Apeli i Posaçëm ka caktuar datën 19 nëntor ora 10:00 për të zhvilluar seancën për shqyrtimin e ankimit të Presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Meta, i cili kërkon lirimin nga burgu, raporton gazetarja Klodiana Lala.
Gjithashtu po në të njëjtën datë Apeli i Posaçëm do të shqyrtojë edhe kërkesën e ish-bashkëshortes së Metës, Monika Kryemadhi, e cila ankimon masën “detyrim paraqitje”.
Meta dhe Kryemadhi janë nën hetim për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.
Që prej datës 21 tetor, Ilir Meta ndodhet në qelitë e paraburgimit të burgut 313 në Tiranë, teksa po përballet me 3 akuza: korrupsion, mosdeklarim të pasurisë dhe pastrim i produkteve të veprës penale.
Por në një intervistë ekskluzive për gazeta “Panorama”, Meta i mohoi akuzat dhe e konsideron hetimin ndaj tij si të motivuar politikisht për të sulmuar opozitën në Shqipëri.
Ish-Presidenti denoncoi edhe mënyrën e arrestimit të tij, ndërsa tregon momentin e prangosjes nga njerëz me maska dhe pa asnjë shkresë zyrtare.
Ilir Meta tha se nuk ndjehet i burgosur, por i izoluar në mënyrë ekstreme dhe të paligjshme vetëm për arsye shumë të forta politike. Sipas ish-Presidentit, burgosja e tij u bë që të dobësojnë reagimin opozitar.
Meta foli për një tjetër shkelje, pasi siç u shpreh ai, pas prangosjes, nuk e lejuan që të kontaktonte me avokatin dhe nuk e njohën me të drejtat sipas ligjit.