Agron Gjekmarkaj thotë se fitorja e Donald Trump në SHBA do të sjellë ndryshime të mëdha për Shqipërinë dhe për opozitën. Ai u shpreh besimplotë, se do të këtë një rishikim të shpalljes non grata të Sali Berishës, duke theksuar se kreu i PD është një mik i madh i SHBA.
Sipas tij, shpallja non grata e Sali Berishës është vendimi me paradoksal dhe i pamerituar.
“Sa i përket Berishës besoj që një nga vendimet më paradoksale ka qenë shpallja non grata e pamerituar në cdo pikëpamje. Mbetet për t’u parë, unë jam besimplotë që do ketë rishikime. Berisha është mik i Amerikës, ka sjellë Bush në Shqipëri, futi Shqipërinë në NATO
Mendoj që do ketë ndryshime të madha hipostazash, do ketë metamorfoza të mëdha, por do ketë reflektime pozitive në Shqipëri mbi politikën shqiptare, në raport me opozitën dhe Sali Berishën”, tha Gjekmarkaj në emisionin Open në News24.
Po ashtu, nënkryetari i PD u shpreh se ajo që ndodhi në SHBA me fitoren e Donald Trump ‘ka ndryshuar perceptimin për vetë demokracinë amerikane’.
“Besoj që ajo çka ndodhi në Amerikë ka ndryshuar perceptimin për vetë demokracinë amerikane dhe zhgënjeu elita dhe pseudo elita, zhgënjeu sondazhe, dha një shembull sesi një popull e zgjedh vetëm liderin e vetë përtej ndikimit që mund të kenë gjykatat apo proceset politike, ky është rasti i Donald Trump.
Fitorja e tij ka krijuar një mpirje dhe pritshmëri në Evropë dhe në Shqipëri.
Ndryshe nga Trump i mandatit të parë, tani e shoh më të strukturuar nga pikëpamja ideologjike, kam ndjekur çdo fjalim që ka mbajtur pas fitores dhe më ngjan se është kthyer te konservatorët e viteve 30-40 që flasin për vlerat e familjes, për vlerat e kundërshtarit për pavarësinë e institucioneve”, u shpreh Gjekmarkaj.