Tensionet me Serbinë, presidentja Osmani: Masat ndaj Kosovës, po krijojnë mungesë ekuilibri në dialog

tensionet me serbine presidentja osmani masat ndaj kosoves po krijojne mungese ekuilibri ne dialog
tensionet me serbine presidentja osmani masat ndaj kosoves po krijojne mungese ekuilibri ne dialog

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi që të hiqen masat ndëshkuese që vitin e kaluar Bashkimi Evropian vendosi ndaj Kosovës për shkak të mospërmbushjes së disa kërkesave që kishin të bënin me shtensionimin e situatës në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Gjatë një takimi me shefin e zyrës së BE-së, Tomas Szunyog, ambasadorin e Francës, Olivier Guerot, atë të Italisë, Antonello De Riu dhe zëvendësambasadorin e Gjermanisë, MathiasConrad, Osmani tha se masat janë “të padrejta” dhe po krijojnë “mungesë ekuilibri në dialog” me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Osmani shtoi se Kosova ka ndërmarrë hapa drejt përmbushjes së kërkesave të faktorit ndërkombëtar për këtë çështje.

“Heqja e masave do të krijonte atmosferë shumë më pozitive për vazhdimin e dialogut parimor ku të dyja palët do të trajtoheshin të barabarta”, tha Osmani, sipas një njoftimi për media.

Verën e vitit të kaluar, BE-ja ndërmori masa ndëshkuese kundër Kosovës, përfshirë anulimin e disa fondeve dhe takimeve të nivelit të lartë, për shkak se Kosova nuk iu bind disa kërkesave të saj për të shtensionuar situatën në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe.

Në mesin e kërkesave të BE-së, por edhe Shteteve të Bashkuara ishte edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në veriun e Kosovës, pasi ato të prillit të vitit 2023 u bojkotuan nga serbët, gjë që bëri që zgjedhjet në katër komunat në veri të fitoheshin nga kryetarët shqiptarë.

Osmani, sipas njoftimit bisedoi për përgatitjet që po bëhen për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

“Presidentja ritheksoi se e drejta për të kërkuar largimin e kryetarëve nëpërmjet nënshkrimeve është e drejtë që u takon qytetarëve dhe se tani pret që në KQZ të kryhen të gjitha procedurat e nevojshme në përputhje me ligjin dhe udhëzimin administrativ në fuqi”, u tha në njoftim.

Në Zveçan, Leposaviq, Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, qytetarët serbë kanë organizuar mbledhjen e nënshkrimeve për nisjen e procedurave ligjore për shkarkimin e kryetarëve komunalë shqiptarë.

Peticioni është organizuar në përputhje me një udhëzim administrativ të miratuar, që u mundëson qytetarëve shkarkimin e udhëheqësve komunalë.

Gjatë takimit Osmani po ashtu foli për përleshjet mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan më 29 maj, duke thënë se Serbia “nuk po përballet me përgjegjësi për nxitjen e sulmit” ndaj paqeruajtësve të misionit të NATO-s në Kosovë.

Majin e vitit të kaluar, serbët në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok kundërshtuan hyrjen në ndërtesat komunale të kryetarëve shqiptarë dhe tensionet kulmuan në protestën në Zveçan, ku gjatë përleshjeve mes protestuesve dhe pjesëtarëve të KFOR-it u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →