Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë tha se në Shqipëri pensionet mesatare janë shumë të ulëta, ndërsa theksoi se të moshuarit nuk mbushin dot barkun me bukë.
“Pensioni mesatar në Shqipëri është nën vlerën e minimumit jetik, thënë shqip: nuk mbush dot barkun me bukë”, tha Qori në emisionin “Open” në News24.
Ai tha se janë qindra miliona euro që vidhen, ata mund të shkonin në subvencionin e skemës se pensioneve.
Referuar pr/buxhetit për 2025, Qori tha se raporti kontribues-pensionist do të jetë 1.17, aq sa është edhe sot. Në këtë kuadër, Qori tha se kjo qeveri tregon se nuk do të luftojë as informalitetin, as do të bëjë asgjë për të ndryshuar situatën.
“Kemi një qeveri që tallet me pensionistët, mendon se ata 700 mijë pensionistët i ka në xhep dhe vijon tallet. Del Kryeministri dhe nuk di se çfarë thotë, njëherë flet për bonuse, pastaj për rritje. Rama i përzgjedh edhe ata pensionistët që thërret në takime”, tha Qori.