Lame Fandi/ S’ka kaluar shumë kohë nga dalja në dritë dhe romani “Mossanga” i Fate Velajt, tashmë është bërë pronë kulturore e të gjithë lexuesve. Përhapja e gjerë e veprës të kujton se sa me vend janë fjalët e arta të Hans-Georg Gadamer-it: “Kultura është e vetmja pasuri e njerëzimit që, e ndarë me të tjerët, në vend që të zvogëlohet, zmadhohet”.
Fillimisht nisa të mendoj se “Mossanga” është romani i parë i një “sage” sepse ai nuk pasqyron vetëm jetën e një grupi fëmijësh të sjellë prej Kongo-s në Shqipëri, të cilët për vite të tëra jetuan në Vlorë, në qytetin, që me gjithë vështirësitë e kohës, i bëri bij të saj. Fati i tyre u ndërthur me fatet e dy-tre brezave vlonjatësh dhe pikërisht këtu nis saga e tyre dhe e gjithë qytetit. Për t’u bindur se është sagë, veprës do t’i kërkohej pasqyrimi në vazhdimësi i jetës së disa brezave. E gjithsesi, gjatë leximit njihesh jo me një, po me disa fate familjesh të qytetarëve, që u ndërthurën me ato të të miturve afrikanë etapat e ndryshme të formimit të tyre.
Më shumë se sa për një sagë, Fate Velaj ka synuar që romanin më të mirë ta bëjë për Vlorën, qytetin e dashur ku lindi e ku kaloi vitet e para të jetës së tij. Me lehtësinë e një rrëfimi të çlirët e karakteristik autori vjen te lexuesi duke ia bërë të tijat të “vërtetat” e shumta, të cilat shtresëzohen me qartësi habitëse në ndërgjegjen e secilit. Në vend që të mendojë për klasifikime teorike letrare, lexuesi më shpesh pyet veten se ç’e bën këtë libër kaq të afërt me të. Shumë vlonjatë, sidomos ata që ishin në moshë të re si dhe mjaft prindër, që i ndihmuan fëmijët kongolezë për të mos u ndier të vetmuar, gjatë leximit të romanit rikujtojnë e rijetojnë plot ngjarje e njerëz të asaj kohe.
Veçoria filmike e sjelljes me shkathtësi të situatave prej autorit ka bërë që të shihen qartë e bukur jo vetëm portretet e fëmijëve, por dhe të banorëve të qytetit që, me zemër të madhe, i “birësuan” ata. Krahas tyre na vijnë përpara edhe figura të shquara të historisë qytetare, ku mbi të gjithë spikat portreti i gdhendur me dashuri i mësuesit të gjuhës frënge Nestor Nepravishta. Libri është i tejpopulluar me personazhe që paraqiten me emra të vërtetë, si drejtori i gjimnazit Spiro Jovani, apo figura fisnike e mjekut Pavllo Flloko, që gjithë vlonjatët e quanin “Doktori Ynë”. Bukur e interesantë vijnë gjithashtu edhe portretet e Llambi Pazollit, Todi Drizës që sfiduan me guxim ligjin e urryer të propagandës e agjitacionit.
Shumë të tjerë shfaqen me karakteristika të papara apo të padëgjuara e që ende të bëjnë të pyesësh veten se ç’ishte e ç’bënte enigmatiku “Tol francezi”, që “mbiu papritur” në jetën e qytetit. Ashtu si në realitet, edhe në roman ai paraqitet befasues, teksa bërtiste rrugëve si i çmendur në frëngjisht parulla të revolucionit francez, krahas me shprehje që ironizonin diktaturën. Si një tjetër befasi, po ndryshe, tepër e trishtë dhe tronditëse shfaqet gruaja gjermane Elke Schmidt, e cila në vend që të bashkohej me korin e atyre që thërrisnin “Rroftë shoku Enver!” ngrinte dorën, si dikur nazistët, duke lëshuar britmën “Heil Enver!”. Frika dhe pasiguria e njerëzve gjatë diktaturës ka zënë vend në roman krahas me një ndjenje ankthi që e ka hijen e saj edhe sot, sado që kanë kaluar 34 vjet nga rënia e atij regjimi . Klima e pasigurisë dhe frika që sundonte kudo përshkruhen me mjaft vërtetësi. Te njerëzit e thjeshtë po e po , por edhe te i gjithë aparati që mbante në këmbë diktaturën, madje dhe te vetë diktatori, që hiqej sikur nuk ia kishte frikën askujt. Skena e ndjekjes së ceremonisë së varrimit të Titos nëpërmjet televizorit, ku diktatori është strukur i vetmuar në studion e tij për të fshehur zilinë e makthin e vet, vjen e përshkruar mjeshtërisht, duke të kujtuar teatrin shekspirian. Vërtetësia e detajeve bën të mendosh se autori po ta sjell dramën që po përjetonte Enveri, si një filmim të xhiruar nga dikush që ka qenë i fshehur aty pranë.
