të konfirmimit dhe që thjesht t’i pranojë emërimet për pozitat në kabinetin e tij. Ai gjithashtu po mbush postet e administratës së tij dhe po gjen ligjvënës të gatshëm t’i anashkalojnë traditat e konsoliduara të ndryshimeve politike.
“Zoti Trump do të përmbushë (premtimet) e tij për dëbimet, shpimet për gazin, murin – duhet të gjithë të bëhemi bashkë për t’i realizuar”, deklaroi ligjvënësi republikan Ralph Norman nga Karolina e Jugut.
Por fillimisht, udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit do të mbajnë zgjedhje të brendshme partiake për të zgjedhur drejtuesit e tyre. Shumica e udhëheqësve kryesorë republikanë varen nga zoti Trump për karrierat e tyre politike dhe kanë bërë përpjekje për t’u afruar me presidentin e zgjedhur dhe për të dëshmuar besnikërinë ndaj tij.
Në Senat, ku republikanët siguruan shumicën natën e zgjedhjeve, tre senatorë republikanë, që po garojnë për pozitën e kreut të ri të Senatit, nxituan të bien dakord me planin e zotit Trump për konfirmim të shpejtë të të emëruarve të tij.
Këto shenja tregojnë se po fillon një reformim i plotë jo vetëm në qendrat e pushtetit në Uashington, por edhe i rregullave të qeverisjes ndërkohë që zoti Trump përgatitet për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë në janar, me një Kongres ku shumicën mund ta kenë republikanët, e që është shumë më pak skeptik apo i vëmendshëm ndaj qasjes së tij se para tetë vitesh dhe shumë më të gatshëm për ta mbështetur.
“Do të jetë një periudhë shumë sfiduese”, thotë ligjvënësja demokrate Pramila Jayapal.
Ajo i përshkroi ato që zoti Trump u ka premtuar votuesve si “politika të tmerrshme emigracioni” dhe këmbënguli se ligjvënësit progresivë në Kongres do të bëjnë “mbikëqyrje efektive” të Shtëpisë së Bardhë, në mënyrë të ngjashme me atë të që bënë demokratët gjatë mandatit të tij të parë, duke luftuar përpjekjet për të zhvleftësuar politikat për kujdesin shëndetësor dhe të tjera.
Njëkohësisht, ligjvënësja Jayapal paralajmëroi se zoti Trump do të ketë “shumë më pak kufizime”.
Provat e para do të vijnë gjatë periudhës së ardhshme tetë javore deri më 3 janar të vitit 2025, kur ligjvënësit do të betohen.
Ndërkohë që ligjvënësit kthehen në punë këtë javë atyre do t’u bashkohen dhjetëra emra të rinj në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat, të cilët po qëndrojnë në Uashington për javën e orientimit si dhe zgjedhjet e brendshme, të cilat do të mbahen të mërkurën.
Gara e parë, ajo për udhëheqësin e Senatit për të zëvendësuar Senatorin republikan Mitch McConnell, është kthyer në një provë besnikërie ndaj zotit Trump, me aleatët e presidentit të zgjedhur, përfshirë miliarderin Elon Musk dhe pjesëtarët me ndikim të fushatës së tij – që po mbështesin senatorin Rick Scott nga Florida.
Por Senatori Scott nuk është kandidati më popullor për këtë pozitë dhe kolegët e tyre po mbështesin senatorët John Thune dhe John Cornyn. Rezultati i zgjedhjeve të brendshme që do të mbahen të mërkurën prapa dyerve të mbyllura është plotësisht i pasigurt.
Në Dhomën e Përfaqësuesve, disa republikanë nga radhët e ligjvënësve konservatorë po sugjerojnë që zgjedhjet për udhëheqësit e tyre të mbahen pasi të jenë finalizuar rezultatet e garave zgjedhore për këtë institucion. Demokratët do të mbajnë zgjedhjet e tyre për udhëheqësit e tyre në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve më vonë.
Kryetari Johnson dëshiron ta mbajë pozitën e tij. Ai u tha kolegëve të tij përmes një letre të dërguar javën e kaluar se është i gatshëm të realizojë planin e zotit Trump. Por prapa dyerve të mbyllura, ai pritet të përballet me kundërshtarë.
Ndërkohë që zotit Johnson i duhet vetëm shumica e thjeshtë gjatë takimit të mbyllur të mërkurën për t’u bërë kandidati republikan për kryetar, atij i duhet mbështetja e 218 ligjvënësve në janar në një votim të hapur në Dhomën e Përfaqësuesve.
Në javët në vazhdim, Kongresi ballafaqohet edhe me një afat tjetër, atë të 20 dhjetorit, për miratimin e buxhetit për qeverinë federale apo të rrezikojë mbylljen e saj. Ligjvënësit konservatorë po e dyfishojnë trysninë ndaj zotit Johnson për të mos bërë lëshime ndaj kërkesave të tyre për të shkurtuar shpenzimet.
Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati po ashtu duhet të rishikojnë Fondin për Ndihmë ndaj Katastrofave, për të ofruar ndihmë të prekurve nga uraganet Helene dhe Milton.
Ndërkohë që Presidenti Biden po bëhet gati të dorëzojë detyrën dhe demokratët po humbin kontrollin e Senatit, trysnia do të përqendrohet tek konfirmimi i emërimeve në fushën e drejtësisë dhe për të miratuar projektligjet që mund të hyjnë në fuqi para se zoti Trump të marrë pushtetin./VOA