Tre ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, gjatë seancës për ish-kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici, kanë bërë betimin para Gjykatëses së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
Ekspertët duhet të përcaktojnë në gjendjen shëndetësore të të dënuarit Safet Gjici, i cili ka kërkuar lirim nga qelia.
Gjithashtu duhet të përcaktojnë nëse ish-kryebashkiaku mund të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor në kushtet e burgut dhe nëse i rrezikohet jeta nga qëndrimi në izolim.
Ndërkohë ekspertët e IML Tiranë i kanë kërkuar kohë Gjykatës për të përgatitur aktet dhe detyrat e përcatuara nga Gjykata, për këtë arsye seanca e radhës do mbahet në 23 Dhjetor 2024
Ish-kryebashkiaku i dënuar me 3 vite burgim ka ende për të shlyer 1 vit e 2 muaj dënim të mbetur, ndërkohë aktualisht ai gjendet i hospitalizuar në një spital privat.
Sipas avokatit, ish-kryebashkiaku i Kukësit vuan nga probleme të sistemit kardiovaskular, zmadhim të aortës dhe diabet të formës së rënduar. Avokati shprehet se këto problematika Gjici i ka vuajtur edhe më herët, por gjendja e rënduar psikologjike në burg ka rënduar edhe gjendjen e tij shëndetësor.