Libri shquhet si i veçantë edhe për tendencën e dukshme të bërjes së autorit një me lexuesin. Për ta forcuar këtë mendim do t’ia vlente të vija në dukje kënaqësinë, që ma kanë përmendur mjaft nga lexuesit kur janë ndeshur me shumë shprehje thukëse, që dikur ishin në gojë të të gjithëve dhe që kanë ngelur të magazinuara që prej asaj kohe në mendjen e vlonjatëve.
Shumëkush, duke mos iu ndarë leximit, teksa sheh dhe gjendet mes situatave të vështira që trajtohen, e gjen lehtësimin në flladin karakteristik të rrëfimit intim si në të gjitha veprat e Fate Velajt. Disa prej lexuesve janë çuditur edhe nga fakti që “Mossanga” erdhi te lexuesit shpejt , pa kaluar shumë kohë nga dalja e romanit “Mi manchi” që në Itali, aty ku zhvillohen dhe ngjarjet e tij, u vlerësua me Çmim të Parë. Gjatë bisedave më kanë pyetur shpesh se si ka mundësi që romanin “për Vlorën”, të cilin , siç më tha autori ditën e ceremonisë së marrjes së çmimit në Bari, “do ta niste javën tjetër”, arriti ta shkruajë në një kohë rekord, brenda tre muajve. Nuk besoj të kem gabuar kur e kam nisur shpjegimin me fjalët që Fate Velaj nuk u shfaq te ne rastësisht. Ndërkaq, më është dashur të shtoj që sipas Ismail Kadaresë ai “… erdhi në letrat shqipe si një autor origjinal, si një ngjarje letrare dhe si një risi …”. “Kemi të bëjmë – ka vazhduar Kadareja – me një autor tejet të veçantë , ndryshe nga gjithçka, me një gamë të gjerë larushmërie përthithëse, plot freski dhe stil rrëfimtar të magjishëm…”.
Duke pasur parasysh korpusin e veprave artistike të Fate Velajt si dhe gjithçka është thënë për të si piktor e fotograf i pasionuar, plot kulturë e përvojë e kam gjetur me vend të shprehem që ai erdhi në fushën e letrave si në shtëpinë e tij. Kur them si piktor, më duhet të saktësoj cilësimin si piktor abstrakt. E kam parë prej kohësh se si i realizonte pikturat në formate të mëdha, se si i derdhte në telajo ngjyrat, të cilat, ashtu si llava e vullkaneve i përhapeshin duke krijuar nënshtresa emocionesh. Janë po këto ngjyra që, duke dalë në dritë me mënyra e penelata të ndryshme, të vrullshme, të shkathëta e çlirëta, ndërthuren e krijojnë një atmosferë të ngrohtë shpirtërore. Fate Velaj ka krijuar një individualitet të menjëherë dukshëm si në pikturë, ashtu dhe në fotografi e letërsi. Duke punuar shpejt e shpejt e me abstragime befasuese, në veprat e tij merr vrulle të papara liria e shprehjes. Dhe pa vrullet e lirisë së shprehjes nuk mud të arrihen rekorde kohore në krijime veprash me peshë si “Mossanga 406 faqëshe, që të gjithë e lexojnë pa e lëshuar nga dora. Nuk duhet të harrojmë edhe se Fate Velaj është përmendur prej kohësh për rekorde e risi në ngritjen e urave kulturore midis vendeve e popujve të botës. Po veç kësaj duhet thënë me plot gojë se urat e këtij arkitekti janë unikale. Ato duken menjëherë që janë të veçanta sepse janë përbëra nga tre harqe: piktura-fotografia artistike dhe letërsia, të cilat lidhen dhe e mbajnë fort njëra tjetrën.